14202587_577118289142892_2117233345252424053_nNjë buxhet prej 600 mijë eurosh, i cili do investohet për rehabilitimin e poliklinikës së qytetit të Peshkopisë, pritet të sjellë një shërbim më cilësor për pacientët që do t’i drejtohen shërbimit parësor.


Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë një vizite pune që ka kryer në këtë qytet, ka folur mbi investimet që pritet të nisin përgjatë muajit të ardhshëm si në poliklinikën e qytetit, sistemin e urgjencës, ashtu edhe në qendrat shëndetësore të rrethinave.


Kreu i shëndetësisë ka pohuar se me fondin prej 600 mijë eurosh do të bëhet i mundur rikonstruksioni total i poliklinikës dhe më pas faza e dytë e pajisjes me aparatura.


“Ndërkohë, një tjetër lajm i mirë që lidhet me kujdesin shëndetësor, në këtë rast është spitalor por është vijimi i sistemit të referimit nga ju tek mjeku i familjes në poliklinikë. Të hënën e ardhshme, është gara publike për rikonstruksionin e poliklinikës së spitalit të Dibrës. Janë 600 mijë euro ku parashikohet një rehabilitim me themel i Poliklinikës. Pastaj, do të shoqërohet me një tjetër mundësi, paratë janë të siguruara, me 400 mijë euro pajisje për Poliklinikën e spitalit të Dibrës”, është shprehur Beqaj.


Sipas kreut të shëndetësisë, “kjo do të thotë që kemi një poliklinikë shumë më të mirë dhe pastaj, hapësira që zë sot poliklinika në spital do të krijojë mundësitë që të zgjerojmë dhe shërbimin e gjinekologjisë”.


Por këtë javë, sipas ministrit Beqaj, do të nisë edhe riorganizimi i sistemit të organizimit dhe funksionimit të shërbimit të urgjencës mjekësore në Bashkinë e Dibrës, ku të gjitha autoambulancat nuk do të jenë më të stacionuara vetëm pranë spitalit të qytetit, por edhe në shumë pika të tjera, në mënyrë që të shkurtohet koha e mbërritjes së urgjencës drejt spitalit. “Siç jeni njoftuar, nga java e ardhshme, edhe shërbimi i urgjencës, kalon në një nivel të ri në të gjithë Dibrën. Autoambulancat nuk do të jenë më të stacionuara vetëm në spital, por të paktën nga mëngjesi deri në darkë, do të vendosen në disa pika të territorit të bashkisë që të paktën të kursejmë kohën e vajtjes së një urgjence”, pohoi Beqaj.


4 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)