Brazili i dha një leksion të vërtetë futbolli Argjentinës në garën kualfiikuese të Rusi 2018 që u zhvillua në “Belo Horizonte”. “Selecao” fitoi me rezultatin e thellë 3-0 duke e vënë seriozisht në diskutim avancimin e “bardhekaltërve” për të cilët ky ishte rezultati i katërt radhazi pa fitore.
Duelin mes dy “yjeve” të Barcelonës e fitoi Nejmar, me Mesin që nuk mundi të bënte asgjë përballë rivalëve historikë. Një mbrëmje jo edhe për Higuain, i cili vazhdon të jetë në hije kur luan me kombëtaren, ndonëse te Juventusi është një ndër pikat më të forta të skuadrës.
Brazili kaloi në avantazh në minutën e 24-rt me Coutinhon, i cili pas një kotrolli të bukur të topit goditi saktë nga rreth 18 metra, duke mposhtur portierin Romero.
Tentativat e Mesit ishin shumë pak për të rreizkuar portën e Selecoas, që u shfaq një makineri e pamëshirshme. Nejmar në të 38-ën u ndal nga shtylla, por ylli i Barcelonës nuk mund të gabonte përballë Romeros në kohën shtesë të pjesës së parë, pas pasimit të saktë të Gabriel Jesus.
Në pjesën e dytë Argjentina e humbet toruan. Skuadra e Edgardo Bauzas nuk ka forcë, karakter dhe ide për t’u kthyer në lojë. Goditjen përfundimtare Brazili e dha në minutën e 59-të me Paulinhon, i asistuar në këtë rast nga Renato Augusto.
Edhe pas këtij momenti rastet më të pastra i pati Brazili, megjithatë rezultati mbeti ai i minutës së 59-të. “Selecao” mbetet e pathyeshme në shtëpi në sfidat eliminatore të historisë së botërorit, duke qenë shumë pranë kualifikimit në “Rusi 2018”, ndërsa Argjentina e Mesit duhet të bëjë më të mirën në takimet e mbetura nëse dëshiron të jetë pjesë e 4 ekipeve më të mira të Amerikës së Jugut.
11 nëntor 2016 (gazeta-shqip.com)