Dy orë pas dekretit të presidentit Nishani për faljen e dënimit, Nazime Visha ka lënë qelinë rreth orës 13.00. Ajo u prit nga gjyshja e saj. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Nazimja i ka falënderuar të gjithë ata që i ofruan mbështetjen. “Falenderoj ministrin Ylli Manjani, shkrimtarin Ismail Kadaren, drejtoreshën e institucionit, të gjithë politikanët. Gjëja e parë që do bëj është të nis shkollën”, deklaroi ajo.
Më herët, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi faljen e dënimit për Nazime Vishën, e dënuar nga Gjykata e Tiranës në datën 08//05/2013 me 10 vjet burg, për kryerjen e veprave penale “vrasje me paramendim”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Ky vendim, i cili hyn në fuqi menjëherë, vjen pak ditë pas kërkesës së bërë nga ana e Ministrit të Drejtësisë Ylli Majnjani.
Visha u dënua në vitin 2013 me 10 vite burg për vrasjen e Fiqiri Muçës, të cilin e akuzonte se e kishte dhunuar seksualisht për një kohë të gjatë
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka marrë më 17 shkurt letrën e Nazimes. Pas shqyrtimit, i kërkoi Presidentit faljen, me argumentin se është sjellë mirë. Presidenti i Republikës refuzoi një vit më parë lirimin nga burgu të Nazime Vishës, pas një peticioni të disa personazheve VIP të vendit, por këtë herë ai ka vendosur ta falë.
Në arsyetimin e Nishanit për faljen e dënimit, rezulton se Nazime Visha ka shprehur pendesë për krimin e bërë dhe presidenti ka vlerësuar dhe disa rrethana të tjera.
Arsyetimi i Nishanit “Për Faljen e Dënimit”
Mbështetur në përcaktimet kushtetuese, dhe ligjin nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për Faljen”, vendosa të shqyrtoj kërkesën dhe dokumentacionin ligjor, për faljen e të dënuarës Nazime Beqir Visha, paraqitur nga Ministri i Drejtësisë, së bashku me propozimin e tij, për pranimin e kësaj kërkese ( Nr.1345/4 prot, dt.26.02.2016).
Nga dokumentacioni rezultoi se kërkuesja Nazime Beqir Visha është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë me 10 (dhjetë) vite burgim, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 78/1 e 278/2 i Kodit Penal, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë, me vendim nr.918, datë 18.10.2013.
E dënuara rezulton, gjithashtu, se ka kryer më shumë se 1/3 e dënimit të dhënë, dhe sipas akteve të Ministrit të Drejtësisë i mbetet për të vuajtur edhe 3 (tre) vite, e 9 (nëntë) muaj, e 21 (njëzetenjë) ditë burgimi (data e llogaritjes deri më 17.02.2016). Në llogaritjen e vuajtjes së dënimit janë konsideruar dhe uljet e dënimit të fituara nga paraburgimi, nga ligji nr. 8328 , datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar si dhe nga ligji nr.22/2014 “Për dhënie amnistie”.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit në ushtrimin e të drejtës së faljes, për të dënuarën Nazime Beqir Visha, kam mbajtur parasysh kushtet dhe kriteret e ligjit nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për faljen”, si dhe faktin sipas të cilit falja është një akt human i jashtëzakonshëm mëshire, dhe jepet në rastet kur nuk ekzistojnë kriteret ndaluese, e kur dënimi i vuajtur ka arritur qëllimin edukues dhe riintegrues. Tek kërkuesja vlerësova gjithashtu pendimin e thellë, sjelljen e saj si e dënuar, arsyetimin ligjor dhe propozimin e Ministrit të Drejtësisë, si dhe çdo rrethanë tjetër të veçantë që justifikon faljen.
Për të gjitha këto arsye vendosa që në mbështetje të nenit 92 gërma “b” dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të neneve 11 dhe 12, të ligjit nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për Faljen”, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, të dekretoj faljen e pjesës së dënimit të mbetur, të të dënuarës Nazime Beqir Visha.
25 mars 2016 (gazeta-Shqip.com)