Lajmi i uljes së një avioni të vogël në zonën e Ishmit në Durrës, ku dyshohet se ka testuar terrenin për të transportuar drogë në të ardhmen, nuk është lënë pa u përcjellë nga shtypi italian.
Në të vërtetë piloti italian i cili ishte nisur nga Bari duke kaluar mbi bregdetin shqiptar, ka deklaruar para prokurorëve se pas një muaji do të rikthehej për të ngarkuar 200 kilogramë hashash.
Sipas së përditshmes italiane “La Repubblica”, piloti Guido Andrea Guidi dyshohet se ka lidhje me klanet kriminale të trafikut të drogës dhe armëve, me trafikimin e tyre me avionë përmes pistave sekrete në provincat e Barit e Brindizit.
Prestigjiozja italiane thekson se avioni i vogël tip “Piper” është ulur për shkak të një defekti shumë larg zonave të banuara në një vendpushim që ndodhej 30 kilometra larg kryeqytetit shqiptar.
“La Repubblica”, duke iu referuar shtypit shqiptar, shkruan se avioni është detyruar të bëjë një ulje emergjentë, ku i është këputur edhe njëri krah nga përplasja me ambientin. Gazeta shton se ndaj Guidit nuk është marrë asnjë masë sigurie për momentin, por se po vijon të pyetet nga prokurorët shqiptarë.
16 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)