Ëndrra dhe realiteti europian janë dilema që vazhdojnë të mbajnë peng ballkanasit. Ëndrra europiane u akceptua me të madhe që pas luftërave dhe tranzicioneve të fillim viteve ‘90, dhe pothuajse në mënyrë plebishitare të gjithë e dëshironin demokracinë, vlerat europiane dhe braktisjen e sistemit traumatik monist. Beteja midis eurofilëve të post- tranzicionit që shohin ëndrrën e yjëzimeve europiane dhe e euroskeptikëve, vazhdon edhe më tej, derisa Bashkimi Europian akoma nuk ka ndërtuar një strategji të mirëfilltë të përbashkët për Ballkanin Perëndimor, një rajon që gjithnjë e më shumë në kartën europiane shihet si një pikë e zezë dhe vatër e krizave të herëpashershme.
Pavendosmëria e BE-së për Ballkanin Perëndimor apo taktizimet diplomatike dhe më shumë deklarative impresionuese përbëjnë një lojë me një kosto të lartë dhe sprovë, të cilën gjithmonë e ka humbur BE, duke mos u treguar si një organizim serioz. Roli dhe sfidat e BE-së në historinë më të re të Ballkanit gjithmonë kanë rezultuar me dështime, se sa me suksese.
Në samitin e Royaumont, në vitin 1996, Bashkimi Europian, nën presidencën franceze të BE-së, mori iniciativën e parë e cila kishte për qëllim të sillte paqen dhe stabilitetin në këtë pjesë të Europës, respektivisht të mbështeste implementimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Pas një viti, Këshilli i Përgjithshëm i Çështjeve miratoi një Qasje Rajonale (Regional Approach) me qëllim krijimin e kushteve politike dhe ekonomike për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale me vendet e këtij rajoni.
Por edhe përskaj këtyre nismave, marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor ishin shumë të varfra. Për ta eliminuar këtë ankth në vitin 1999, Komisioni Europian projektoi Procesin e Stabilizim-Asocimit, si një kornizë e re për të garantuar dhe mbrojtur reformat në Shqipëri, IRJM, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë në Republikën Federale të Jugosllavisë (në atë kohë Serbia dhe Mali i Zi), dhe gjithashtu në Kosovë si territor i cili ishte nën Protektoratin e Kombeve të Bashkuara.
Pas gjithë këtyre viteve, dora e Bashkimit Europian është dukur kudo në Ballkan, duke investuar për demokratizimin e këtij rajoni për të krijuar një stabilitet ekonomik, institucional si dhe për të zhvilluar tregun e lirë dhe bashkëpunimin ekonomik.
Kanë kaluar aq vite, janë bërë se e sa investime nga bashkësia ndërkombëtare dhe sikur ky rajon ka ecur prapa me kohën. Në këto vende ende nuk kemi një lidership të përgjegjshëm, ndërsa mungojnë reformat në jurisprudencë, administratë publike, luftimin e korrupsionit etj. Ndërkaq, procesi i stërzgjatur, rruga e gjatë për në BE ka bërë që pak a shumë të shtohet numri i euroskeptikëve, të cilët mendojnë se vendet e tyre do jenë gati për në BE, atëherë kur nuk do të kenë nevojë për BE-në. Ata nuk dëshirojnë të bartin pjesë të sovranitetit shtetëror në politikat e përbashkëta të Unionit, të cilat i konsiderojnë si të dështuara.
Ditë më parë, qytetarët e Kroacisë u deklaruan lidhur me anëtarësim ose jo në Bashkimin Europian dhe dalja në këtë referendum ka qenë rreth 45 për qind të votuesve. Mbi 60 për qind kanë votuar pro hyrjes në këtë organizatë supranacionale, ndërsa 34 për qind kundër.
Rezultatet janë zhgënjyese, nëse merret parasysh dalja shumë e vogël në votime dhe përqindja jo e vogël e euroskeptikëve. Më së shumti “eurofilë” janë evidentuar në rrethin e Varazhdinit, ku 70.62 për qind të votuesve janë shprehur “PRO”, ndërsa më së paku janë në rrethin e Splitit, 59.10 për qind. Sipas të dhënave, në rajonin e Dalmacisë dhe rrethin e Splitit janë evidentuar më së shumti “euroskeptikë”, 40.29 për qind, ndërsa nga kjo kategori më së paku janë të evidentuar në rajonin e Likës dhe rrethin e Senjit, 29.27 për qind.
Një ditë para mbajtjes së referendumit, në Zagreb pati edhe protesta. Rreth 1000 kundërshtarë të anëtarësimit të Kroacisë në BE protestuan duke u përleshur më vonë me policinë. Protestuesit, shumica prej të cilëve nacionalistë, veteranë të luftës e protestues të krahut të djathtë, provuan ta largonin një flamur të Bashkimit Europian.
Policia arrestoi tre persona, ndërsa u bë e ditur se protestues janë lënduar. Liderët kroatë dhanë arsyetimin se kroatët janë lodhur nga bisedimet e gjata dhe të vështira për pranim në BE.
Sipas anketave të fundit, mbi 95 për qind e shqiptarëve në Maqedoni janë pro integrimit në Bashkimin Europian. Ndërsa numri i eurofilëve maqedonas është më i vogël, gjegjësisht mbi 70 qind. Përderisa shqiptarët mendojnë se të anëtarësuar në BE-së do t’i realizojnë të drejtat e tyre, maqedonasit frikohen se do humbin emrin kushtetues dhe dominimin absolut ndaj komuniteteve jo maqedonase në këtë shtet etnocentrik. Ndërkaq, një faktor tjetër është edhe procesi i stërzgjatur i anëtarësimit të vendit në BE.
Liderët shqiptarë bëjnë politikë duke u paraqitur si pro-europianë, ndërsa liderët maqedonas hapur deklarohen se emrin e shtetit nuk e japin as për hyrje në BE e NATO.
Fjalimet nacionaliste të kryeministrit maqedonas dhe viza e kuqe që ai disa herë i ka vendosur Bashkimit Europian dhe NATO-s, tregojnë qartë se sa kohë të jetë ai, nuk do të ketë zgjidhje të çështjes së emrit dhe si rrjedhojë, nuk do të ketë as BE dhe NATO për Maqedoninë.
Shtetasit kosovarë identifikohen si pro-amerikanë, për faktin se amerikanët kanë qenë faktorët kryesorë në krijimin e shtetit të Kosovës. Sipas sondazheve të fundit, popull më pro-amerikanë se shqiptarët vështirë se mund të gjendet diku në botë, ndërsa për europianët ekziston një lloj dyshimi, kjo për faktin se Brukseli vazhdon të shprehë rezerva ndaj pavarësisë së Kosovës, dhe kjo më së miri dëshmohet nga mosnjohja e pesë shteteve anëtare të BE-së, si dhe sjellja e fundit e misionit të EULEX-it ndaj intervenimit të institucioneve të Kosovës në Veri, më qëllim vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe zbatimin e Kushtetutës së Kosovës. Përderisa Bashkimi Europian nuk e njeh Kosovën, kosovarët do të vazhdojnë të mendojnë se Europa nuk ofron përkrahje maksimale për ta, ndërsa vazhdon ta përkëdhel Beogradin zyrat.
Nëse analizojmë 12 shtetet e reja të cilat u anëtarësuan në periudhën kohore 2004-2007, duket qartë se të gjitha këto vende kanë përfituar maksimalisht dhe nuk janë ankuar pse u bënë pjesë e kësaj familjeje. Shtetet e reja anëtare menjëherë kanë shënuar rritje ekonomike dhe atë më shpejt se sa shtetet e vjetra anëtare. Standardi i tyre është përmirësuar, ndërsa në të shumtën është shënuar edhe ulje e papunësisë.
Disa shtete si Sllovenia dhe Qipro i kanë tejkaluar disa shtete të vjetra anëtare sipas GDP-së. Megjithatë, jo të gjithë njësoj i kanë shfrytëzuar të mirat e BE-së për t’u zhvilluar ekonomikisht. Por, nuk janë vetëm treguesit ekonomikë si faktor që imponojnë mendimin e qytetarëve të shteteve të reja anëtare se është mirë për të qenë pjesë e BE-së. Liria e lëvizjes së personave, e shërbimeve, kapitalit, investimet e huaja direkte, demokratizimi i shoqërisë, luftimi i kriminalitetit janë disa gjëra që ndihmojnë dhe zhvillojnë shtetet e reja. Sot një pjesë e madhe e të rinjve bullgarë, rumunë, hungarez etj., studiojnë dhe punojnë në vendet e Bashkimit Europian. Biznesmenët e shteteve të reja mund të eksportojnë mallrat e tyre në një treg prej mbi 500 milionë konsumatorësh, ndërsa gjithashtu qytetarët e rëndomtë mund të marrin dhe ofrojnë shërbime në secilin vend anëtar të BE-së, beneficione ka pothuajse në të gjitha sferat e jetës.
Nga ana tjetër, derisa kriza në eurozone vazhdon dhe besueshmëria te monedha euro është në rënie, euroskeptikët qëndrojnë fuqishëm, ndërsa demantimi i tyre mund të bëhet vetëm nëse ndryshohen traktatet e BE-së dhe sigurohet një disiplinë fiskale. Për momentin liderët e vendeve europiane po përballen me euroskeptikët, të cilët vazhdojnë të spekulojnë për solidaritetin dhe aftësinë e tyre për të mbajtur në këmbë këtë sistem.
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.