flamur-noka-1-1Shtabi Elektoral i kandidatit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” denoncoi, sipas tyre, presionin që po ushtrohet nga funksionarë dhe militant të Partisë Demokratike në Bashkinë e Dibrës.


Sipas ASHE, gjatë natës së kaluar, deputeti Flamur Noka, shoferi i tij dhe militant të tjerë të kësaj force politike kanë ngritur postblloqe në zonën e Maqellarës duke kontrolluar automjetet dhe dhunuar qytetarët.


Gjatë kësaj kohe, thuhet në reagimin e ASHE, ka kaluar në këtë zonë shtetasi Artan Isaku i cili ka rënë pre e kësaj dhune fizike të ushtruar nga deputeti Noka dhe personat që e shoqëronin.


“I bëjmë thirrje Partisë Demokratike që të heqë dorë nga skenari për të përbaltur dhe prishur procesin zgjedhor.


Kërkojmë nga organet e drejtësisë që të hetojnë dhe vënë para përgjegjësisë ligjore çdo person që ushtron presion ndaj zgjedhësve dhe tenton të prishë procesin zgjedhor”, thuhet në deklaratën e Aleancës për Shqipërinë Europiane (ASHE).


11 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)