Ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare ish-Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça. Lajmi është dhënë nga familjarët dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Haxhi Selimi ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Tiranë në moshën 80 vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, prej së cilës vuante prej kohësh.
Haxhi Selim Muça, do të mbahet mend si drejtuesi që e reformoi KMSH dhe punoi shumë për bashkësinë islame shqiptare. Ai ndërmori hapa konkretë për institucionalizimin e punës së KMSH në mbarë vendin dhe për gjallërimin e jetës shpirtërore të besimtarëve myslimanë.
Gjithashtu ai do të kujtohet e vlerësohet për frymën e tij përherë pozitive dhe prioritetin që i jepte dialogut, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri dhe të gjitha hapësirat e banuara nga shqiptarët në Ballkan.
Haxhi Selim Muça e drejtoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për dhjetë vite (2004-2014) dhe me gjithë pengesat e moshës dhe të shëndetit, ai punoi dhe u angazhua deri ditën e fundit në mbështetje punës së KMSH. Si një bashkëshort shembullor, baba dhe gjysh i dashur, ai la pas bashkëshorten e tij Zisën dhe tre fëmijët, Arjanin, Almën dhe Ermalin.
18 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)