Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet e Lungomares në Vlorë. Sipas Ramës, kjo është një vepër shumë komplekse, por volumi i jashtëzakonshëm i punës do të japë një rezultat fantastik.
Rruga Transballkanike me gjatësi 3.7 kilometra, që fillon në superstradën Vlorë-Fier është një segment strategjik në infrastrukturën e qytetit. Ajo i jep Vlorës një hyrje moderne. Projektet e tjera qe janë inspektuar ishin unaza e re e qytetit dhe shëtitorja në vijën bregdetare. Kryeministri u ndal në çdo kantier pune të hapur përgjatë 5 kilometrave të saj.
“Kjo është një vepër shumë komplekse me shumë detaje në punime inxhinierike të jashtëzakonshme për shkak të gjithë problematikë të kanalizimeve që deri dje derdheshin në det, të përmbytjeve që vinin si rezultat i mungesës së kanalizimeve normale dhe mbi të gjitha i domosdoshmërisë për ta transformuar në një vijë bregdetare të standardeve më të lartë të Mesdheut.
Unë jam i bindur që i gjithë ky volum i jashtëzakonshëm pune do të japi rezultat fantastik dhe gjithë ata që nga padurimi lëshojnë romuze dhe fjalë të nxituara kur të mbarojë kjo punë do të thonë që unë skam thënë gjë, unë e dija që do të dilte bukur, e ka thënë dikush tjetër s’kam qenë unë. Ajo që ka rëndësi është që të ecim me ritëm dhe me cilësi shumë të lartë dhe këtu përftohen hapësira spektakolare që deri dje ishin ose të bllokuara nga ndërtime abuzive ose ndërtime tërësisht jashtë çdo lloj kriteri ose nga ferra dhe ujëra të zeza ose nga braktisja totale në sipërfaqe të tëra. Është një projekt spektakolar që do të ketë një rezultat spektakolarë”, u shpreh Rama.
28 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)