Bujar LeskajKonferenca: Analiza e Riskut”, kreu i KLSH-së: Një tjetër rrezik për Shqipërinë është dhe mbetet keqmanaxhimi i pasurive natyrore


Për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj ekonomia shqiptare po përballet me një sërë rreziqesh, ku më i madhi mbetet ai i korrupsionit dhe keqmanaxhimit të pasurive natyrore.


Në konferencën e katërt shkencore me temë “Analiza e Riskut”, ku mori pjesë edhe ministri i Financave Arben Ahmetaj, kreu i KLSH-së tha se, jetojmë në një mjedis të ngarkuar nga një debat i ashpër politik. Ndaj, sipas tij, duhet të bëjmë përpjekjet tona që idetë dhe sugjerimet tona ti mbajmë larg politikës së ditës duke respektuar formatin e kësaj konference dhe standardet e institucionit të lartë të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.


Raporti


Raporti i riskut global për vitin 2015 i Forumit Botëror Ekonomik në Gjenevë rendit si risqe me probabilitet më të madh për të ndodhur në ekonominë botërore e që kanë impakt të lartë deflacionin, krizat financiare, goditjet e çmimit të energjisë, dështimin e mekanizmave themelorë financiarë, papunësinë strukturore të lartë, apo të tjera si pabarazia e ndjeshme nga të ardhurat, përmbytjet, paqëndrueshmëritë e thella politike dhe sociale. Nëse këtë hartë e sjellim në Shqipëri, mundësia e ndodhjes e pjesës dërmuese të këtyre risqeve përgjatë vitit 2016 është tejet e lartë. Risku më i lartë është ai i ngritur sistem në administratën shtetërore, risku i shfrytëzimit pa kriter të pasurive natyrore, keqmenaxhimit të kontratave koncesionare, sidomos në marrëveshjet hidrokarbure, mosmenaxhimi i mirë i partneriteteve publik-privat me kosto tejet të rëndë për buxhetin e shtetit etj.


Korrupsioni


Kreu i KLSH-së tha se, korrupsioni duhet të zbulohet dhe denoncohet, “të sigurohemi se nuk ka vend ku të fshihet, duke rritur transparencën e buxheteve qeveritare, informacionit tatimor dhe prokurimit publik për të penguar evazionin fiskal dhe për të vënë në dukje vjedhjen ose keqpërdorimin e taksave”. “Gjykojmë se risku i efektivitetit dhe eficencës së punës së audituesve të brendshëm është shumë i lartë. Strategjia e menaxhimit të riskut nuk po zbatohet si duhet dhe puna e koordinatorëve të riskut, të cilët janë dhe nëpunës autorizues të çdo enti publik, lë për të dëshiruar”, renditi Leskaj. Ai shtoi se “si KLSH kemi kërkuar që risku i borxhit të pakësohet duke përdorur 50% të të ardhurave nga privatizimet strategjike për shlyerjen e këtij borxhi dhe të respektohen objektivat në strategjinë për menaxhimin e financave publike 2014-2020 në lidhje me borxhin publik”. Sipas tij, mosrespektimin e parashikimeve të strategjisë për nivelet e borxhit duhet ta konsiderojmë si problem të mbartur dhe jemi përgjegjës të gjithë, dhe jo ta mendojmë vetëm si përgjegjësi të ministrit të Financave”.


Rënia e eksporteve


Një tjetër risk për ekonominë, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit renditi rënien e eksporteve. “Tjetër shembull i një risku që po të verifikohet sjell shumatore të tjera në ekonominë shqiptare është rënia e eksporteve. Banka Botërore i parashikon me 10% ulje për këtë vit. Në rast se një risk të tillë e parashikojmë dhe e llogarisim mirë, mund të pakësohet dhe të ulen pasojat në ekonomi”, theksoi Leskaj.