Thomas Bernhard – thomas-bernhard-obernathal-1981-foto-dreissingerThomas Bernhard irriton dhe provokon, ky ka qenë programi i vazhdueshëm i tij si shkrimtar. Ai provokon dhe përgjithëson, dhe edhe duke e ditur se sa jo “politicalcorrect” janë përgjithësimet ato  mund të ngjallin një kënaqësi të madhe tek i lexon, (kur nuk je vet objekt i sulmit, sigurisht), sepse sheh të gërvishten ca fasada të ruajtura ndër shekuj me kokëfortësi.


Anila Shuka


Rrallë ndodh të gjesh një autor më të mllefosur se shkrimtari austriak Thomas Bernhard – ky sharës i papërmirësueshëm profesionesh, ekzistencash, ndërtesash, institucionesh etj., etj., por më të famshme janë sharjet për provincat austriake dhe gjermane, e sidomos për vendin e tij të lindjes: Salzburgun.


Në dramën e vetme të përkthyer në shqip të shkrimtarit austriak, Thomas Bernhard, qyteti i vogël bavarez Augsburg përshkruhet me fjalët “gjiriz Lehu” [MACHT DER GEWOHNHEIT, shqip: Forca e Zakonit]. Leh është një degë e Danubit që buron në Austri dhe kalon nëpër Augsburg. Sigurisht, kush ka qenë në Augsburg e di që qyteti nuk qelbet erë dhe që kjo shprehje e Bernhardit nuk ka të bëjë me realitetin, por banorët krenarë të “qytetit të paqes” e ndien veten tepër të ofenduar asokohe e u ngritën në këmbë për ta sulmuar verbalisht autorin austriak. Më vonë, në një bisedë me një redaktore të gazetës rajonale Augsburger Allgemeine, ai do të sqaronte se në fakt kishte qenë tingëllimi i fjalës së shpikur prej tij Lechkloake, gjiriz Lehu, që e kishte shtyrë drejt këtij përshkrimi. (Augsburger Allgemeine, 1. Dhjetor 2008)


Një arsyetim i logjikshëm kur ke parasysh sesa rëndësi i kushtonte Bernhardi tingëllimit të fjalës në funksion të një ritmi muzikor, aq karakteristik për tekstet e tij, por që për fat të keq e bën atë edhe shumë të vështirë, në mos të pamundur, për t’u përkthyer. E megjithatë, ky arsyetim mbetet i pamjaftueshëm, kur kujton se zor të gjesh një tekst të Bernhard-it ku provincat gjermane e austriake të mos jenë në shënjestër të tiradave sharëse të tij.


Ato quhen “gjirize austriake” ose përshkruhen si “provinca të pështira që e mbajnë veten për kërthizën e botës dhe kujtojnë se e kanë blerë trurin me tapi, po, por është truri krejt primitiv mikroborgjez” dhe që “qelben erë meskiniteti të poshtër” (në BETON, për Insbruck-un, Graz-in, Vjenën), si “plot pafuqi dhe shëmti dhe trashësi të neveritshme që me një mendjemadhësi perverse e quan veten qytet trelumenjsh” (në Der Untergeher, për Passau-n) ose “shpifësirë arkitektonike” [për Salzburgun në In Flammen aufgegangen] dhe “provincë e mykur me njerëz të marrë dhe mure të ftohta” me një “magji të rreme” dhe “bukuri të pështirë” e “njerëz të poshtër”[DER Untergeher] apo “birucë provinciale” me “operë ku njerëzit nuk dinë të këndojnë, me teatër ku njerëzit nuk dinë të luajnë, piktorë që nuk dinë të pikturojnë dhe shkrimtarë që nuk dinë të shkruajnë”[në Alte Meister, për Linz-in]. Thëniet e Bernhardit për shumë qytete të Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës janë aq të famshme, saqë në internet qarkullon një hartë e Europës me citatet e tij për secilin syresh. Në qendër të sulmeve bernardeske janë zakonisht qytetet mesatare tipike gjermane që në veshin e një turisti të interesuar për historinë e kulturën, krijojnë një asociacion pozitiv, për shkak të bukurisë së natyrës dhe të monumenteve kulturore të mirëmbajtura në to. Por Bernhardi tregohet krejt i pamëshirshëm dhe i godet pikërisht në atë pikë me të cilat ato krenohen më së shumti: “Sa i urrej këto qytetet mesatare me monumentet e famshme arkitektonike të tyre prej të cilëve banorët e lejojnë veten të shpërfytyrohen përjetësisht. Kisha dhe rrugica të ngushta ku vegjetojnë njerëz gjithnjë e më mendjemykur. Salzburg, Augsburg, Regensburg, Würzburg– i urrej të gjithë, sepse ato ndër shekuj mbajnë ngrohtë mendjekalbësinë”. [MEINE PREISE] . Në qendër të tabelës së shënjimit në poligonin verbal të Bernhardit është Salzburgu, qyteti pranë të cilit ai kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë, pikërisht në vitet ’30 të shekullit XX, kur Austria iu dorëzua Gjermanisë naziste dhe “salzburgasit, me veshjet e tyre të shëmtuara të lëkurta e të shajakta, turreshin tej e tëhu si urrejtës të hebrenjve dhe të huajve”.[DER Untergeher]Thomas Bernhard irriton dhe provokon, ky ka qenë programi i vazhdueshëm i tij si shkrimtar. Ai provokon dhe përgjithëson, dhe edhe duke e ditur se sa jo “politicalcorrect” janë përgjithësimet ato  mund të ngjallin një kënaqësi të madhe tek i lexon, (kur nuk je vet objekt i sulmit, sigurisht), sepse sheh të gërvishten ca fasada të ruajtura ndër shekuj me kokëfortësi. Janë mitet e krijuara ndër vite nga historianët, politikanët, patriotët e verbër, sentimentalizmat e etërve dhe gjyshërve të përforcuara në kremtimet e ritualeve fetare dhe kombëtare. Bernhardi, i cili sidomos kur bëhet fjalë për Salzburgun ruan gjithmonë perspektivën e fëmijës dhe adoleshentit të rritur në të, ofron syrin e freskët të një fëmije ndaj mykut të mendësisë së vjetër të modifikuar me logjikën dhe njohuritë e një të rrituri. Dhe godet: “Gjithçka në këtë qytet është kundër kreativitetit, … , hipokrizia është fondamenti i tij, dhe pasioni më i madh i tij është banaliteti, dhe me t’u dukur diku pak fantazi, ajo asgjësohet. Salzburgu është një fasadë perfide në të cilën bota pikturon pa pushim dyfytyrësinë e saj dhe pas së cilës kreativiteti (ose kreativi) humb, rrënohet ose venitet”. [Die Ursache]


Dashuri-urrejtja për Austrinë, në përgjithësi, ose për vendet e ngjashme me të,  dhe për Salzburgun në veçanti, ka qenë një motiv shumë i rëndësishëm i veprave të shkrimtarit austriak, që po të rronte do të ishte 85 vjeç. Biografët dhe shumë studiues kureshtarë janë përpjekur t’i gjejnë burimin kësaj urrejtjeje të shprehur në formë tirada sharjesh.


Te refuzimi ndoshta që i pat bërë atij Austria dhe Salzburgu qysh kur qe ende në bark të nënës, meqë duke qenë fëmijë jashtë martese i ati nuk pranoi ta njihte atësinë. Familja e çon mamanë e tij për ta nxjerrë fëmijën gjetkë, në Heeren të Holandës. Më pas nëna do t’ia besonte të porsalindurin gjyshërve, sepse vetë i duhej të punonte për të fituar bukën e gojës. Si i tillë Bernhard ishte i pambrojtur para institucioneve austriake dhe akoma më shumë para atyre katolike, që në kohën e nazizmit u shndërruan në naziste dhe më pas u kthyen sërish në katolike, siç ishte internati, ku ai shkonte si nxënës. Prandaj edhe Bernhard e quante shkollën një “institucion për asgjësimin e trurit”.


Apo mos vallë te sëmundja e mushkërive, pasojë e një tuberkulozi në rini, që në vitin 1989 do t’i merrte jetën përfundimisht, dhe që e detyronte të kalonte një pjesë të kohës nëpër sanatoriume, dhe larg qyteteve, ku pas njëfarë kohe e ndiente veten pa frymë. Pastaj arratisej për në fshat, ku as aty nuk rrinte dot “me të rënë mjegulla dhe me të parë ato pamjet e shurdhëta të fshatarëve më mblidhet laku në fyt dhe nuk më del më asnjë fjalë”. (Nga një intervistë)Bernhardi, sikundër edhe personazhet e tij, hyjnë tek ata njerëz, që siç e ka thënë dikur Mireille Tabach në një studim për të“, në thelb nuk durojnë dot asnjë vend të botës dhe që janë të lumtur vetëm midis vendeve prej nga vijnë e për ku shkojnë”.


Këto shpjegime biografike në fakt nevojiten vetëm për të nginjur urinë enciklopedike të lexuesit të kultivuar. Për të shijuar Bernhardin ato janë fare të panevojshme, bile unë do të thosha se madje edhe pengojnë, sepse nuk të lënë ta lejosh veten të të rrëmbejë furtuna e tiradave sharëse të tij, që është balsam për ata që në vendin e tyre gjithnjë e kanë ndier veten të huaj. Ata që janë larguar me dëshirë nga vendi i fëmijërisë dhe e njohin dyzimin mes të kthyerit te “balta e mjaltë” e Çajupit dhe që qëndruarit larg “bukurisë që vret” të Migjenit – e dinë mirë  se ndërmjet këtyre të dyjave nuk ka zgjidhje, ato janë dy anë të së njëjtës medaljeje, mes të dyjave nuk ka fjalë pajtuese e sqaruese, por vetëm ekzaltime patetike. Merita e Bernhardit qëndron sidomos në kompozimin e tyre në një korpus ritmik fjalësh që unë do ta quaja simfoni letrare, që për fat të keq, sikurse edhe poezia, mund të shijohen vetëm në origjinal.


Ato megjithatë janë përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe për fat të mirë dy prej tyre edhe në shqip. E megjithatë, unë këshilloj të lexohen dhe të përkthehen edhe më tej, sepse ato të sensibilizojnë ndaj çdo ndryshku që mund të zërë opinionin individual e kolektiv: Në fillim ti buzëqesh me vetëkënaqësi, sepse e ndien veten të konfirmuar si viktimë, si talent i pazbuluar, si i keqkuptuar në rini, si i manipuluar në fëmijëri, pastaj rrudh ballin, sepse e ndien veten të provokuar dhe të irrituar, si artdashës, si spektator teatri, si adhurues letërsie, derisa vjen momenti kur kupton se në fakt edhe ti je objekt i sharjeve të tij.  Në këtë moment ke dy alternativa: ose ta flakësh, ose ta marrësh me humor dhe të lejosh që ky shpirt i trazuar të trazojë nganjëherë edhe shpirtin tënd me lojën e fjalëve të tij që ai nganjëherë e përzgjedh vetëm sepse tingëllon bukur. “Veprat e mia janë shumë komike”, pat thënë dikur Thomas Bernhard në një intervistë. Merre me humor!