Reportazh – Në kohën e politikës së një fëmije në Kinë, policia e abortit, më e urryera në vend, tmerroi miliona familje, pasi i detyronte prindërit të abortonin ose të paguanin gjoba të rënda. Tanimë policët kanë një mision të ri
Mbesa dyvjeçare e Li Bo, Liu Siqi, po luan me dajën e saj teksa më në fund bindet të këndojë një këngë të mësuar në çerdhe. Burri që ajo e quan daja Li, i përket ushtrisë kineze të planifikimit familjar. E ndodhur në çdo qytet dhe fshat në Kinë, për 35 vitet e fundit, puna e oficerëve ishte të gjurmonte familjet që dyshoheshin se kishin shkelur rregullat drakoniane të vendit mbi numrin e fëmijëve që një çift mund të kishte.
Por me fundin e politikës së një fëmije në fillim të këtij viti, oficerët si Li Bo po marrin një rol krejt të ndryshëm. Tani ai mund të ngatërrohet me Babagjyshin Kinez të Krishtlindjeve që viziton fshatrat në malet e largëta të provincës Shaanxi me një çantë plot lodra dhe libra për ngjyrosje.
Së bashku me 68 kolegët e tij, Li është pjesë e një programi pilot që përfshin akademikë nga Universiteti Normal Shaanci dhe Programi i Arsimit Rural të Stanford. Puna e tij e re është t’u mësojë prindërve dhe gjyshërve si të zhvillojnë mendjet e fëmijëve duke folur, kënduar dhe duke u lexuar atyre.
Ai punon në kontenë Danfeng, 1,125 kilometra në jugperëndim të Pekinit, një zonë e varfër ku më shumë se gjysma e të rriturve në moshë pune janë larguar për të punuar në qytete.
Vogëlushja Liu Siqi, ashtu si 61 milionë bashkëmoshatarë të saj është një fëmijë “i lënë prapa”, që po rritet nga gjyshërit. Nëna e saj prodhon në një fabrikë makaronash që është katër orë larg me makinë dhe nuk e viziton shpesh. Babai i saj i cili ka një punë në një gurore kthehet në shtëpi vetëm dy herë në vit.
Fillimisht gjyshja e saj, Chen, ishte skeptike për vlerën e leximit të fëmijëve, por më pas e kuptoi se vajzës i pëlqenin historitë që i lexonte dhe i mbante mend shumë mirë.
Në vitin 1979 u prezantua politika e një fëmije në Kinë. Oficerët e policisë ishin nga më të urryerit dhe më të përçmuarit e forcave ligjzbatuese. Ata konfiskonin pronat e familjeve që nuk mund t’i përballonin gjobat.
Zakonisht ata i vizitonin familjet me më shumë se një fëmijë natën dhe u merrnin gjithçka mundeshin që nga biçikletat e makinat qepëse deri te lopët dhe derrat. Megjithatë, familjeve fshatare u lejohej të kishin një fëmijë të dytë nëse i pari i dilte vajzë.
Rregulli e kërkonte që të paguhej gjoba në mënyrë që fëmija të njihej përpara ligjit dhe organeve shtetërore, në rast të kundërt ky fëmijë nuk ekzistonte në sy të shtetit. Shkurt, fëmijët e paligjshëm nuk mund të arsimoheshin, të merrnin kujdes shëndetësor apo madje të blinin biletë për të hipur në tren.
Që nga fillimi i vitit 2016, të gjitha çiftet kineze lejohen të kenë dy fëmijë. Por ata nuk mund të bëjnë më shumë në rast se nuk janë nga pakicat etnike. Për këtë arsye Li Bo kalon ende një pjesë të punës së tij si oficer i kontrollit të lindjes.
Ai kalon ca kohë në klinikën shëndetësore të qytetit duke vëzhguar gratë. Të gjitha gratë në moshë për të lindur kryejnë kontrolle shëndetësore çdo katër muaj për t’u siguruar se janë mirë me shëndet, por edhe jo shtatzënë.
Nëse një çift do të fillojë familje, duhet të kërkojnë miratim zyrtar përpara se të provojnë ngjizjen. Çdo grua ka nga një kartelë të kuqe ku i mbahen shënim fëmijët, kontraceptivët që përdor dhe abortet.
Oficeri Li Bo i përket Partisë Komuniste në vend dhe ai beson se shteti e di më mirë se kushdo se cila është e mira e përbashkët për individët dhe shoqërinë.
Për këtë arsye ai e merr si të mirëqenë detyrën për t’u kërkuar grave që nuk mund të përballojnë gjobën që të abortojnë. Oficeri pranon se në shumë qytete atyre ua qëllojnë makinat me gurë dhe se nuk janë të mirëpritur.
Në disa raste kjo polici e abortit është akuzuar për ndjekje të procedurave jo të rregullta që shpesh përfshijnë izolimin e paligjshëm të grave të dyshuara si shtatzënë dhe detyrimin e tyre me forcë të paguajnë gjobën.
Dëshmitarët kanë treguar në disa raste se si edhe forcat e zakonshme të policisë nuk kanë arritur të ndërhyjnë në shkeljet e oficerëve të abortit. Tanimë, me fundin e politikës së një fëmije, prindërit kinezë po marrin frymë më lirshëm dhe ndihen në gjendje të plotësojnë pa telashe ëndrrën për të pasur një tjetër fëmijë.
Opinionet në vend, megjithatë janë të ndara. Disa mendojnë se numri i pakët i fëmijëve u kursen më shumë kohë e mund prindërve dhe se u jep atyre mundësinë të arsimojnë më mirë fëmijën e vetëm. Të tjerë thonë se e vetmja rrugë e zhvillimit të sigurt të vendit është përdorimi i plotë i kapaciteteve njerëzore pa i kufizuar ato.
Ajo që dihet me siguri tanimë është fakti se oficerët e aborteve janë kthyer në oficerë të edukimit dhe po u mësojnë familjeve të zhvillojnë sa më shumë aftësitë e fëmijëve të tyre.
“Kjo moshë është e artë për zhvillimin e aftësive te ta. Më pëlqen puna ime e re dhe mendoj se është e rëndësishme, sepse po bëj gjënë e duhur në influencimin e njerëzve që janë përgjegjës për rritjen e të ardhmes së vendit tonë”, përfundon oficeri Li Bo.