Ilir Beqja, Kosta Barjaba
Tranzicioni demografik është një ndër aspektet më kritike të tranzicionit drejt demokracisë. I cili, për fat të keq, nuk ka marrë vëmendjen që meriton, as nga politikë-bërësit dhe as nga ekspertët e këtij vendi.
Të dhënat e Censusit 2011 tregojnë se zhvillimet demografike në vend nuk kanë ecur në drejtimin e pritshëm, po të kemi parasysh “dhuratën demografike” që trashëgoi vendi në fillim të tranzicionit. Një pjesë e këtyre pritshmërive nuk janë realizuar për shkak të dinamikës së zhvillimeve të tranzicionit. Ato mund të konsiderohen si pritshmëri logjike. Por një pjesë e pritshmërive nuk janë verifikuar për shkak të performancës së qeverisjes. Ato mund të konsiderohen si papritshmëri të performancës. Ndryshimi për herë të parë në historinë e Shqipërisë i raporteve midis popullsisë urbane dhe rurale, ka prodhuar, përveç mundësive të zhvillimit, edhe sfida, të cilat bëhen më të vështira përballë pasqyrës së qeverisjes së pavëmendshme. Ndër tri prirjet ose papritshmëritë e performancës, mund të konsiderohen mospërputhja midis prirjeve të urbanizimit dhe punësimit në zonat urbane dhe rurale, ritmet e larta të pakësimit dhe ritmet e larta të moshimit të popullsisë.
Censusi konfirmoi se në Shqipëri, në sajë të ritmeve të larta të urbanizimit gjatë dy dekadave të fundit, aktualisht shumica e popullsisë, rreth 53.7%, jeton në zonat urbane dhe rreth 46.3% jeton në zonat rurale. Ky është një lajm i mirë. Por që përmban në vetvete një lajm të keq. Prirja e zënies me punë të popullsisë ka ecur përkundër ritmeve të urbanizimit. Shkalla e zënies me punë të popullsisë urbane është ulur. Nëse krahasojmë të dhënat në tabelën e mëposhtme, prirja e uljes së nivelit të zënies me punë të popullsisë qytetare duket qartë.
Ndërkohë, grafikët e mëposhtëm tregojnë se prirja e urbanizimit dhe punësimit shkojnë përkundër njëra-tjetrës. Ndërsa popullsia qytetare është rritur nga 42.2 në 53.7 për qind, punësimi në qytet është ulur, nga 31 për qind në 28 për qind. Ky është një tregues që provon menaxhimin e keq të dhuratës demografike dhe kapitullimin para ritmeve të urbanizimit. Ulja e nivelit të punësimit në zonat urbane është një shkak tjetër që ndikon në cilësinë e ulët të jetës në enklavat e të shpërngulurve. Ndërkohë, edhe treguesit zyrtarë të nivelit të punësimit në fshat duhen marrë me rezervë, për shkak se kriteri që përdor INSTAT është pajisja e fshatarëve me tokë, pavarësisht shfrytëzimit ose jo të saj. Kjo situatë sugjeron nevojën e politikave specifike, të cilat do të adresojnë, përveç punësimit të dy grupeve të njohura margjinale në tregun e punës, grave dhe të rinjve, edhe punësimin e popullsisë së shpërngulur.
Dinamika e popullsisë për shkak të lëvizjeve migratore, të jashtme dhe të brendshme, sugjeron skenarë të rinj, jo vetëm urbanizues, por në një kontekst të gjerë. Në Programin socialist ata përfshijnë politikat ekonomike, politikat e punësimit, investimet infrastrukturore, zhvillimin njerëzor dhe shërbimet jetike bazë për popullsinë.
Nga të dhënat e Censusit 2011, të krahasuara edhe me treguesit e Censusit 2001 dhe statistikat e mëparshme të INSTAT-it, rezulton se popullsia e Shqipërisë gjatë viteve 2001-2011 ka pasur këtë dinamikë rritjeje-uljeje, sipas grafikut të mëposhtëm:
Me këto ritme, Shqipëria ecën përkundër prirjes globale të shtimit të popullsisë. Gjatë vitit 2011 popullsia e globit është rritur me rreth 1.1 për qind. Pra, vendi ynë “kontribuon” në prirjen globale të uljes së ritmeve të rritjes së popullsisë. Vendi ruan, megjithatë, një avantazh demografik, sepse ulja e ritmeve të rritjes është më e ulët se në mjaft vende të rajonit. Por bashkimi me prirjen globale të pakësimit të popullsisë duhet të shërbejë si një alarm demografik, me pasoja në politikat e zhvillimit ekonomik, social dhe njerëzor. Kjo tendencë pritet të ketë ndikime të ndjeshme në tregun e punës (mosfurnizimi i tregut me fuqi punëtore të re) dhe, së bashku me prirjen tjetër të mplakjes, edhe në sistemin e pensioneve. Skema e të cilit aktualisht është në vështirësi, të cilat po bëhen të pakapërcyeshme, në kontekstin e politikave aktuale. Politikat aktuale të pensioneve nuk janë rezultat logjik i shëndoshjes së skemës dhe reformimit të sistemit, po manovra elektorale të politikave populiste, të papërgjegjshme të qeverisë për të ilustruar Shqipërinë që “fluturon”.
Siç shihet, ritmet e pakësimit të popullsisë janë të dukshme, sidomos gjatë viteve të fundit, para Censusit. Shifrat për popullsinë gjatë viteve 2001-2008, të ofruara më parë nga INSTAT, kanë qenë rezultat i kombinimit të projeksioneve të popullsisë të bazuara në regjistrimet e viteve 1989 dhe 2001. Të dhënat e Censusit të vitit 2011 tregojnë se këto projeksione kanë qenë të gabuara. Ndryshe nuk ka si shpjegohet rënia drastike e popullsisë gjatë periudhës 2010-2011. Siç ilustrohet edhe nga grafiku i mësipërm, sipas projeksioneve të INSTAT-it, gjatë periudhës 2001-2010 kemi pasur rritje të popullsisë. Leximi jokritik i grafikut sugjeron se rënia e popullsisë ka ndodhur gjatë viteve 2010-2011, çka praktikisht është e pamundur. Faktikisht, gjatë dhjetëvjeçarit 2001-2011 popullsia është pakësuar në mënyrë graduale. Pakësimin më të madh e kanë pësuar femrat, me 128.901 vetë ose me 8,4 për qind, ndërsa burrat janë pakësuar me 108.633 vetë ose me 7,1 për qind.
Censusi nuk na ka ofruar ende të dhënat për strukturën moshore të popullsisë dhe piramidën e saj. Megjithatë, nga llogaritja e të dhënave të publikuara të INSTAT-it, dinamika e përbërjes moshore të popullsisë, sipas grupmoshave kryesore: fëmijët, rinia, mosha e punës dhe mosha e tretë, ka qenë si më poshtë:
Struktura moshore e popullsisë, 2001-2009.
Nga grafiku i mësipërm dallohen qartë shenjat e fillimit të plakjes së popullsisë. Përqindja e fëmijëve në popullsinë e vendit ka rënë nga 29.2 për qind në 2001, në 26.3 për qind më 2011. Në shifra absolute, numri i fëmijëve ka rënë me mbi 17 për qind. Dinamika e ndryshimeve në grupmoshat e tjera ”shpie ujë në të njëjtin burim”. Përqindja e popullsisë së moshës 25-64 vjeç është rritur nga 46 për qind në 2001, në 54.3 për qind më 2011; ndërsa përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç është rritur nga 7.5 për qind, në 10.5 për qind. Një ndër arsyet e plakjes është rënia e numrit të lindjeve, nga 54.283 në 2001 në 36.251 në 2011. Pakësimi në vlerë absolute, gjatë periudhës 2001-2011, i numrit të lindjeve me rreth 34 për qind, kërkon një studim, nëse Shqipëria duhet të kalojë apo jo në politikat pronataliste.
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.