
Kryeministri Edi Rama bashkë me të shoqen Linda Rama si dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj kanë darkuar me familjen e artistes shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe familjen e saj.
Foto nga darka janë shpërndarë nga Dukagjin Lipa në Instagram, duke e quajtur rikthimin në Shqipëri një vizitë të paharrueshme.
“Vizita në Rezidencën Mbretërore Shqiptare me Kryeministrin shqiptar Z. Edi Rama ishte një përvojë unike. Faleminderit shumë që na bëtë të ndjehemi pjesë e familjes tuaj”, shkruan Dukagjin Lipa në rrjetet sociale.
Dua Lipa vizitoi Tiranën, duke u takuar me një sërë personalitetesh dhe personazhesh të njohura në vend. Ajo u ndal në një kopsht fëmijësh të dëmtuar nga tërmeti i 2019 në kryeqytet, e që po ndërtohet nga fondacioni i babait të saj.


