HEC_Bistrica , sarandeShteti ia shiti privatit me çmim më të ulët se realja. Shalsi: 100 milionë euro dëm


ARD KOLA


Privatizimi i katër HEC-eve, pronë e shtetit, pritet të jetë objekt hetimi i organeve të Prokurorisë së Rrethit të Tiranës. Nga sa konstatohet, vlera e shitjes nuk përkon me tregun, apo me rastet precedente të privatizimeve, si p.sh. me Lanabregasin.


Tenderi i zhvilluar në muajin dhjetor, pas tri raste dështimesh, shpalli fitues kompaninë turke “Kurum”, e cila ofroi 110 milionë euro për të blerë katër hidrocentralet, Ulëzën, Shkopetin, Bistricën I dhe Bistricën II. Pavarësisht se tenderi u zhvillua në kushtet e konkurrencës, ekspertët e sektorit gjykojnë se vlera e shitjes nuk përputhet me realen në kushtet e eficensës së objekteve dhe të rendimentit. HEC-et prodhonin rreth 450 mijë megavat energji elektrike në vit, duke garantuar të paktën 22 milionë euro të ardhura, ndërsa kompanisë së prodhimeve të çelikut, “Kurum”, kjo situatë i shkon për shtat nisur nga fakti se është konsumatorja kryesore e energjisë elektrike në vend.


Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, depozitoi dje në Prokurorinë e Tiranës një denoncim për vendimin e qeverisë për të shitur hidrocentralet në fjalë. Sipas deputetit socialist, në dy shitjet e hidrocentraleve që ka bërë qeveria në një hark të shkurtër kohor është vërejtur një diferencë e madhe në çmim. Kështu, hidrocentrali i Lanabregasit iu shit pushtetit vendor (Shoqërisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, në varësi të Bashkisë së Tiranës) me një çmim prej 3 milionë eurosh për 1 megavat fuqi e instaluar, ndërsa Ulëza, Shkopeti dhe Bistrica 1 e 2 iu shitën një kompanie private me një çmim prej 1.4 milionësh për një megavat. “Nisur nga ndryshimi i çmimeve, rezulton se me shitjen e 4 HEC-eve interesave të shqiptarëve u është shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 100 milionë eurosh”, u shpreh deputeti socialist, që është njëkohësisht edhe nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.


Deputeti socialist, pasi dorëzoi denoncimin në Prokurorinë e Rrethit, ka dhënë një prononcim për mediat, ku është shprehur se në ditët në vijim PS-ja do t’u tregojë qartë faktet dhe të vërtetën e arsyes së shitjes së 4 HEC-eve.


Shitja e katër HEC-eve do t’i shkaktojë vendit të tjera humbje në sektorin energjetik, kryesisht Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH-it). Në total, HEC-et e Ulëz Shkopetit dhe dy Bistricat kanë një kapacitet të instaluar prej 80 megavat. Sipas të dhënave zyrtare, katër hidrocentralet e nxjerra në shitje prodhojnë së bashku 350-450 milionë kilovat orë në vit. Çmimi me të cilin qeveria e detyron KESH-in të blejë energji nga hidrocentralet private është rreth 8-9 lekë për kilovat orë, që do të thotë se të ardhurat e katër hidrocentraleve shkojnë minimalisht 22 milionë euro në vit. Sipas ekspertëve, me këto të ardhura, vlera e blerjes së hidrocentraleve rikuperohet brenda 6 viteve, kjo edhe për një arsye tjetër. Shkopeti dhe dy hidrocentralet e Bistricës janë vepra që vitet e fundit kanë marrë investime të mëdha nga fondet e buxhetit dhe ndihmave nga qeveria gjermane. Kjo do të thotë se nuk kanë nevojë për investime të reja, por do të kenë një fitim të garantuar.


Pak kohë më parë, Kryeministri mori pjesë në përurimin e hidrocentralit të Ashtës, vepra e parë e madhe hidroenergjetike e ndërtuar pas rënies së regjimit komunist. Me një kapacitet të instaluar 53 megavat, hidrocentrali i Ashtës ka kushtuar mbi 200 milionë euro. Kostoja e ndërtimit është rreth 4 milionë euro për megavat, ose gati tri herë më e lartë nga çmimi, me të cilin qeveria po i shet katër hidrocentralet ekzistuese.


Në total, HEC-et e Ulëz Shkopetit dhe dy Bistricat kanë një kapacitet të instaluar prej 80 megavat


Lanabregasi: HEC-i i Lanabregasit iu shit pushtetit vendor (Ujësjellës-Kanalizimeve, Tiranë), me një çmim prej 3 milionë eurosh për 1 megavat fuqi e instaluar


Diferenca: Katër HEC-et, Ulëza, Shkopeti dhe Bistrica 1 e 2 iu shitën një kompanie private me një çmim prej 1.4 milionësh për një megavat të instaluar


Rasti


HEC-i i Ashtës!


Me një kapacitet të instaluar 53 megavat, hidrocentrali i Ashtës ka kushtuar mbi 200 milionë euro. Kostoja e ndërtimit është rreth 4 milionë euro për megavat, ose gati tri herë më e lartë nga çmimi, me të cilin qeveria po i shet katër hidrocentralet ekzistuese