Dje në ambientet e Avokatit të Popullit kanë mbërritur anëtarë të tjerë të komunitetit rom. Ata kanë një strehim, por që nuk u pëlqen. Përveç këtyre, të gjitha hallet ia kanë paraqitur Avokatit të Popullit, duke krijuar mbingarkesë për stafin e institucionin, por edhe një gjendje anormale. Kanë qenë punonjësit që kanë plotësuar formularët, duke mbajtur shënim të gjitha të dhënat e raportuara nga komuniteti.
Pas krijimit të një situate të vështirë, reagoi titullari i këtij institucioni, Igli Totozani. Ai këshilloi romët e sapoardhur që të rikthehen në banesat e tyre, duke garantuar se do të merret seriozisht me problemet e tyre social-ekonomike.
“Ju keni probleme të natyrave të ndryshme. Ne i dimë hallet tuaja, ne i morëm shënim një për një, emër për emër, unë ju premtoj se kam detyrim ligjor dhe kushtetues se kërkesat tuaja do merren parasysh. Do flasim me Bashkinë e Tiranës, me gjithë organet shtetërore që problemet tuaja të hyjnë në rrugën e zgjidhjeve. Në mënyrë miqësore, kthehuni në shtëpitë tuaja që ne të punojmë të qetë. Qëndroni ku jeni, na lini të punojmë për këta persona që kanë mbetur komplet të pastrehë. Sa u përket problemeve tuaja, ju garantoj që ne ju kemi hapur një derë shumë të madhe”.
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.