Ag APOLLONI



Kritika e variantit (variantistika) në Itali dhe, më vonë, kritika gjenetike në Francë ndikuan që gjatë viteve ’70 të përgatiten studiues të interesuar për gjenetikën e teksteve. Kritika e variantit është formulim i studiuesit italian Gianfranco Contini, i cili nga vitet ’30 – ’90 të shekullit të kaluar, është marrë me studime filologjike, gjë që e ka kushtëzuar metodën mbi dorëshkrimet. Ndërsa termi kritikë gjenetike përdoret për herë të parë në vitin 1979, kur u publikua libri Ese të kritikës gjenetike, me pasthënien e titulluar Kritika gjenetike: origjina dhe perspektivat nga Louis Hay. Një nga këto nisma serioze është edhe ajo e vitit 1982 kur në Paris formohet Insituti i Teksteve dhe Dorëshkrimeve Moderne, që “desakralizon” autorin, duke mos e parë veprën e tij vetëm si të kryer, si tekst, por duke ia njohur edhe procesin e krijimit dhe, eventualisht, të përkryerjes, pra shkrimin. Kështu, studiuesit kalojnë nga autori te shkrimtari, nga shkrimtari te skriptori. Ata nuk e pranojnë veprën si të rënë nga qielli në formë definitive, por si një përpjekje të vazhdueshme kreative, e cila deri te forma e botimit mund të ketë pasur disa versione a variante. Kritika gjenetike nënkupton një objektiv të ri të studimit: jo vetëm tekstin, por edhe shkrimin, jo vetëm rezultatin, por edhe procesin (Hay, 2002: 99). Ajo është një lloj shartimi i filologjisë me kritikën, por nuk mjaftohet me kritikën tekstuale, pra as me përcaktimin e Ur-Tekstit (tekstit të parë), ngaqë shkon përtej, duke analizuar shënimet në margjina si dilema të autorit, apo si përmirësime. Analiza e tillë e dorëshkrimit quhet gjenetikë tekstuale, por nuk pretendon të njihet si teori. Qasja gjenetike e saj dëshmon se manuskripti është një manufakturë (punishte). Ajo përdor mjete nga semiotika, linguistika, psikanaliza, narratologjia etj., jo për të treguar pse, por për të dëshmuar si është krijuar teksti. Kritika gjenetike zbulon: metodën, karakterin dhe evoluimin e shkrimtarit, censurën e shtetit, autocensurën etj. Megjithatë, ajo nuk është kritikë pozitiviste, pasi që nuk e kërkon jetën e autorit, por jetën e veprës, duke analizuar draftet e dorëshkrimit.

Ndonëse ende nuk ka një manual për manuskriptin (dorëshkrimin), kritika gjenetike, nëpërmjet analizave të shumëfishta, tashmë ka arritur ta qartësojë objektivin e vet duke iu përgjigjur pyetjes: si është formuar teksti, apo edhe si është transformuar teksti?

Gjenetika sot mund të kuptohet si një poetikë proteike, apo poetikë e procesit, sepse evidenton ndryshimet e vazhdueshme. Ajo zbulon metodën e autorit, duke evidentuar shtresat e shkrimit dhe fazat e korrektimit, përfshirë këtu intervenimet në brendi dhe në margjina të tekstit: shtesa dhe heqje fjalësh, viza orientuese të bëra me dorë, përmirësime gabimesh etj.

Kritika gjenetike fillon me dosjen gjenetike, ku përfshihen: draftet, fletoret, evidencat etj., të cilat tregojnë sesi është prodhuar teksti.

Mirëpo, derisa ndryshimi i drafteve është punë për të cilën lexuesi mund të mos shqetësohet (sepse, tek e fundit, secili autor shkruan e shkarravit si të dojë para se ta botojë librin), ndryshimi i tekstit të publikuar zgjon interesimin e secilit lexues. Prandaj, krahas historisë së dorëshkrimit, ekziston edhe historia e botimit të një vepre. Të dyja krijojnë historinë e varianteve të veprës. Dihet që veprat e antikës dhe të mesjetës kanë ardhur në kohën tonë jo si origjinale, por si variante të servuara nga skriptorë të kohëve të ndryshme. Por historia e botimit, e tillë çfarë i intereson gjenetikës, bëhet çështje studimi vetëm nëse në botime të ndryshme ka intervenime brenda tekstit, ngaqë dihet se të gjithë autorët, para se t’i botojnë veprat, i korrigjojnë, i shkurtojnë, i zgjerojnë, i përmirësojnë, mirëpo janë të rrallë ata që i përpunojnë librat edhe pas botimit. Në letërsinë botërore për përpunime të shumta të dorëshkrimeve njihen Goethe, Gogol, Flaubert etj., kurse për intervenime nëpër ribotime njihen: James Joyce, Scot Fitzgerald etj.

Ndërsa në letërsinë shqipe shembullin përfaqësues të ndryshimeve të tilla, qoftë në dorëshkrime, qoftë në ribotime, e gjejmë tek Ismail Kadare. Madje, për Gjeneralin e ushtrisë së vdekur më e rëndësishme është historia e botimit sesa ajo e dorëshkrimit (i cili sipas Helena Kadaresë në “Kohë e pamjaftueshme”, rezulton i humbur), pasi që të gjitha ndryshimet e bëra (shtesat dhe heqjet) në dorëshkrime, Kadare i ka publikuar nëpër variante të ribotimeve, jo pse nuk mund ta korrigjonte njëherë e mirë dorëshkrimin, por pse gjithmonë pas botimit i duket sikur nuk i ka thënë të gjitha, ose nuk i ka thënë në mënyrën që ka dashur: Ndonjëherë nuk ndjehem i kënaqur plotësisht. Prandaj rishkruaj një variant të dytë, pas botimit. E ndiej që është i nevojshëm një variant i dytë, por pres që libri të botohet njëherë (Faye, 2007: 45).

Kjo flet për një praktikë krejt ndryshe nga ajo e Flaubert-it, i cili bënte shumë përmirësime nëpër dorëshkrime, por pasi e botonte librin, nuk e prekte më. Kur bëhet fjalë për Gjeneralin, Kadare tregon se është shumë i lidhur me të, sepse ai i jep mundësi të vazhdueshme për intervenime: Ndoshta do t’ju duket e çuditshme, por kam përherë dëshirën t’i rikthehem romanit tim të parë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ndonëse e kam ripunuar disa herë tashmë. Ndoshta nuk i kam shfrytëzuar ende të gjitha mundësitë (Faye, 2007: 45-46).

Duke analizuar Gjeneralin, nga viti 1962 deri 1998, mund të shihet fare qartë se shkrimtari ka përdorur teknikën e amplifikimit. Tregimi bëhet roman, mandej romanit i shtohen edhe 100 faqe. Që amplifikimi ishte shndërruar në fiksim të autorit, këtë e dëshmon edhe vetë Helena Kadare, duke treguar se ai e filloi punën për zgjerimin e tregimit, kështu që pas tri javësh e dha dorëshkrimin e ripunuar për daktilografim dhe pa që tregimi kishte dalë njëqind e pesëmbëdhjetë faqe, gjë që e nxiti të shtojë edhe tridhjetë ose dyzet faqe të tjera, në mënyrë që me ndërgjegje të qetë ta quante roman (H. Kadare, 2011: 101). Mirëpo, autori kishte rënë viktimë e manipulimeve të daktilografistëve, prandaj ai edhe pse shton faqe, gjatë daktilografimit romani i zvogëlohet: Zhgënjimi prej daktilografimit ishte katastrofik. Dorëshkrimi i mëparshëm prej 115 faqesh, jo vetëm që nuk kishte arritur aq sa kujtonte e shpresonte ai, por ishte tkurrur në 90 faqe (H. Kadare, 2011: 103). Pasi autori e merr si kriter zhanri numrin e faqeve, vendos ta realizojë ëndrrën e tij për ta bërë tregimin roman. Atëherë i lind ideja për ta shkruar historinë e ushtarit dezertor të cilën e jep në formë ditari. Gjithashtu, shton edhe nja 20 faqe të tjera nëpër kapitujt tjerë dhe puna merr fund (H. Kadare, 2011: 104).

Edhe pse në vitin 2011 Ismail Kadare deklaroi publikisht se nuk do të shkruante më romane, kjo nuk domethënë se ai ka hequr dorë nga përpunimet e veprave të tij. Këtë mënyrë të intervenimit kritika shqiptare nuk e ka analizuar asnjëherë sa dhe si duhet, madje ndonjë studiues krijimin e varianteve e ka parë si shenjë të papjekurisë së autorit, duke harruar që, siç thotë Tanselle, jostabiliteti tekstual kushtëzohet nga idealizmi editorial (Tanselle, 1996: 60).


Versione dhe variante


Historia e letërsisë njeh mjaft shembuj të ndryshimit të veprave të periudhave të ndryshme. Por, kritika gjenetike kryesisht merret me vepra të shkruara nga shekulli 17 e këndej, pasi që më herët mungonte kujdesi i arkivimit të drafteve. Ndryshimet si ato në dorëshkrimet e Flaubert-it e Fitzgerald-it janë të natyrës artistike, mirëpo ka edhe raste kur censura imponon ndryshimet, si, për shembull, Tartufi, fundi i të cilit u imponua nga censura oborrtare, apo Vuajtjet e djaloshit Verter, për ribotimin e të cilit Goethe, duke kuptuar që kishte shkaktuar një valë vetëvrasjesh, shkroi dy strofa ku i porosit lexuesin të mos ndjekin fatin e Verterit.

Intervenimet zakonisht janë dy llojesh: ideologjike dhe artistike. Intervenimet ideologjike kushtëzohen nga censura politike, ose nga evoluimi intelektual i shkrimtarit, rrjedhimisht nga ndërrimi i bindjeve politike, ndërsa ato artistike imponohen nga vetë shkrimtari, i cili, pas një kohe, falë leximit, njeh më shumë praktika të shkrimit dhe përvetëson ide të cilat vendos t’i zbatojë në romanin tashmë të botuar për ta bërë më interesant në raste ribotimi. Sipas shkallës së intervenimit, tekstet e ndryshuara ndahen në variante (retushime të lehta) dhe versione (amplifikime, ose retushime të thella). Varianti karakterizohet nga intervenime të natyrës linguistike dhe stilistike, pra përfshin kryesisht dekorin, kurse versioni nënkupton intervenime më të thella në planin ideologjik dhe atë artistik.

Gjenerali ka tri versione që publikohen gjatë viteve 1962, 1963 dhe 1967. Fillimisht publikohet si tregim, pastaj si roman, për t’u botuar prapë si roman, por pothuajse dyfish më i madh. Këto të tria janë versione, sepse janë amplifikime të mëdha, ose shërbejnë si bazë për amplifikim (tregimi rritet e bëhet roman, pastaj romani rritet thuajse dhe një herë aq). Janë edhe dy variante: 1971 dhe 1998. Varianti i parë shton nja njëzet faqe, varianti i dytë përmban intervenime drejtshkrimore, intervenime ideore, stilistike dhe linguistike, shton dhe heq fragmente dhe ndonjë kapitull. Ndërsa prekje të lehta (por jo aq sa për t’u konsideruar variante) në përdorimin e shenjave të pikësimit, ka edhe në botimin e vitit 2001 dhe 2007. Botimet e tjera janë thjesht ribotime pa intervenime. Si tregim botohet edhe dy herë të tjera në revista: Zëri i Rinisë (Tiranë, 1962) dhe Jeta e Re (Prishtinë, 2011), si dhe një herë në format libri (“Om”, Prishtinë, 2012). Si roman, në Prishtinë është botuar e ribotuar vetëm versioni i vitit 1967, përjashto botimin e “Kohës”, që është ribotim i variantit 1998. Versioni i vitit 1967 edhe në Tiranë ribotohet më 1968. Pra, versioni i vitit 1967 ka qarkulluar më së shumti në hapësirën shqiptare, ndërsa në shekullin e ri qarkullon më shumë varianti i vitit 2001.

Gjenetika dhe variantistika tregojnë që Gjenerali i ushtrisë së vdekur është vepra më proteike e Ismail Kadaresë, i cili nga viti 1962 e deri sot, nuk ka hequr dorë nga intervenimet në të. Përpunimi i Gjeneralit është, siç do të thoshte Horaci, një punë me limë (labor limae) që udhëhiqet nga dëshira e autorit për ta përkryer veprën.


BIBLIOGRAFI

George T. Tanselle, Textual Instability and Editorial Idealism, “Studies in Bibliography”, XLIX, 1996.

Helena Kadare, Kohë e pamjaftueshme, Onufri, Tiranë, 2011

Éric Faye, Tri biseda me Kadarenë, Onufri, Tiranë, 2007

Louis Hay, La litterature des ecrivains. Questions de Critique Genetique, Paris, 2002