Librat e rinj, 20 maj

Ylli Polovina

“Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”

Botoi: “Emal”



Çmimi: 800 lekë

“Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, është libri më i ri i botuar nga Ylli Polovina. Është një libër studimor, i cili përfshin 5 shekuj histori të familjes arbërore, për të cilin Polovina ka punuar vite të tëra. Në fakt është një lloj proteste ndaj vesit të kujtesës afatshkurtër që karakterizon shqiptarët, pasi, sipas tij, asnjëherë nuk është bërë përpjekje që të zbardhet apo të vijë në vëmendje historia e kësaj familjeje. Rrëfimi nis në vitin 1510 në Napoli, kur princi i mërguar i Beratit, i Myzeqesë, i Skraparit dhe i krahinës së Tomorit, i dy Devollëve të Sipërm e të Poshtëm, i Korçës, madje edhe i Kosturit, Gjon Muzaka, shkruan testamentin e tij pronësor për tre bijtë, por që koha, pas zbulimit të vonë që iu bë, si edhe një qëndrimi të vazhdueshëm shpërfilljeje, e arriti fillimin e këtij mijëvjeçari. Nisur nga titulli, autori thekson se ajo që ai ka bërë nuk është një kundërvënie mes dy personazheve, por përballje, pasi sipas Polovinës, Muzaka ishte i vetmi prijës i madh që e kritikoi Skënderbeun në testamentin e tij dhe shpërfaq shumë anë të tjera të heroit.

Ali Këlcyra

“Shkrime për historinë e Shqipërisë”

Hulumtoi në arkiva: Tanush Frashëri

Botoi: “Onufri”

Çmimi: 2500 lekë

Në antologjinë historike që Tanush Frashëri ka përgatitur pas hulumtimit nëpër arkiva, përfshihen materiale që i kushtohen periudhës 1912-1945, shkruar prej Ali Këlcyrës. “Të dhënat e vitit 1944-1945 i kam hulumtuar në faqet e shtypit të refugjatëve politikë, pas vitit 1944, me autor Aliun, ndërsa lëndën që rrok lakun kohor 1925-1959, e kam qëmtuar ndër arkiva. Nga kjo mori e materialeve të grumbulluara, përzgjodha ato pjesë që pasqyrojnë më mirë idetë dhe pasqyrojnë aspektet e kësaj figure poliedrike si historian, eseist, diplomat, gazetar, si tribun e si njeri i thjeshtë. Kësisoj e kam ndarë librin në disa kapituj, nga të cilët punimet e kreut të parë (1912-1945) janë titulluar “Kujtime politike” në përputhje me dëshirën e tij, siç del nga letra e datës 10 qershor 1959, drejtuar T. Zavalanit”, shkruan Tanush Frashëri.

Daniel Pennac

“Parajsa e gogolëve”

Përktheu: Margarita Skënderaj

Botoi: “Pegi”

Çmimi: 800 lekë

Kryetari i një familjeje të çuditshme (gjashtë gjysmëvëllezër e gjysmëmotra) gjendet i pleksur në një histori të dyshimtë atentatesh, që vulos fatin e tij prej dashi, dash kurbani. Beniamin Maloseni punon në një Qendër Tregtare si dash kurbani… Ai paguhet që të mbartë të gjitha fajet e Qendrës Tregtare në sytë e klientëve. Kur në qendër fillojnë të shpërthejnë bomba, që lënë pas nga një a dy viktima, situata komplikohet. Ky libër, i përkthyer në mbi 20 gjuhë, është libri i parë i sagës së Malosenëve. Pennac i vazhdoi aventurat e Beniaminit dhe familjes së tij edhe në pesë romanë të tjerë po aq të hollë e të këndshëm sa edhe ky.

Niccolo Ammaniti

“Unë nuk kam frikë”

Përktheu: Yllka Beshirja

Botoi: “Dudaj”

Çmimi: 750 lekë

Ky roman i Ammanit-it të përfshin në procesin e rrëfimit të një historie të nderë, me ritëm të shpejtë e me një mekanizëm që i ngjan një ore të kurdisur, që me tiktakun e saj të çon drejt një fundi të frikshëm e që të lë gojëhapur. Papritur, Mikele Amitranoja, nëntë vjeç, gjendet përpara një sekreti aq të madh dhe të tmerrshëm, saqë e ka të pamundur ta tregojë atë. Për të përballuar makthin e asaj çka jeton, i duhet të gjejë forca të jashtëzakonshme e të vërë në lëvizje fantazinë fëmijërore. Ndërkohë lexuesi do të ndjekë një ngjarje të dyfishtë, atë që shihet me sytë e Mikeles, por edhe atë ku përfshihen të mëdhenjtë e Akua Traverses, një qendër e mjerë dhe e vogël banimi, e përhumbur mes fushave me grurë.





Comments are closed.