koco-gliozheniProkuroria e Tiranës pritet të kërkojë në gjykatë masën e sigurisë “arrest ne burg” me afat 45 ditë, për dy mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”. Ata akuzohen nga familjarët e 35-vjeçares Aida Çajku për mjekim të pakujdesshëm.


Organi i akuzës pritet të kërkojë masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 45 ditë, për dy mjekët Dritan Decka dhe Helidon Klosi, deri në pritje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor.


Dy mjekët primarë në materniteti “Koço Gliozheni” u ndaluan mbrëmjen e së shtunës, pasi nga hetimet u konstatua neglizhencë dhe mjekim i pakujdesshëm i gruas shtatzënë.


Në deklarimet e para dhënë para hetuesve, mësohet se 2 mjekët kanë thënë se ata kanë kryer detyrën dhe kanë zbatuar procedurat që ndiqen në të tilla raste. Gjithashtu ata janë shprehur se duke dyshuar se pacientja e ndjerë vuante nga zemra, kanë vendosur ta dërgojnë për vizitë tek një kardiolog në QSUT.


Por, për grupin e hetimit ky është një moment kritik gjatë zhvillimit të ngjarjes, pasi mjekët kanë gabuar duke rënduar gjendjen shëndetësore të pacientes. Sipas procedurave, ajo nuk duhet të lëvizte por duhet të thirrej mjeku kardiolog të vizitonte në maternitet.


19 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)