Ministri: Rëndësi ka standardi dhe jo të ardhurat në buxhet


Për shefin e Financave të shqiptarëve nuk ka rëndësi se sa të ardhura krijon nga shitja e një licence lotarie kombëtare, por fakti i respektimit të standardeve dhe kritereve. Ministri Ridvan Bode, përgjegjës për tenderin e licencës me afat 10 vjet për lotarinë kombëtare, ku tashmë në garë janë dy kompani, pranoi se kriteret e vendosura nga ai vetë nuk i japin prioritet çmimit për shitjen e të drejtës ekskluzive, por kritereve mbi disa certifikata që duhet të ketë fituesi.


Kjo lloj licence, që ministria kërkon ta shesë për 3 milionë euro, në vende të ndryshme të botës është shitur 10 herë më shumë, por Bode insiston në të veten. “Nuk pish punë, 5 milionë më shumë, a 5 milionë euro më pak, e rëndësishme është që ne të shpallim një kompani të certifikuar, serioze dhe me përvojë”, deklaroi ministri në konferencën për shtyp. Sipas tij, përmes mekanizmit të taksave, qeveria do t’i vjelë çdo vit të ardhurat, kështu shqetësimi i ngritur nga mediat për vlerën e shitjes, nuk konsiderohet problem.


“Në një aktivitet të tillë delikat nuk është qëllim primar çmimi i licencës. Duke pasur parasysh që kishim të bënim me një biznes të veçantë, masën e publikut që i drejtohet ky biznes, rrezikun që mbart ky aktivitet nëse bie në duart që duan ta shfrytëzojnë për qëllime joligjore dhe janë jo pak në rajon. Parësore për qeverinë dhe Ministrinë e Financave kanë qenë zgjedhja e një operatori që të jetë i sprovuar në integritetin e tij”, deklaroi Bode. Ndërkaq, dy kompanitë që kanë paraqitur zyrtarisht letra ankese pranë ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe Kryeministrit Berisha, për përjashtim nga gara e licencës së Lotarisë Kombëtare nuk janë kompani fantazmë, por lider në këtë sektor. Kompania greke “Intralot” dhe turkja “Inteltek” janë ankuar për kritere diskriminuese në tender.


Siç ishte paralajmëruar në tender kanë marrë pjesë vetëm dy kompani. Oferta e parë ishte ajo e lotarisë kombëtare të Austrisë, ndërsa e dyta vjen nga një konscorcium i përbërë nga 3 kompani, lotaria italiane “Lottomatica”, qipriotja “GTech” dhe çekja “Synot”. Tri kompanitë e konsorciumit që ka bërë ofertën e dytë janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Qipriotja “GTech” është në fakt pjesë e grupit ndërkombëtar “GTech Holding”, i cili zotërohet në pjesën më të madhe prej 75 për qind të tij pikërisht nga italiania “Lottomatica”, pjesë e grupit “De Agostini” në Itali.


Pas hapjes së ofertave vjen dhe reagimi i radhës nga kompanitë ankuese në tender, duke hedhur të tjera dyshime mbi procedurat e ndjekura dhe firmat pjesëmarrëse. Sipas “Intralot”, 2 prej 3 firmave që përbëjnë konsorciumin LTO nuk i përmbushin kërkesat e tenderit. “Vetëm firma italiane Lottomatica i përmbush kriteret, ndërsa 2 firmat e tjera, kompania çeke “SYNOT” dhe kompania nga Qipro “GTECH” nuk i përmbushin kriteret, pasi e kanë marrë certifikimin e sigurisë vetëm 3 vjet më parë”, bën të ditur “INTRALOT”. Kompania jep fakte të forta për të vërtetuar pretendimet e saj, se pjesëmarrja në tender e konsorciumit LTO është bërë vetëm për të shmangur kritikat që do të vinin nga paraqitja e vetëm një kompanie në tender, asaj austriake “Austria Lottary”, që duket se është e vetmja që i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara. Sipas “Intralot”, ekziston mundësia që “Lottomatica” të ketë marrë pjesë në tender, duke pranuar paraprakisht se fituesi do të jetë kompania austriake.


“Nëse kompania “Austria Lottary” fiton tenderin, ashtu siç pritet, ky dyshim do të ketë baza të arsyeshme”, thekson kompania greke. Madje, përfaqësuesit e kompanisë greke shkojnë më tej duke deklaruar se ka konflikt interesi mes drejtuesve të dy kompanive, duke hedhur dyshime ndaj organizatorëve të tenderit se kjo është bërë e qëllimshme, për të favorizuar kompaninë austriake, drejtori i së cilës sipas “Intralot” është dhe presidenti i “European Lotery”.


 


Braçe: Lotaria po u falet miqve


Deputeti socialist, Erion Braçe, ka denoncuar në Parlament, korrupsionin që sipas tij po kryhet me tenderin për lotarinë kombëtare. Ai akuzoi Kryeministrin Berisha, se lotarinë po ia jep një klienti të tij, ndërsa kërkoi që ajo të mbetet një monopol i shtetit. “Shikoni se çfarë po ndodh me atë lotarinë e famshme kombëtare që po konsumohet si korrupsion vetëm gjatë këtyre ditëve. Nuk ka interes publik aty. Interesi i vetëm i Sali Berishës nuk janë paratë në buxhetin e shtetit, sepse 3.5 milionë euro, kur mund të shitet me miliona euro natyrisht që nuk demonstrojnë interes publik. Thjesht dhe vetëm interesi i Sali Berishës është ta dërgojë te klientët e tij dhe kjo tashmë edhe e verifikuar. Ne e kemi ngritur shqetësimin nisur nga interesi publik këtu në Parlament që ajo lotari të mbetet shtetërore. Në tender dje është paraqitur kompania shtetërore austriake, pra këta të BE-së e paskan standard mbrojtjen e interesit publik edhe në këtë fushë, kurse ne jo, duhet ta bëjmë privat”, tha deputeti i PS-së.