Mediat greke janë marrë sot me një parullë të shpalosur gjatë ndeshjes mes Shqipërisë dhe Zvicrës, e vlefshme për Euro 2016, edhe pse ajo u hoq përpara se ndeshja të startonte.
“Greqia është fajtore, kujtoni gjenocidin çam me 100 mijë viktima”, shkruhej në anglisht në një parullë të shpalosur nga tifozët shqiptarë, e cila u pezullua pak para fillimit të ndeshjes.
Sipas CNN në gjuhën greke, përdorimi i të tilla parullave është thyerje disiplinore nga UEFA, ndaj sipas tyre është e sigurt që kjo çështje do të gjykohet nga komisioni disiplinor i qeverisë së futbollit europian.
Lidhur me këtë incident ka reaguar edhe Athina zyrtare.
Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Jashtme greke, thuhet se kjo ministri dënon në mënyrën më të ashpër përdorimin e banderolave dhe simboleve provokuese, përmbajtja e të cilave provokon reagime për nga përmbajtja dhe simbolika e tyre.
Athina ka kërkuar prej autoriteteve franceze dhe UEFA-s që të hetojnë lidhur me mënyrën sesi u bë i mundur futja e kësaj banderole brenda stadiumit, me gjithë masat e rrepta që janë marrë për sigurinë e Euro 2016, si dhe të marrin masa që ngjarje të tilla mos të përsëriten më.
“Janë pikërisht këto organizma, që kanë përgjegjësinë për të penguar futjen në stadiume të banderolave dhe simboleve ekstremiste që provokojnë reagime nga vendet pjesëmarrëse”, shkruhet në komunikatë.
Në kërkesën e saj, Athina shpreson në dënimin shembullor të autorëve, si dhe kërkon prej autoriteteve shqiptare, të distancohen nga përmbajtja e saj dhe ta dënojnë këtë gjest, që sipas Athinës, dëmton imazhin e marrëdhënieve dypalëshe.
Sipas Athinës, këto veprime provokatore bëhen prej qarqeve që kundërshtojnë qasjen e re midis Greqisë dhe Shqipërisë pas vizitës pak ditë më parë të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kozias në Tiranë.
11 qershor 2016 (gazeta-Shqip.com)