Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Shkurt 2012 Drejtor: Besnik Myftari,   Kryeredaktor: Aleksandër Çipa

Mbetjet, mjedisi gjoba të tjera për bashkitë dhe komunat 

2012-01-27

Shpresa Mezini (KERKO ...)

Aleanca kundër Importit të Plehrave ngre qendër të posaçme për firmat në Kombinat

Nuk kanë të sosur gjobat për drejtuesit e bashkive dhe komunave në vend. Arsyeja: Në kuadër të zbatimit të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Krahas rasteve të raportuara disa ditë më parë për shkeljet logjike të konstatuara në bashki e komuna, mësohet se janë vendosur sërish sanksione. Sipas inspektorëve penalizimet do të vijojnë deri kur të mos regjistrohen më raste të tilla. Zyrtarisht sqarohet se gjobat me të cilat janë penalizuar drejtuesit e këtyre institucioneve arrijnë në vlerën e 500 mijë lekëve. Konkretisht, raportohet se në Qarkun e Gjirokastrës, në Bashkinë Përmet, është marrë masa administrative dënim me gjobë me vlerë prej 500 mijë lekë në emër të kryetarit të Bashkisë, Gilbert Jaçe. Me të njëjtën gjobë është ndëshkuar edhe Bashkia Këlcyrë. “Në Qarkun e Fierit, në Bashkinë Ballsh është marrë masa administrative dënim me gjobë me vlerë prej 500 mijë lekë në emër të kryetarit, Ilir Çela. Në Qarkun e Elbasanit, në Komunën Shirgjan është marrë masa administrative dënim me gjobë me vlerë prej 500 mijë lekë në emër të kryetarit të Komunës, Mustafa Shehu. Në Qarkun e Durrësit, në Bashkinë Fushe-Krujë është marrë masa administrative dënim me gjobë me vlerë prej 500 mijë lekë në emër të kryetarit, Gjon Bardhi. Në Bashkinë Krujë është marrë masa administrative dënim me gjobë me vlerë prej 500 mijë lekë në emër të kryetarit, Shkëlzen Hoxha. Në Komunën Gjopalaj është marrë masa administrative dënim me gjobë me vlerë prej 500 mijë lekë në emër të kryetarit të Komunës, Adrian Kokomani”, këto janë të dhënat zyrtare të Inspektoratit të Mjedisit. Ndërkohë, gjoba janë marrë edhe në Qarkun e Kukësit, konkretisht Komuna Zapod, në emër të kryetarit të saj, Dan Koloshi dhe Komuna Topojan, në emër të kryetarit të Komunës, Safet Myftari.

Sakaq, Aleanca kundër Importit të Plehrave organizoi dje një takim me të rinjtë dhe qytetarët e Kombinatit për të diskutuar rreth çështjes së importit të mbetjeve në Shqipëri. Gjatë takimit dolën në pah çështje si mangësi të theksuara të ligjit për të mbrojtur ambientin, mangësi të institucioneve përkatëse për të kontrolluar hyrjet e mbetjeve në Shqipëri si dhe shkalla e lartë e korrupsionit si një faktor tjetër i cili ndikon në mosbesimin e qytetarëve që ky proces të jetë transparent dhe i padëmshëm për ambientin dhe jetën e qytetarëve. Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe nevoja që ka shoqëria e demokracia Shqiptare për të krijuar kulturën e mbajtjes së referendumit si një nga mënyrat më të rëndësishme të aplikimit të demokracisë së drejtpërdrejtë. “Deri më sot në Shqipëri nuk është mbajtur asnjë referendum, me përjashtim të atij të vitit 1998, kur shqiptarët vendosën për Kushtetutën e Shqipërisë. Një nga kërkesat e propozuara gjatë takimit ishte që Komisionit për Reformën Zgjedhore, i ngritur rishtazi në Parlamentin shqiptar, t’i propozohet që të marrë në shqyrtim edhe vetë ligjin për referendum, meqenëse ky ligj është shpallur antikushtetues në dy momente të tij nga Komisioni i Venecias”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Aleancës kundër Importit të Plehrave.

Në fund të takimit u vendos edhe krijimi i një pike të re për mbledhjen e firmave në Kombinat, që ndodhet tek sheshi “Garibaldi” dhe do të qëndrojë e hapur çdo ditë për qytetarët e kësaj zone.

Lart: C
Ulet: C

C

Nesër

Lart: 17°C Ulet: C

Pasnesër

Lart: 17°C Ulet: C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.