lindjetBie numri i martesave dhe i lindjeve, shtohen vdekjet. Rritet 10.9% numri i daljeve jashtë vendit


Zvogëlimi – Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2016 është 2 886 026 banorë duke pësuar një rënie prej 6.276 banorësh


Lindjet – Lindjet gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015 ishin 8 363 duke pësuar një rënie me 2% në raport me 2014


Martesat – Në tremujorin IV 2015 u regjistruan 5727 martesa në të gjithë vendin, duke shënuar nrënie me 469


Zamir Alushi


Vdekjet në rritje, ulja e numrit të lindjeve dhe largimet masive të të rinjve jashtë shtetit ulin shtesën natyrore të popullsisë në Shqipëri. Emigrimi duket se ka ndikuar edhe në rënien e numrit të martesave. Në Buletinin Statistikor Tremujor IV 2015, që u publiku këtë javë nga INSTAT, pasqyrohet një rënie e shtesës natyrore të popullsisë me 7% në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2014. Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2016 është 2 886 026 banorë duke pësuar një rënie prej 6.276 banorësh, krahasuar me atë të 1 janarit 2015.


Lindjet


Lindjet gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015 ishin 8 363 duke pësuar një rënie me 2% në raport me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Në total, gjatë vitit 2015, numri i lindjeve në Shqipëri ka qenë 33.221, duke pësuar një rënie prej 2 539 lindje. Lidhur me gjininë e të lindurve, sipas INSTAT, gjatë vitit të kaluar, 17 365 ishin meshkuj dhe 15.856 ishin femra. Raporti gjinor në lindje për vitin 2015 ishte 109,5 meshkuj për çdo 100 femra. Raporti gjinor i popullsisë së Shqipërisë është 102,6 meshkuj për çdo 100 femra. Mosha mesatare e popullsisë është 34.7 vjeç. Qarku me raportin gjinor më të lartë është Dibra me 108 meshkuj për 100 femra, ndërkohë që në Qarkun e Tiranës ky raport është më i ulëti me 99,5 meshkuj për 100 femra.


Vdekjet


Gjatë tremujorit të katërt 2015, numri i vdekjeve ishte 5 298 duke shënuar rritje të lehtë krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2014. Ritmi i vdekjeve ka pasur tendencë rritje konstante gjatë vitit 2015. Kështu, gjatë 2015-s, në Shqipëri kanë ndodhur 22 422 vdekje, nga të cilat 11 839 ishin meshkuj dhe 10 583 ishin femra. Qarku që kishte numrin më të madh të vdekjeve në tremujorin IV ishte Tirana (1250), e ndjekur nga Fieri (629) dhe Korça (560), ndërsa numri më i ulët i vdekjeve ishte në Kukës (130) dhe në Gjirokastër (190). Në total gjatë 2015-s, numri i vdekjeve është rritur me rreth 1700 persona krahasuar me vitin 2014.


Martesat


Në tremujorin IV 2015 u regjistruan 5727 martesa në të gjithë vendin, duke shënuar rënie me 469 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Rënia më e madhe e numrit të martesave ka ndodhur në Tiranë, Dibër, Elbasan dhe Fier, ndërsa rritje të çifteve të reja ka pasur vetëm në një qark, në Lezhë. Rënia e martesave ka të bëjë më tepër me tendencën e të rinjve për t’u larguar jashtë vendit. Rënia e numrit të martesave do të reflektohet në muajt e ardhshëm në ulje të mëtejshme të shtesës natyrore, sepse sjell si pasojë më pak lindje.


Emigrimi


Daljet e shtetasve shqiptarë gjatë tremujorit IV të vitit 2015 janë 1 045 358 duke shënuar rritje prej 10,9% për të njëjtën periudhë. Numri më i lartë i daljeve të qytetarëve shqiptarë ishte në tremujorin III 2015, ku u regjistruan 1.545.538 lëvizje jashtë vendit. Në vitin 2015, u vlerësua të jenë larguar nga vendi 42 922 persona ku 52,6% e zinin meshkujt. Në të njëjtin vit numri i imigrantëve (lëvizjet brenda vendit) në Shqipëri u vlerësua të jetë 25 846 persona. Migracioni neto gjatë vitit të kaluar ka qenë -17 076. Rrjedhimisht popullsia e Shqipërisë ka pësuar rënie prej 6 277 personash (10 799 shtesa natyrore -17 076 migracioni neto). Sipas INSTAT, gjatë vitit 2014, migracioni neto në Shqipëri ishte -18 076.


Zbrazen qarqet


Qarku me popullsinë më të lartë në Shqipëri mbetet Tirana me 811.649 (28,1%) banorë, e ndjekur nga Fieri me 312.488 (10,8%) dhe Elbasani me 298.913 (10,4%) banorë. Qarqet me popullsinë më të ulët në vend janë Gjirokastra, Kukësi dhe Dibra, respektivisht me nga 70.331, 84.035 dhe 134.153 banorë. Nga të gjitha qarqet vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë njohur rritje të popullsisë, ndërsa popullsia e të gjitha qarqeve të tjera ka pësuar rënie. Qarku me rritjen më të madhe të popullsisë është Tirana me një rritje vjetore prej 1,36%, ndërsa qarku me rënien më të lartë të popullsisë është Gjirokastra me një rënie vjetore prej 2,57%. Kjo reflekton edhe uljen e shtesës natyrore. Shtesa natyrore e popullsisë shpreh rritjen ose rënien e popullsisë, si rezultat i proceseve biologjike (lindjeve dhe vdekjeve) të saj gjatë një periudhe kohe. Kështu, Gjirokastra në tremujorin IV të vitit 2015, e ka shtesën natyrore -44. Edhe Korça, në tremujorin e fundit nuk ka shtesë, por rënie natyrore (-8). Ndërsa në qarqet Shkodër dhe Vlorë, megjithëse pozitive (respektivisht 93 dhe 36), shtesa natyrore është shumë e vogël. Statistikat Vitale (të dhënat demografike mbi lindjet, vdekjet dhe martesat) i dërgohen INSTAT-it elektronikisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, të cilat nga ana e tyre i sigurojnë ato nëpërmjet akteve të gjendjes civile.