shkolla-fierFier


Sherri ndalohet nga nxënësit. Shkak, ulja e orëve të mësimit ndaj agresores


Edmond Hoxhaj


Nëndrejtoresha e shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” në Fier ka rrahur në prani në nxënësve drejtoreshën e po këtij institucioni arsimor. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë në njoftimin e së cilës thuhej se më datën 09.03.2016, i janë referuar Prokurorisë së Fierit materialet hetimore në ngarkim të 34-vjeçares J.M. banuese në lagjen “Kastrioti” Fier, me detyrë nëndrejtoreshë e shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” Fier, pasi në po këtë datë, në orën 10:30, ajo ka goditur për motive të dobëta 36-vjeçaren K.N., banuese në Fier, me detyrë drejtoreshë e kësaj shkolle. Sipas burimeve zyrtare të policisë, hetuesit janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Sherri


Nga burime të gazetës është mësuar se ngjarja ka ndodhur paraditen e së mërkurës në një prej klasave të shkollës së mesme profesionale “Petro Sota”, në prani të nxënësve. Sipas burimeve, ka qenë nëndrejtoresha 34-vjeçare J.M., e cila ka shkuar në klasën ku ndodhej drejtoresha K.N. dhe pasi ka debatuar me këtë të fundit e ka qëlluar me pëllëmbë. Më pas mësohet që nëndrejtoresha e ka kapur prej flokësh dhe e ka shtyrë drejtoreshën e cila nuk ka arritur dot të reagojë fizikisht. Kanë qenë nxënësit, ata që u kanë kërkuar mësueseve të tyre që të qetësohen e të ndalin sherrin. Pas pak minutash, nëndrejtoresha është larguar nga klasa, ndërsa e dëmtuara ka kryer kallëzim në polici ndaj koleges së saj duke rrëfyer para hetuesve atë çfarë kishte ndodhur. Pas marrjes së denoncimit nga ana e 36-vjeçares K.N., policia ka marrë edhe deklarimet e nëndrejtoreshës dhe të nxënësve të cilët mësohet të kenë sqaruar se janë hutuar nga ajo që ka ndodhur. Sipas tyre, gjithçka ka ndodhur në pak çaste, pasi nëndrejtoresha ka hyrë dhe ka debatuar që në fillim me drejtoreshën dhe më pas e ka qëlluar.


Motivi


Nga hetimet e deritanishme mësohet se motiv i kësaj ngjarjeje ka qenë një mosmarrëveshje mes nëndrejtoreshës dhe drejtoreshës së shkollës së mesme profesionale “Petro Sota”. Sipas burimeve, agresorja i ka kërkuar llogari drejtoreshës se përse kishte ndryshuar numrin e orëve mësimore. Mësohet se këtë pyetje ajo ua ka drejtuar në prani të nxënësve dhe me ton të ashpër. Kjo ka bërë që drejtoresha të mbajë qëndrim duke i kërkuar që të ulë zërin, por nëndrejtoresha i ka kërkuar sërish arsyen se përse i kishte hequr orët mësimore dhe e ka qëlluar me pëllëmbë e më pas e ka kapur për flokësh. Pritet që pas kryerjes së ekspertizës ligjore që do të përcaktojë dëmtimet që i janë shkaktuar drejtoreshës së shkollës, të vendoset edhe vepra penale për të cilën do të procedohet agresorja. Ndërkohë, veprimet që ka kryer ndaj koleges dhe në prani të nxënësve mund t’i kushtojnë vendin e punës 34-vjeçares J.M.


Precedenti


Në janar të vitit të kaluar, në një emision investigativ u pretendua se drejtoresha e shkollës “Petro Sota” në Fier, K.N., posedonte diplomë false, pasi nuk kishte kaluar provimet e pjekurisë dhe për pasojë edhe diploma e mësuesisë automatikisht ishte e falsifikuar. Por, drejtoresha e kësaj shkolle reagoi atëherë duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet. Ajo bëri publik dokumentacionin origjinal ku pasqyrohej fakti se e kishte mbaruar shkollën e mesme normalisht dhe se kishte kaluar me sukses tri provimet e pjekurisë.