Raporti i Avokatit
Aksioni në terren, rastet e abuzimit të inspektorëve
Gjobat – Konstatimi dhe më pas vendosja e dënimeve administrative (gjobave), nga grupet e inspektorëve të verifikimit në terren, sipas avokatit të tatimpaguesve, duhej bërë në mënyrë të argumentuar, mbështetur në prova dhe fakte
Zamir Alushi
Shkeljet më të mëdha të administratës tatimore, në masën 80 për qind, i përkasin kontrollit dhe vlerësimit të detyrimeve. Sipas raportit vjetor 2015, të Avokatit të Tatimpaguesve, Artur Papajani, u regjistruan 265 ankesa ndaj Tatimeve. “Në raport me vitin paraardhës, ky vit rezultoi me një fluks të më të lartë të praktikave të arrira e të përfunduara, rrjedhojë e një arritjeje konfirmimi gradual, hap pas hapi, të autoritetit të institucionit”, konstatohet në raport. Për shkak të aksionit që nisi në shtator, vihet re rritje me rreth 40 për qind e ankesave të biznesit drejtuar avokatit, në raport me një vit më parë. Në 2014 ka pasur 171 kërkesa ankimore, ndërsa në 2013 kishte vetëm 61 raste të hetuara nga avokati i tatimpaguesve.
Shkeljet, gjatë aksionit
Gjatë kontrolleve ka pasur shkelje ligjore nga Tatimet duke vendosur dënime pa prova. Nisur nga një pjesë e ankesave të tatimpaguesve, konstatimi dhe më pas vendosja e dënimeve administrative (gjobave), nga grupet e inspektorëve të verifikimit në terren, sipas Avokatit të Tatimpaguesve, duhej bërë në mënyrë të argumentuar, mbështetur në prova dhe fakte, rekomandon avokati. Raste të tilla, janë ato të konstatimit të personave të paregjistruar si punëmarrës te tatimpaguesi, persona të afërm të tij, por që efektivisht në momentin e kryerjes së verifikimit janë ndodhur edhe rastësisht, në ambientin e biznesit. Po kështu, për sa i takon dënimit për moslëshim të kuponit tatimor, ka pasur konstatime të natyrës së përgjithshme, që përshkruajnë vetëm: “nuk lëshon kupon tatimor”, pa specifikimet e domosdoshme (malli apo shërbimi që furnizohet, çmimi i tij, sasia e furnizuar, klienti, që në fakt, është edhe ai pjesë e kundërvajtjes), që janë elemente të barrës së provës për një kundërvajtje administrative. Shkelje të kësaj natyre, sipas avokatit, duhen konstatuar e të mbështeten në prova e fakte konkrete, bazuar edhe në kërkesat e ligjit “Për kundërvajtjet administrative”. Kontrollet e ushtruara te tatimpaguesit, kryesisht ato nga strukturat e verifikimit në terren, sipas raportit, përmbyllen duke mbajtur akt konstatime në vend për gjithçka është konstatuar, bazuar në një program të miratuar kontrolli. Ndërsa kur vërehen shkelje të natyrës administrative, përpilohet edhe procesverbali i vendosjes së masës administrative të dënimit. Konstatimi, nga sa janë ankuar tatimpaguesit, ka të bëjë me vlerësim me vonesë të dënimit, sidomos për punëmarrës të konstatuar si të paregjistruar, apo edhe të tjera, në kapërcim të afateve procedurale. Në të tilla raste, për afatin e bërjes së vlerësimit tatimor(hedhjen në sistemin elektronik të dënimit e më pas komunikimi i tij për kundërvajtësin), kapërcimet përmbi një muaj deri edhe gjashtë muaj, janë të parregullta. Në kushtet e një aktkonstatimi të tillë, i shoqëruar sipas rastit edhe më një masë administrative, afati më tepër se shtatë ditë, që është ai maksimal, sipas ligjit “Për procedurat tatimore”, i përgatitjes së një raporti kontrolli tatimor, duhet konsideruar si më i fundit i mundshëm për këto raste. Pra, subjektet nuk arrijnë të apelojnë dënimet për shkak të kapërcimit të afateve.
Rastet e hetuara
Avokati i Tatimpaguesve ka trajtuar me procedurë të thelluar 139 kërkesa zyrtare. Nga praktikat e hetuara hollësisht, 67 prej tyre kanë qenë të adresuara nga tatimpagues të regjistruar në biznesin e madh, ndërsa 72 kanë qenë nga tatimpagues të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin (biznesi i vogël). Ashtu si edhe vitin e kaluar, gjysma e ankesave vijnë nga Qarku i Tiranës. Praktikat sipas radhës, më tepër i takojnë kontrollit tatimor, përpunimit e vlerësimit të deklaratave, mbledhjes së detyrimeve, regjistrimit të tatimpaguesve etj. Nga avokati i tatimpaguesve, Papajani, janë nxjerrë urdhrat e rishikimit të praktikës për drejtoritë rajonale në 107 raste, urdhrat e rishikimit të procedurës për drejtoritë e aparatit qendror, në 7 raste. Ndërkohë që pas shqyrtimit, në 19 raste të hetuara paraprakisht nuk është vendosur fillimi apo vazhdimi i hetimeve. Nga opinionet e dhëna të avokatit, në 23% të rasteve të hetuara ka rezultuar që organet tatimore nuk kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, në 23% të rasteve, pjesërisht opinioni i avokatit ka mbështetur disa nga kundërshtitë e paraqitur nga tatimpaguesit, ndërsa në 54% të rasteve të hetuara, opinioni i nxjerrë ka qenë në mbështetje të kërkesave ankimuese të bizneseve. Pra, në 77% për qind të këtyre ankesave janë vërtetuar shkelje të tatimeve.
Kritika
“Ne konstatojmë që për urdhrat e rishikimit të praktikës, të dërguara nga Drejtoria e Avokatit të Tatimpaguesve, drejtuesit rajonalë, ia përcjellin për të përgatitur përgjigjen, apo trajtuar çështjen, po atyre inspektorëve, që me veprimet a mosveprimet e tyre, janë kundërshtuar nga tatimpaguesit. Është dukuri, tashmë e përsëritur, por e pandryshuar në qëndrim nga drejtuesit rajonalë të tatimeve”, kritikon avokati i tatimpaguesve.
Rekomandimet
Në disa raste, tatimpaguesit, mundet të mos i drejtohen, një rruge më të gjatë e më me kosto administrative, siç është ajo e ankimimit, qoftë administrativ, por edhe gjyqësor. Bazuar në Kodin e Procedurave Administrative, rekomandon avokati i tatimpaguesve, drejtorive rajonale u lind mundësia(por t’u jepet efektivisht) e përdorjes së rrugës së revokimit, pra vetëshfuqizimit ose vetëkorrigjimit, të akteve të kësaj natyre. Një iniciativë e tillë, përveçse ul kostot administrative si të tatimpaguesve dhe të administratës, bën të mundur identifikimin dhe vlerësimin nga vetë ajo, të veprimeve të kryera apo nxitura me qëllim, nga pjesëtarë të saj, duke i shërbyer njëkohësisht edhe një fryme partneriteti me biznesin. Qeveria në dhjetor, ka pranuar kërkesën e grupeve të biznesit që avokati i tatimpaguesve të kalojë në varësi të ministrit të Financave, si dhe t’i jepen më tepër kompetenca për hetimin e ankesave.
Veçojmë
Natyra e ankesave, 20 shkeljet më të shpeshta
1-Paqartësi për sa i takon mënyrës së procedimit për evidentimin e punëmarrësve efektivë në një veprimtari ekonomike;
2- Ankimim lidhur me konstatimet për moslëshimin e kuponit tatimor;
3 – Vlerësim tatimor pa u bazuar e cituar referencën ligjore;
4 – Tejkalimi i afatit të kryerjes së kontrollit tatimor;
5 – Vlerësim tatimor, sipas metodave alternative, të bizneseve
që ushtrojnë veprimtarinë ekonomike në një degë të njëjtë, të shërbimeve, bazuar e referuar vetëm në të dhënat e një subjekti;
6- Moszbatim i detyrimit të administratës për faljen fiskale të viteve të mëparshme;
7 -Mosvënie në dispozicion të tatimpaguesve të bazës dokumentare, mbi të cilën është kryer vlerësimi tatimor;
8 -Vlerësim me vonesë i dënimit për punëmarrës të paregjistruar, në kapërcim të afateve procedurale;
9- Paqartësi lidhur me përgjegjësitë tatimore dhe detyrimin për të pasur një pajisje fiskale, të tregtarëve, të quajtur ambulantë;
10 -Kundërshtime e paqartësi të tatimpaguesve të regjistruar në profesionet e rregulluara (avokatë,ekspertë financiarë etj.) lidhur me qenien të detyruar nga organet tatimore rajonale për t’u pajisur me pajisje fiskale;
11 -Mospajisje të tatimpaguesve me aktin administrativ njoftim- vlerësimi tatimor, ku si rrjedhojë u humbet e drejta e ligjshme e ankimimit administrativ;
12 – Vështirësi deri në pamundësi të zbatimit të kërkesës për aktivitetet e bareve, restoranteve, që të lëshojnë kupon tatimor për çdo porosi të klientëve;
13 -Kundërshtim i mënyrës e procedurës së llogaritjes së taksave nga organet e pushtetit vendor;
14 -Mosçregjistrim në vijim të kërkesës së tatimpaguesit, ndërkohë që ai nuk është njoftuar në kohë për detyrime të paplotësuara;
15 – Vonesë në procedurën e çregjistrimit, duke vazhduar ngarkesën tatimore edhe pas aplikimit, për mbyllje përfundimtare;
16 – Ngarkim i përgjegjësisë tatimore mbi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, pa u njoftuar në kohë;
– dhënie përgjegjësie tatimore e paargumentuar, për sa i takon TVSH, të profesioneve të veçanta e të paparashikuara në vendimin e qeverisë për këtë qëllim;
17 – Vendosje të përgjegjësisë tatimore të tatimit në burim, apo edhe të taksave kombëtare, pa qenë të detyruar ligjërisht tatimpaguesit për t’iu nënshtruar këtij lloj taksimi;
18- Moskalim në regjistrin pasiv të tatimpaguesve, kur kushti ligjor i mosushtrimit të veprimtarisë ekonomike për dymbëdhjetë muaj të njëpasnjëshëm është plotësuar;
19 – Vonesa lidhur me përmbylljen kontrollit dhe konkluzioneve për rimbursimin e TVSH-së;
20- Mosnjoftim i tatimpaguesve për detyrimet në momentin që ato janë evidentuar e hedhur në sistemin elektronik;