20161229235206623646Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në emisionin Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Kosova në vitin 2017 si prioritet e ka aplikimin për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian.


Duke folur për këtë aplikim, Hoxhaj ka thënë se sivjet Kosova ka miratuar agjendën evropiane të reformave, në të cilën janë 17 prioritete. Nëse Kosova përfundon me sukses këto 17 prioritete, atëherë i jepet rrugë për aplikimin për statusin e kandidatit.


“Në vitin 2017 duhet të jetë prioritet i ynë që të aplikojmë për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Natyrisht se kërkon punë. Disa herë ia kam thënë Mogherimit dhe Hahnit, në fund të këtij viti kemi miratuar agjendën evropiane të reformave. Aty janë 17 prioritete. Unë jam i mendimit që Qeveria, Kuvendi i Kosovës, mediat dhe institucionet tjera duhet t’i kryejnë këto 17 prioritete në vitin 2017. Nëse kjo ndodhë atëherë na shtrohet cili është shpërblimi? Çka marrim?”  ka thënë Hoxhaj.


“Qëllim strategjik për qytetarët e Kosovës është liberalizimi i vizave, derisa qëllim për shtetin e Kosovës është aplikimi. Kjo duhet të ndërlidhet edhe në agjendën e Kosovës në bisedimet me Serbinë. Kosova nuk duhet të bëjë kompromise nëse nuk shpërblehet në rrugën europiane”, ka shtuar ai.


Hoxhaj ka shtuar se procesi i anëtarësimit mund të zgjasë dy deri në tre vjet. Hoxhaj ka thënë se Kosova ka bërë një studim të fizibilitetit, i cili ka sqaruar në detaje rrugët, mënyrat dhe procedurat e anëtarësimit në KE. Ai ka thënë se Kosova deri më tani nuk ka anëtarësuar shkaku i vendeve që nuk kanë njohur Kosovën, të cilat kanë udhëhequr me Këshillin.


30 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)