cako-655x356Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, së bashku me drejtorin e përgjithshëm për sigurinë publike Altin Qato dhe drejtues të tjerë të policisë pritën në një takim oficerët ndërlidhës policorë të atashuar në vendin tonë dhe drejtuesit e misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit.


Ky takim vjen si rezultat i një standardi të ri komunikimi dhe bashkëpunimi të vendosur kohët e fundit nga Policia e Shtetit, për të informuar në mënyrë periodike dhe transparente partnerët, në lidhje me gjithë veprimtarinë e strukturave të Policisë së Shtetit.


Takimi i sotëm është përqendruar mbi masat dhe rezultatet e policisë në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.


Koordinatori i Policisë së Shtetit për misionin e fluturimeve bëri një prezantim të detajuar në lidhje me masat dhe zbatimin e misionit të fluturimeve për zbulimin e parcelave me kanabis me avion të posaçëm të Guardia di Finanza dhe Universitetit të dytë të Napolit.


“Këtë vit janë arritur rezultate mbresëlënëse të shkatërrimit të sipërfaqes së identifikuar nga misioni italian i fluturimeve.  Për t’u theksuar është fakti se në dy fluturimet e fundit të Guardia di Finanza nuk janë gjetur më parcela të mbjella me kanabis, duke dhënë një dëshmi të pakundërshtueshme në lidhje me ndërhyrjet e Policisë së Shtetit në terren”, njofton policia.


Qato ka bërë prezent për të pranishmit rezultatet e deritanishme në këtë fushë, ku sipas tij këtë vit ndryshe nga vitet e tjera, me kërkesë të Ministrit Tahiri, monitorimi nga ajri është bërë në të gjithë vendin, duke shtuar edhe orët e fluturimit.


“Gjithë rezultatet tregojnë për një angazhim total të Policisë së Shtetit, për një kontroll shumë herë më të mirë, për një rritje rreth 5 herë më shumë të operacioneve në terren, për ndihmesën e madhe të dhënë nga ICITAP për GPS për të gjetur koordinatat e dhëna nga monitorimi ajror, për shtim të orëve të fluturimit të avionit të Guardia Di Finanza duke monitoruar jo më zona me risk, por të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, theksohet në komunikatën zyrtare.


21 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)