kukesPolicia e Kukësit ka finalizuar me sukses operacioni i koduar “Eskorta” në kuadër të të cilit janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, për  veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, në bashkëpunim”.


“Më datë 20.09.2016, nga shërbimet të Sektorit për Hetimin e Narkotikëve & Trafiqeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, u finalizua me sukses operacionin policor “Eskorta”, kundër kontrabandimit të personave nga Shqipëria në drejtim të Kosovës duke i kaluar nëpërmjet kufirit të gjelbër me Kosovën, me destinacion BE. Në këtë kuadër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Edmont Alishallari, 37 vjeç, banues në Tiranë; Armand Mehmet, 45 vjeç, banues në Tiranë; Aleksandër Lata, 31 vjeç, banues në Tiranë.


Arrestimi i shtetasve u bë pasi nga shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve,  në D.V.P. Kukës, në vendin e quajtur “Rruga e  Kombit”, në dalje të tunelit të Kalimashit, me drejtim levizje Tiranë -Kukës, shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri- tjetrin, janë kapur në flagrancë, duke transportuar 19 shtetas të dyshuar afganë,  me automjetet e tyre autovetura taksi, tip “Skoda” me targa AC837T, “Mazda” me targa AC 357T dhe “Opel-Astra” me targa AC 869 T, të cilët  nëpërmjet kufirit të gjelbër do t’i kalonin në Kosovë, kundrejt fitimit”, sqaron policia.


Materialet hetimore do t’i kalojnë  hetime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Kukës, për  veprën penale” Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, në bashkëpunim”.


21 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)