Tenderi
Pavarësisht shkeljeve, Bode firmos shitjen e licencës 10-vjeçare
ARD KOLA
Ministri i Financave firmosi dje shpalljen e fituesit të lotarisë kombëtare, “Austria Lottery” (Oesterreichische Lotterien). Ky është vetëm lajm që konfirmon fituesin, pasi ai dihej, i paracaktuar nga vetë kriteret e vendosura nga qeveria, e cila minoi konkurrencën dhe lejoi që në tender të merrnin pjesë vetëm dy shoqëri, e më pas licencën ta shiste për 3 milionë euro.
Firmën mbi fituesin e vendosi kreu i komisionit të tenderit, Dorian Teliti, që është sekretar i përgjithshëm në ministri, ndërsa lajmi për “Shqip” konfirmohet nga tri burime të sigurta, pasi ministria nuk e bëri publike vendimin mbi fituesin.
Me veprimin e fundit, Kryeministri i vendit dhe kreu i Financave treguan se mund të shpërfillin çdo fakt me shkelje. Pavarësisht abuzimeve të publikuara në media, pavarësisht ankesave nga operatorët konkurrentë, kritikave të ekspertëve të fushës dhe akuzave të opozitës, qeveria çoi deri në fund planin e hartuar kohë më parë.
Tashmë licenca e të vetmes lotari kombëtare për 10 vjet do të menaxhohet nga kompania austriake, e blerë për 3 milionë euro, kur konkurrentët ishin të gatshëm të ofronin 10-fish më shumë. Licenca do të gjenerojë miliarda lekë të ardhura për shoqërinë nga biletat e shitura për të marrë pjesë në lojë, kurse shteti nuk përfiton më shumë se 10 për qind të xhiros, në një kohë në vende të ndryshme, merr të paktën 80 për qind. Më herët austriakët ishin shprehur optimistë për fitimin e licencës, pasi, sipas tyre, oferta e paraqitur në tender ishte më e drejta.
Në fakt, debati është vërtitur rreth një licence të lotarisë, por në të vërtetë, duke parë kriteret dhe të drejtën që i ofrohet kompanisë, në lojë janë shtatë lloje aktivitetesh lojëra fati.
Deputeti Erjon Braçe thotë se përmes tenderit qeveria po transferon te kompania e paracaktuar jo një, por shtatë monopole.
“Licenca është një dhe e vetme, është monopol i pastër. Por kjo licencë ka autorizimin në ligj që të organizojë shtatë lojëra kombëtare unike që nuk mund t’i realizojë kurrkush tjetër. Favoret vijnë duke u shtuar, kur thuhet që lojërat mund të organizohen duke u shitur bileta me pakicë nëpërmjet rrjetit online të internetit apo përmes shërbimit të telefonisë celulare”, deklaroi deputeti i opozitës.
Pika më e dyshimtë e tenderit për licencën është ajo që përjashton çmimin nga kriteret e vlerësimit. Qeveria pretendon se për këtë është këshilluar nga konsulenti, por dokumentet tregojnë se kriteret ishin vendosur disa muaj para se qeveria të kërkonte ndihmën e konsulentit. Përjashtimi i kriterit “çmim” shkaktoi dhe dyshimet më të mëdha, pasi licenca e shitur për 3 milionë euro vlen të paktën 50 milionë euro.
Por ministri i Financave thotë se meraku më i madh ishte frika e futjes në tregun shqiptar të kompanive që tentojnë të pastrojnë para. Sipas tij, u mendua të forcoheshin kriteret teknike, pra futja në treg e një kompanie serioze që i respektonte standardet e sigurisë, sesa të vareshin nga vlera në tender, ku rreziku ishte më i madh.
Ekspertët thonë se në shtete me më pak banorë se Shqipëria, të tilla licenca janë shitur për 40 milionë euro. Opozita e ka cilësuar tenderin për lotarinë kombëtare si një akt kriminal, përmes të cilit qeveria po grabit një të drejtë të publikut për t’ua dhënë klientëve të pushtetit të saj.
Nga praktikat e njohura në botë, licenca e shitur për 3 milionë euro vlen të paktën 50 milionë
Shkeljet
Çmimi – Qeveria nuk e vendosi çmimin si kriter kryesor, duke ia lehtësuar fituesit marrjen e të drejtës kombëtare për 3 milionë euro
Kriteret – Dy kompanitë konkurrente të përjashtuara nga tenderi, greke dhe turke, deklaruan hapur se kriteret e vendosura ishin diskriminuese
Taksat – Shteti nuk merr më shumë se 10 për qind të xhiros mbi paratë e luajtura të shqiptarëve, kur në vende të tjera derdhen 80 për qind
Monopoli – Austriakët nuk do të kenë monopol vetëm një licencë, atë të lotarisë kombëtare, por shtatë të tilla, të ofruara në tender