Shtëpia e Kongresit të Manastirit më në fund në hartën e “Google”

Kliton Gërxhani*

Këtë verë vendosëm të vizitonim Bitolën në Maqedoni me mikun tim, Armand, pa fshehur faktin se një nga arsyet kryesore që na shtynte të vizitonim këtë qytet, ishte shtëpia ku u mbajt Kongresi i Manastirit në Manastir (sot Bitola) në 14 nëntor 1908 për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Bitola, megjithëse me 2 xhami të mëdha në qendër të saj e shumë elementë të tjerë kulturorë që tregonin se në atë qytet kishte dominuar popullsia shqiptare. Sot nuk flitej për dominim, por ishte e vështirë të hasje dikë që fliste shqip, të paktën në pamje të parë dhe për aq sa qëndruam dhe u interesuam ne. Këtu nuk flitet për nacionalizëm, por thjesht prisnim dhe na e kishte qejfi që përveç maqedonasve të gjenim lehtësisht edhe shqiptarë, në rrugë, në emërtime zyrtare të objekteve e rrugëve (siç qe në Shkup p.sh.), në biznese turistike apo të tjera, dhe mbi të gjitha në atë për të cilën ky qytet njihet ndërmjet shqiptarësh… Shtëpinë e Kongresit të Manastirit. Pyetëm shumë vendas që takuam (maqedonas kuptohet) dhe pothuajse askush nuk dinte gjë për të (të paktën të tilla qenë reagimet). Kërkuam në hartën e “Google” dhe nuk kishte asnjë gjurmë. Vetëm në Wikipedia kishte diçka rreth historisë, dhe disa foto, por asnjë ADRESË (?!). Si ka mundësi që gjithkush nga shqiptarët që ka qenë atje nuk shkruan në internet të paktën adresën e saktë të kësaj shtëpie historike për ne?! Si ka mundësi që shqiptarët e Bitolas (vendasit e hershëm të Manastirit) të parët, por edhe shqiptarët e tjerë të Maqedonisë nuk promovojnë këto vende historike të paktën në internet. Dhe pastaj ankohen gjithë ditën se po asimilohen dhe po u shkelen të drejtat, e po konsiderohen qytetarë të dorës së dytë?! Kush do ua qajë hallin e mbrojë të drejtat kur ata vetë nuk promovojnë vetveten nëpërmjet edhe këtyre simboleve historike-kulturore?!

Gjithsesi, me shumë të pyetura më në fund e gjetëm shtëpinë. Ishte një vilë e bukur nga jashtë, por e vetmja gjë që të kujtonte që ishte shtëpia e Kongresit të Manastirit ishin dy pllakate në të, një i vënë për 60-vjetorin dhe një tjetër më i vogël i vënë për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit. Asgjë më shumë! As ndonjë flamur, a ndonjë muze! Në katin e parë madje dukej sikur shiteshin objekte hidrosanitare, pra mund të ishte një dyqan që ishte i mbyllur. Për ironi ato ditë dëgjova që qeveria jonë do të harxhonte disa miliona euro për një muze të Bankës Shqiptare, ndërkohë që ato lekë mund të përdoreshin (mund të ishte bërë kjo punë edhe më parë) për blerjen e kësaj godine dhe kthimin e këtij objekti në një vend të nderuar të historisë shqiptare. Të paktën të konsiderohej një fakt i tillë, aq më tepër tani që festojmë edhe 100-vjetorin e Pavarësisë, i cili nuk do kishte ardhur pa pasur një gjuhë tonën e cila u caktua në këtë shtëpi.





Pasi i bëmë disa fotografi e shënuam adresën të cilën po e shkruajmë këtu që të mos vuajnë si ne ata që nuk e dinë dhe është: “Boulevard 1st of May, Nr 23, Bitola, Macedonia (FYROM)”.  Në kthim vendosa të punoj për caktimin e pikës së këtij objekti historik në hartën e “Google”, e cila dihet që është burimi pothuajse i vetëm ku kërkohen me miliarda adresa çdo ditë në të gjithë botën. Pra diçka e domosdoshme për çdokënd që do të “gjendet” në kohët e sotme dhe një reklamë e jashtëzakonshme. Pas disa komunikimeve me vlerësuesit e adresave të reja që shtohen në “Google”, ndërmjet tyre edhe maqedonas, të cilët kërkonin që emërtimi zyrtar të shkruhej në maqedonisht dhe që “Kongresi i Manastirit” të përkthehej në “Kongresi i Bitolas”, sot kam kënaqësinë e jashtëzakonshme që të ndaj me te gjithë ju që lexoni shqip, lajmin që “Google” e pranoi vendosjen e pikës në hartë me emërtimin primar në anglisht!. Pra nga sot e tutje kushdo që do shkojë të vizitojë Shtëpinë e Kongresit të Manastirit, mjaft që të kërkojë në “Google” në anglisht “The House of Congress of Manastir in Bitola” ose edhe vetëm “Congress of Manastir” dhe do gjej në hartën e “Google” pikën se ku ndodhet kjo shtëpi, me adresën e saktë dhe disa foto që i  bëra shtëpisë dhe pllakave në të. Pra mjaft ta printosh këtë hartë në internet apo të kesh një smartphone dhe nuk ke më nevojë të sillesh vërdallë për të gjetur arsyen kryesore për të vizituar Bitolën e sotme ose Manastirin e dikurshëm. Ka shumë objekte historike-kulturore të rëndësishme për Shqipërinë, si rasti i Shtëpisë së Kongresit të Manastirit që gjenden brenda apo jashtë kufijve të Shqipërisë të cilat nuk kanë piketimin e tyre në hartën e “Google”, ose e thënë ndryshe janë të harruara e larg vëmendjes të një tregu prej miliona turistësh. Prandaj ndihem mirë, që i bëra një dhuratë të vogël promovimit të kulturës dhe historisë sonë në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë, por mbi të gjitha dua të përcjell shembullin që të gjithë ne mund të bëjmë shumë për promovimin e kulturës tonë jo domosdoshmërish me para, por me pak sforco e shumë dashuri.

*Konsulent turizmi

Një nga arsyet kryesore që na shtynte të vizitonim këtë qytet, ishte shtëpia ku u mbajt Kongresi i Manastirit në Manastir (sot Bitola) në 14 nëntor 1908 për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe





Comments are closed.