Johannes-HahnKomisioneri i BE-së Johannes Hahn, tha se është i paqartë afati kohor për liberalizimin e vizave për Kosovën, sepse ende varet nga vendimet e saj.


Hahn tha se kushti i Kosovës për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk është përmbushur dhe ritheksoi qëndrimin se tani çdo gjë varet nga vetë Kosova.


Komisioneri Hahn theksoi se në krahasim me Kosovën, dy vendet e tjera në paketë, Gjeorgjia dhe Ukraina, i kanë përmbushur të gjitha kushtet dhe pritet që në vjeshtë të marrin dritën e gjelbër për liberalizim të vizave.


Komisioneri Hahn ripërsëriti qëndrimin se Kosova duhet të përmbushë kriteret e përcaktuara, mbi të gjitha ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi, për të hapur rrugën për liberalizim të vizave.


“Kjo çështje tani varet nga vetë Kosova. Sepse, një nga standardet e rëndësishme është që të zgjidh këtë ‘konflikt’ të kufirit me Malin e Zi. Ka një marrëveshje me Malin e Zi që prej gushtit të vitit të kaluar. Mali i Zi e ka miratuar legjislacionin e nevojshëm nga ana e tij dhe ne ende po presim që të ketë hapa ligjorë edhe nga pala e Kosovës. Mendoj se do të duhej të ishte votuar (të enjten), por është pezulluar pa një datë të re të caktuar. Prandaj tani vërtetë ju takon kosovarëve që ta zgjidhin këtë. Ky është një kusht që ne nuk mund ta tejkalojmë dhe tani varet nga ta. Nëse kjo zgjidhet ashtu siç duhet, atëherë do të ketë një raport pozitiv nga ana jonë, pra nga Komisioni. Pastaj I takon Këshillit Europian dhe Parlamentit Europian të marrin vendime të nevojshme”, tha komisioneri Hahn.


4 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)