Partia demokratikePartia Demokratike, me anë të një deklarate për mediat thekson se ish-deputeti Arben Ndoka me mbështetjen e Edi Ramës është vënë në krye të Federatës së Mundjes. Sipas PD-së, Edi Rama po konfirmon në sytë e mbarë shqiptarëve se krimi, trafiku, prostitucioni janë zgjedhja e tij.


Deklarata e PD-së


Edi Rama po konfirmon në sytë e mbarë shqiptarëve se krimi, trafiku, prostitucioni janë zgjedhja e tij. Edi Rama ka dërguar zyrtarët e tij për të legalizuar Arben Ndokën, i dënuar për prostitucion dhe rrëmbim personi, si kreun e Federatës së Mundjes.


Pasi ka hequr me dhunë dy zonja nga lista e Lezhës për të futur trafikantin në Parlament, pasi ka refuzuar revoltën e shqiptarëve, pasi ka injoruar Departamentin Amerikan të Shtetit që e përmendi me emër si turp te Shqipërisë, Edi Rama sërish ndan pushtet dhe privilegje me Arben Ndokën. Edi Rama nuk i dha Arben Ndokës thjesht një federatë sporti, por i dha sërish lejen për të bërë atë që ai di të bëjë, dhunimin e votës, presionin ndaj qytetarëve, sundimin mbi ligjin.


Edi Rama dëshmoi sërish se e vetmja alternativë e tij është krimi, trafiku, droga. Qytetarët në mbarë vendin janë të neveritur nga Edi Rama dhe aleanca e tij me krimin. Edi Rama dhe trafikantët e tij do të marrin përgjigjen e merituar ditën më të parë që do të përballen me fuqinë e sovranit, me votën e popullit.


28 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)