Nganjëherë, edhe pse e di përgjigjen, nuk rri dot pa bërë pyetje. Ndoshta se nuk mund të ndodhë ndryshe në një tranzicion të stërzgjatur dhe pakuptim si ky yni, ku jo pak (mos)zhvillime politike, ekonomike, sociale vijojnë të shfaqen në trajtën e pyetjeve retorike. A do të merren ndonjëherë vesh partitë politike për gjërat e mëdha të këtij vendi? Jo, është vetëpërgjigjja. Se po të ishin marrë vesh, gjendja nuk do të ishte kjo. Nuk do të kishim një kaos urban nga fundi në krye. Nuk do të kishte gjithandej ndërtime pa leje dhe një proces legalizimi të pamundur për të qenë normal. Nuk do të kishim sidomos një gjuhë politike plot hakërrim mes deputetëve, me akuza të përditshme për afera të zyrtarëve të lartë, si nga njëra palë, si nga pala tjetër.
Por le të vijmë te “pyetja retorike” e radhës. A do të kemi deri më 8 maj të vitit të ardhshëm, kur do të bëhen zgjedhjet e pushtetit vendor, reformë administrative? Paraprakisht po citojmë lajmin e fundit nga kjo fushë. Katër komuna: Paskuqani, Miloti, Shëngjini dhe Bushati janë propozuar të kthehen në bashki. “Kjo nismë tanimë është e shndërruar në aksion konkret ligjor prej Ministrisë së Brendshme, e cila ka gati projektin për ta dërguar në Parlament. Në relacion thuhet se këto katër njësi vendore, ndonëse për nga numri i popullsisë dhe zhvillimi urban kanë përmasat e bashkive, formalisht mbeten ende komuna”, gjë që do të thotë se statusi i tyre duhet përmirësuar, duke i ngjitur një kuotë më lart, sipas kontekstit shqiptar, ani se komunë dhe bashki mbase vetëm te ne, po të shprehemi në mënyrë të figurshme, thonë dy gjëra të ndryshme të së njëjtës gjë.
Propozimi na duket me vend, katër njësitë e sipërthëna e meritojnë të kthehen në bashki, pasi për vetë pozitën dhe progresin e tyre ato janë shndërruar në pika kyçe apo nyje të zhvillimit rajonal aty ku ndodhen. Paskuqani është një nga bastionet e reja të rëndësishme të kryeqytetit shqiptar, i populluar mjaft në njëzet vjetët e fundit me të ardhur nga zonat e thella dhe një bashki në periferi të Tiranës do të bënte shumë për qytetërimin dhe urbanizimin e asaj zone. Miloti ka pasur gjithashtu një zhvillim të ndjeshëm këto vite, duke konkurruar me Laçin fqinj, aq më tepër që prej një viti përshkohet nga autostrada Durrës-Kukës, që ia shton dhe më shumë mundësitë e zhvillimit. Shëngjini, si porti i vetëm i Veriut (i përfolur dhe si porti i mundshëm i Kosovës) mbase me kohë duhej të kishte një status më lart, pasi Lezha si qark dhe me gjerë i ka sytë pikë së pari nga deti (Pa thënë se dhe Velipoja ngjitur, për shkak të plazhit të pashfrytëzuar plotësisht dhe potencialit turistik të pazakontë, duhej të kishte një status tjetër nga ky i tashmi.) Bushati është po ashtu një zonë e begatë për zhvillim, me 25 mijë banorë, me përparësi për të qenë njësia e parë vendore në Qarkun e Shkodrës me rrugë të asfaltuara, me një hidrocentral në ndërtim etj. Kjo nuk do të thotë se mund të gjenden argumente kësisoj për çdo komunë që dëshiron të veshë një pallto më të madhe se ajo që ka, teksa mund të ketë tek-tuk dhe ndonjë bashki që ka rënë nga treguesit e ku për këtë arsye duhej të kishte zbritur nga rangu ku është.
Por nuk është ky problemi kryesor që ka vendi në këtë fazë, për sa i përket reformës administrative. Problem është se ka mbetur në vend një projekt i dhjetë vjetëve më parë për të bërë reformën administrative-komunare, dhe për pasojë Shqipëria ka sot 65 bashki e 308 komuna, për një popullsi që nuk shkon te 4 katër milionë banorët, ku një të tretën e saj e ka Bashkia e Tiranës. Ndërkohë, kanë mbetur si nocion dhe 36 rrethet, që zor se thonë ndonjë gjë për t’u shënuar në strukturën e sotme organizative-administrative. Askush nuk mund të thotë se çfarë kupton saktësisht dikush, kur ti i thua për shembull: Rrethi i Shkodrës apo Rrethi i Gjirokastrës. Vetëm arsimi, policia, një pjesë e shëndetësisë, kanë organizim në shkallë rrethi, ndonëse dhe këto me njëfarë përqendrimi kompetencash në qendrat e qarqeve; si dhe prokuroria e gjykata, të cilat në disa rrethe janë shkrirë. Shkurt, në jetën e komunitetit ndihen disa bashki e komuna kryesore, me shumë banorë, projekte dhe investime, kurse jo pak të tjera janë harruar se ekzistojnë.
Nisma për kthimin e katër komunave në bashki, për t’u miratuar në Parlament kërkon një shumicë të cilësuar votash, pasi kemi të bëjmë me një ndryshim të ndarjes administrative të vendit, gjë që do të thotë që projektligji të miratohet me dy të tretat e Kuvendit, ose 93 deputetë. Por kjo nuk ka gjasë të ndodhë në një kohë kur opozita e frekuenton Parlamentin me “herë po, herë jo”, duke mos votuar asnjë prej ligjeve që kërkojnë shumicën e cilësuar. Ndërkohë që si opozita, si pozita, dikur kanë qenë shprehur në favor të një ndryshimi të madh për sa i përket reformës administrative.
Zgjedhjet e ardhshme sapo janë dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe duket aq e pamundur që kjo reformë e mbetur në sirtarët e politikës të kryhet në 6-7 muaj, për më tepër në një situata të tillë mosmirëkuptimi politik qysh nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Por a duhet të mbetet peng i këtij qëndrimi një reformë kaq e domosdoshme? A ka kuptim që Shqipëria të ketë luksin e kaq shumë njësive të pushtetit vendor, kur komuna të tëra nëpër zonat malore kanë vetëm emrin në hartën elektorale, vulën dhe kryetarin me një shpurë nëpunësish? Komuna me administratë të fryrë dhe numër të papërfillshëm banorësh. Askujt nuk i lejohet të bëjë qorrin lidhur me këtë gjendje, që mbartet nga fushata në fushatë, pra të lihen ende në këmbë këto “ngrehina” të zbrazura nga banorët, që vit për vit kërkojnë buxhet e investime. Ky vend, që po përballet dhe me krizën ekonomike, nuk ka nevojë për kaq shumë “zotërinj” vendorë, me poste e favore, por jo dhe njerëz që t’u shërbejnë. Është koha e zhvillimit rajonal, i projekteve të gjera që ngërthejnë hapësira të mëdha dhe jo i copëzimit administrativ dhe investimeve.
Dy shefat kryesorë dhe pothuajse të vetëm të politikës, Berisha dhe Rama, u morën vesh pa zhurmë për reformën zgjedhore, duke i çuar në zero partitë dhe partizat politike, gjë që do të thotë se kur është vullneti i të mëdhenjve “nuk ka kala që nuk marrin... demokratët e socialistët”. Por për selitë, rozë e blu, ka gjasë që problemi numër një i këtij momenti elektoral të jetë Bashkia e Tiranës. Beteja për Tiranën duket se do të jetë beteja “heroike” e politikës dhe në këto zgjedhje. Tirana është ajo që nuk lejon pikën e vëmendjes për të parë në komunat fiktive, ku gërshërët duhej të kishin rënë me kohë. Është sigurisht e gabuar dhe e pandershme motua e pashqiptuar, por e nënkuptuar: “Tirana është Shqipëria”. Vetëm në logjikën e një politike të pangopur me pushtet, kjo lloj parulle e heshtur ka si me thënë “përligjje”. Tirana, me gjithë rëndësinë e pamohueshme si kryebashkia e vendit, është veçse Tirana. Tejfryrja elektorale, për sa i përket bashkisë së kryeqytetit, është e lidhur jo dhe aq me faktin e thjeshtë se kush do të kryejë më me cilësi ndërtimet në këtë apo atë rrugë tiranase, në sheshin “Skënderbej” a ndokund tjetër, kush do t’i lyejë më hijshëm fasadat etj., por kush do ta dominojë politikisht e ekonomikisht kryeqytetin, mbase për dikë-dikë dhe se kush do t’i ngjisë pallatet më lart!...
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.