
Baldosa e vrarë
Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), ka denoncuar një tjetër rast të vrasjes së paligjshme të kafshëve të egra. Foto tronditëse e një baldose të varur, janë shkrepur sot në rrugën kombëtare Vlorë-Sarandë, në kufijtë e Parkut Kombëtar të Llogorasë.
Sipas përfaqësuesve të shoqatës, bëhet fjalë për vrasjen e një lloji të rrallë kafshe për Shqipërinë, i klasifikuar si i “Kërcënuar” në listën e kuqe të faunës së Shqipërisë.
Baldosa, ishte kapur me kurth dhe më tej ishte vrarë duke e goditur me një mjet të fortë në kokë. Ky rast, tregon qartazi, se krahas gjuetisë së paligjshme me armë zjarri, kafshët e egra në vendin tonë, vriten edhe nëpërmjet kurtheve të ndryshme, të cilët janë njësoj të dënueshëm nga ligji. Veprime të tilla barbare, kundër faunës së egër, dëmtojnë rëndë edhe imazhin turistik të zonës, duke zhgënjyer thellë turistë të ndryshëm, një pjesë e të cilëve kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë, në shenjë nderimi për vendosjen e moratoriumit të gjuetisë (informacion i marrë nga agjenci të huaja turistike), i cili ka mbaruar para pak ditësh, gjithsesi gjuetia vazhdon të jetë e ndaluar, të paktën deri në hapjen e sezonit.
Moratouriumi dy vjeçar i gjuetisë hyri në fuqi në mars të vitit 2014, si masë imediate për mbrojtjen e popullatave të fundit të faunës së egër në Shqipëri, qëmtuar në vite si pasojë e një gjuetie të shfrenuar, dhe nisur nga dispozitat ligjore në fuqi, afati i këtij moratoriumi ka përfunduar në 15 mars të këtij viti.
30 mars 2016 (gazeta-Shqip.com)