Skënderbeu kampion


Bie direkt Pogradeci, në “play out” shkojnë Tomori, Kamza dhe Apolonia


Skënderbeu është kampion i Shqipërisë për të tretën herë në historikun e vet, trofe të cilin e fiton për të dytin vit radhazi. Një sukses i “firmosur” përfundimisht në Pogradec, me fitoren e kuqebardhëve në derbin e fqinjëve, duke i dërguar automatikisht një kategori më poshtë liqenorët, por festa dhe dorëzimi i titullit do të zhvillohet sot në stadiumin e Korçës, ku do të jenë të pranishëm edhe drejtuesit më të lartë të FSHF-së.


Fitorja – Korçarët fituan 3-1 në Pogradec, duke e mbyllur në mënyrë të shkëlqyer Kampionatin e 73 Kombëtar të futbollit. Golat për korçarët mbajnë firmat e Daniel Xhafajt (7’ dhe 48’) dhe kapitenit Bledi Shkëmbi (44’, me penallti), duke e bërë të pavlefshme fitoren 2-1 të Kastriotit në Krujë. Ndërkohë që, në anën tjetër, nuk ka vlejtur për asgjë përveçse për statistikë, fitorja e Teutës 2-1 në Krujë ndaj Kastriotit.


Statistikat – Me këtë fitore Skënderbeu mori edhe titullin e tretë pas atyre në sezonet 1933 dhe 2011-2012, duke u bërë kështu skuadra e pestë me më shumë tituj kampionë në vend, pas Tiranës (24, rekord), Dinamos (18), Partizanit (15) dhe Vllaznisë (9). Titujt e tjerë kampionë janë fituar nga Elbasani (2), Flamurtari (1) dhe Teuta (1). Skënderbeu, tani me 3 trofe, është skuadra e pestë nga rrethet që fiton të paktën një titull kampion, pas Vllaznisë (9), Elbasanit (2), Flamurtarit (1) dhe Teutës (1). Gjatë këtij sezoni, Skënderbeun e drejtuan dy trajnerë: Shpëtim Duro (4 javë) dhe Stanislav Levi (22 javë). Trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi, është çeku i parë që fiton një titull në Shqipëri, dhe i dyti i huaj në historinë e Kategorisë Superiore, pas malazezit Dervish Haxhiosmanoviç, që fitoi me Vllazninë në edicionin 2000-2001.


Verdiktet – Java e 26 e Superiores mbylli edhe verdiktet e një kampionati të lodhshëm dhe me luftë të ashpër sportive sa i përket kreut, ku Skënderbeu dhe Teuta rivalizuan deri në 9-minutëshin e fundit. Me korçarët, që e bënë të vetin këtë trofe për herë të dytë radhazi, ndërsa janë në lojë ende për të fituar Kupën e Shqipërisë, për herë të parë në historikun e vet. Që ta bëjnë realitet këtë gjë, duhet të superojnë në finale Tiranën, që e ka mbyllur kampionatin në vendin e tretë, pjesëmarrës në Kupat e Europës, por që do të kërkojë të mos dalë pa një trofe këtë sezon. Teuta, e vendit të dytë, është gjithashtu pjesëmarrëse në Kupat e Europës, bashkë me Flamurtarin.


“Play out” – Për sa i përket fundit, teatër është luajtur në Fier dhe Shkodër, ku Bakiu i Tomorit dhe R.Dervishi i Shkumbinit i përgjigjeshin me “breshëri” golash njëri-tjetrit në distancë. Plot 8 gola janë shënuar në Shkodër, në barazimin 4-4, ndërsa më shumë ka prodhuar fusha e Fierit, ku rezultati 6-5 për vendasit ka qenë një grotesk i vërtetë. Sidoqoftë, Apolonia ia ka dalë që të shkojë në “play-out”, duke shfrytëzuar humbjen e Pogradecit në shtëpi me kampionët e rikonfirmuar të vendit, Skënderbeu. Edhe Tomori me Kamzën kanë pasur këtë fat, duhet të luajnë edhe një ndeshje shtesë për të mbetur sërish pjesë e Superiores. Në bazë të rregullores paraprake, ja cilat janë çiftet e “play-off”-it, që do të luhen për të plotësuar kuadrin e plotë të 14 skuadrave që do të përbëjnë Superioren sezonin e ardhshëm: Apolonia-Lushnja, Kamza-Besa dhe Tomori-Besëlidhja.


 


Superiore / Java XXVI


DJE


Pogradeci-Skënderbeu 1-3


Çerepi 40′ / D.Xhafaj 7′, 48′, Shkëmbi 44′ (11 m)


Kastrioti-Teuta 1-2


Cetkoviç 39′ / Hyshmeri 17′, Mancaku 52′ (11 m)


Tirana-Kamza    1-0


Cikalleshi 68′


Flamurtari-Laçi 0-0


Apolonia-Tomori 6-5


Ibrahim 22′, Cimili 64′, Rama 70′, 88′, Llenga 76′, Rrapaj 80′ / Bakiu 55’, 70′, 74′, 84′, Shameti 59′


Vllaznia-Shkumbini   4-4


Gjini 30′, Kruja 75′, Mujeci 80′, Erkovevic 89′ / Shenaj 35′, R.Dervishi 78′, 85′ (11-m), 92′


 


Klasifikimi


Skuadrat   N    P


1. Skënderbeu   26   57


————————-


2. Teuta   26   56


3. Tirana  26   53


4. Flamurtari   26   46


————————-


5. Kastrioti    26   38


6. Vllaznia     26   35


7. Bylis   26   35


8. Laçi*   26   34


9. Shkumbini    26   31


————————-


10. Tomori 26   28


11. Kamza  26   27


12. Apolonia    26   21


————————-


13. Pogradeci*  26   19


14. Dinamo*     26   13


*Dinamos e Pogradecit u janë hequr nga 3 pikë. Laçit, 6 pikë