Anri SalaPublikohet lista e artistëve pjesëmarrës në edicionin e 15 të Bienales së Arkitekturës


Anri Sala, një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor sot, do të prezantojë Shqipërinë në edicionin e 15 të Bienales së Arkitekturës në Venecia. Në faqen zyrtare të Bienales janë bërë publikë emrat e vendeve pjesëmarrëse dhe artistët përfaqësues. Shqipëria është e para në listë. Nën kurimin e Simon Battisti, Leah Whitman-Salkin dhe Åbäke artistët që do të prezantojnë pavijonin shqiptar janë Etel Adnan, Pier Vittorio Aureli, Mourid Barghouti, Claire Fontaine, Yona Friedman, Anri Sala, Michael Taussig, Yanis Varoufakis dhe Ornela Vorpsi. Përzgjedhja e kuratorëve duket interesante, duke vendosur dy artistë shqiptarë bri shtatë artistëve të huaj, që do të hulumtojnë temën e emigrimit që është në qendër të temës kuratoriale “Të kam lënë malin”. Pjesëmarrja e Salës në pavijonin shqiptar shton pritshmërinë ndaj këtij pavijoni. Vetëm pak javë më parë ai hapi në New Musseum në New York një ekspozitë personale, e cila vazhdon të qëndrojë e hapur për publikun, dhe ka marrë vëmendjen e medias dhe kritikës për ndjeshmërinë që mbart. Ornela Vorpsi është më shumë e njohur me romanet e saj, të pabotuara ende në shqip, por lidhjet e saj me botën e artit kanë qenë fillimisht përmes pikturës, për të vijuar më pas me mediume të tjera siç është fotografia. Në njoftimin e bërë nga ministria kur projekti i Simon Battistit, Leah Whitman-Salkin dhe Åbäke u shpall fitues për të prezantuar Shqipërinë në arsenale, thuhej se “Pavijoni shqiptar është konceptuar në mënyrë të tillë, i mbushur me kujtime individuale e kolektive të pathëna dhe shpesh të mbetura në heshtje, përmes një instalimi minimalist dhe të arkitekturës së muzikës polifonike. Programi i këtij “laboratori” të historisë së migrimit dhe zhvendosjes, do të shoqërohet me performanca, debate e workshope të hapura, si dhe me incizime të reja. Dëgjimi kolektiv, respekti për individualitetin dhe aktivitetet e përbashkëta, përcaktojnë një pozicion arkitekturor të fortë në lidhje me temën e përgjithshme të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias 2016″. Tema e edicionit të 15 të Bienales së Arkitekturës është “Raportime nga fronti” dhe do të kurohet nga Alejandro Aravena. “Vizitorët duhet të vijnë për të parë histori suksesi, që arkitektura ka bërë, po bën dhe do të bëjë ndryshimin, duke e fituar betejën dhe duke i zgjeruar kufijtë”, do të shprehej Aravena pas prezantimit të temës së këtij viti. Ai i fton artistët të fitojnë një betejë përmes artit, duke i parë veprat si gjuha e një ndryshimi. “Ka ende shumë beteja që duhen fituar dhe shumë kufij që duhen shtyrë për të përmirësuar cilësinë e mjedisit urban dhe, rrjedhimisht, cilësinë e jetesës së njerëzve. Gjithmonë e më shumë njerëz në botë janë në kërkim të një hapësire të denjë për të jetuar dhe kushtet për të realizuar këtë synim po bëhen gjithmonë e më të vështira. Çdo përpjekje për një qasje ndryshe has në rezistencë të fortë të realitetit të përditshëm…”, do të shprehej ai. Në edicionin e 14-të të kësaj bienaleje, Shqipëria me temë “Monumente të mundshme ardhmërisht të parealizuara”, u prezantua me veprat e dy artistëve të njohur “Penthouse” (Shtesat), një seri pikturash nga Edi Hila dhe “The Column” (Kolona), video/instalacioni nga Adrian Paci. Bienalja 2016 do të zhvillohet nga 28 maji deri më 27 nëntor 2016 në Arsenale dhe Giardini në Venecia, Itali. 62 pavijone do të mbushin hapësirën e Arsenales, mes tyre dhe 5 vende të reja si Kazakistani, Nigeria, Filipinet, Seychelles dhe Jemeni.