Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

17 Maj 2012

Rama, mbështetje për taksën progresive

2012-02-04

Skerdilajd Zaimi (KERKO ...)

Anëtari i qeverisë austriake mbështet programin e PS: Një sistem i drejtë

Ideja e socialistëve për taksimin progresiv fiton mbështetje edhe nga socialistët austriakë. Në vizitën e tij dyditore në Vjenë, kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama, ka zhvilluar disa takime të një niveli të lartë, mes të cilëve edhe ai me sekretarin austriak të Shtetit për Financat, Andreas Schieder. Qeveritari i Austrisë ka shprehur mbështetjen e vet për programin e ri të PS-së, për një Rilindje Shqiptare, duke ofruar madje edhe asistencën e ekspertëve austriakë. “Unë besoj se aplikimi i një takse të sheshtë në nivel të ulët nuk është një ide e mirë, pasi vetëm favorizon të pasurit dhe i merr paratë njerëzve të varfër. Sistemi i taksave duhet të jetë i drejtë dhe i paanshëm; kjo do të thotë: taksa progresive; çështjet e taksave që lidhen me të ardhurat; gjithashtu aplikimi i tatimit mbi fitimin kapital etj. Kjo, sepse duhet të sigurohemi që shoqëria jonë të mos ndahet, por të qëndrojë e bashkuar, kjo është e rëndësishme. Ideja është që të diskutojmë më tej mbi shkëmbimin e njohurive, shkëmbimin e ideve, shkëmbimin e eksperiencave mbi se si do të krijojmë një sistem taksimi të drejtë e të favorshëm, që gjithashtu mbështet rritjen ekonomike e punësimin. Ky është një debat që po ndodh tashmë në nivelin europian”, - tha ai në një intervistë të bërë publike prej zyrës së shtypit të PS-së. Ndërkohë, në ditën e parë të qëndrimit në Vjenë, Rama ka takuar përfaqësues të së majtës austriake, ku është pritur nga një grup deputetësh të SPO, të kryesuar nga sekretarja e grupit parlamentar socialist për Politikën e Jashtme dhe Marrëdhëniet me Europën, Christine Muttonen. Në takim ishin po ashtu të pranishëm edhe sekretarët për çështjet e edukimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe turizmit. Një temë me rëndësi në takimet e zhvilluara ka qenë edhe çështja e ndarjes së pushteteve në shtetin ligjor, ku rasti i Shqipërisë paraqet probleme kronike. Ndërkohë, vetë Rama në profilin e vet në ‘Twitter’ shprehet shumë entuziast për takimet në Austri, duke këmbëngulur sidomos për bisedat dhe vlerësimet për taksën progresive. “Përcaktuam një axhendë pune mes ekspertesh për hartimin e politikës sonë të re fiskale dhe taksimin progresiv për një Rilindje Shqiptare...Me SPO do ngremë grup të përbashkët ekspertësh për programin e reformave në disa fusha. Gunther Kreuter, u shpreh entuziast për programin e ri të PS-së”, - shprehet kreu socialist në twitter. Një vlerësim pozitiv ka dhënë në intervistën e vet edhe Christine Muttonen, sekretare e grupit parlamentar socialist austriak për Politikën e Jashtme dhe Marrëdhëniet me Europën. “Ishte shumë e frytshme dhe me interes për të krijuar një përshtypje për Shqipërinë, problemet që ekzistojnë dhe mënyrën sesi socialistët duan t'i zgjidhin ato. Temat për të cilat ne biseduam lidheshin me procedurat ligjore dhe qeverisjen në përgjithësi, por edhe çështje që kanë të bëjnë me arsimin në përgjithësi apo edhe për arsimin universitar në veçanti, çështjet që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor, si edhe për papunësinë, e cila duket se është një problem për Shqipërinë”, - tha ajo.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.