i-atiNikoll Marnikollaj, babai i 29-vjeçarit Pëllumb Marnikollaj të vrarë në një komisariat në Greqi, në një komunikim me mediat ka akuzuar policinë greke si përgjegjëse për vrasjen e djalit të tij disa ditë më parë.

Nikollaj ka rrëfyer rrethanat se si djali i tij është gjendur në policinë e Athinës prej nga nuk ka dalë më i gjallë.


“Shkaktarët e vdekjes së djalit tim janë policia e Athinës. Më datën 3 gusht djali ka shkuar për t’u paraqitur për të zbatuar ato rregullat e tyre, si çdo qytetar tjetër, për t’u paraqitur për të firmosur dhe ka shkuar në polici dhe nuk ka dalë më i gjallë nga aty.


Sesi kanë ndodhur gjërat unë nuk e di, por nuk jam dakord me atë që thonë ato. Ai ka shkuar me dëshirën e tij për të zbatuar rregullat e tyre, për të firmosur dhe për t’u kthyer aty ka pasur adresën për t’u kthyer, por ata e dhunuan, e masakruan dhe i morën edhe jetën. Ka qëndruar 8 ditë i humbur, pa adresë, nuk kishim asnjë lloj informacioni. Jemi munduar të kontaktonim dhe kemi kontaktuar me avokatin, me rajonin e policisë aty dhe na është thënë që nuk është këtu”, është shprehur ai.


Sipas Marnikollajt, djali i tij ka pasur të gjitha mjetet e nevojshme të identifikimit dhe adresë zyrtare, por policia greke e deklaroi pa identitet dhe do të varrosej si i tillë.


“Ai i ka pasur të gjitha, pasaportë, ka pasur çdo gjë të identifikuar dhe unë për këta kam arsye, dhe kam bindje të plotë që ai nuk është aksidentuar, por ai është dhunuar nga policia dhe ka pësuar vdekjen”, është shprehur ai.


16 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)