Pas dy pyetjeve provokuese në Shkollën e Partisë “V.I.Lenin”, Kadare sjell dëshmi të qarta disidence
Engjëll Serjani
Mbetet një e vërtetë e madhe fakti që, jo vetëm vlerat e rralla e të veçanta krijuese letrare, por edhe elementët e disidencës së brendafshehur në libra dhe të hapura në jetën shoqërore të Ismail Kadaresë, janë zbuluar së pari nga studiuesit e huaj. Në Shqipëri, kritikët i janë shmangur analizës së drejtpërdrejtë të vlerave të disidencës së tij. Këto vlera, shpesh të mohuara, më tepër janë evidentuar përmes sulmeve të kritikës soc-realiste, kur flitej prej saj për: “tendenca borgjeze”, “art surrealist”, “revolucion seksual”, “neveri ndaj aksioneve”, “konflikti mes brezave”, “trajtimi alegorik i punëtorëve dhe fshatarëve”, “nxitja e liberalizmit”, etj., që shpërthyen sidomos pas botimit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, ku krahas kritikës zyrtare politike dhe letrare, në këtë fushatë u përfshinë me letra dhe diskutime edhe qindra studentë, punëtorë dhe fshatarë. Për sa i përket disidencës të fshehur brenda rreshtave të librave të Kadaresë, studiuesit dhe kritika brenda dhe jashtë kanë nisur të flasin më me kurajë dhe me kompetencë. Por në këtë shkrim, do të sjell disa shënime personale të tetorit të vitit 1987, që paraqesin dëshmi të qarta dhe të hapura disidence të Kadaresë, jo thjesht në krijimtarinë e tij letrare nëndiktaturë, por në një auditor të gjerë me mbi 300 veta, mandej në një “kështjellë” të propagandës komuniste, sikurse ishte Shkolla e Partisë “V.I.Lenin” në Tiranë. Në kuadrin e veprimtarive që shteti i atëhershëm zhvillonte në muajin tetor, si “muaji i letërsisë dhe arteve”, shkrimtarët Ismail Kadare dhe Neshat Tozaj ishin caktuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të zhvillonin një bisedë të hapur me studentët e Shkollës së Partisë. Kam qenë prezent në atë takim kur studentët pjesëmarrës bënë shumë pyetje, por dy prej tyre ishin nga ato më provokueset, pasi lidheshin me dy prej veprave më të kritikuara të letërsisë shqipe të asaj kohe. E para: “Çfarë peshe kishte figura e Enver Hoxhës si personazh qendror i këtij romani, në suksesin e romanit “Dimri i madh”?, (pasi siç dihet “Dimri i vetmisë së madhe” u hoq nga qarkullimi në maj të vitit 1973). E dyta: “Çfarë pranon ti si autor i novelës “Nata me hënë” nga një numër i madh kritikash që janë bërë për këtë vepër?”. Duke u përballur hapur me provokimet e bëra me anë të pyetjeve nga salla, Kadare i habiti të gjithë me përgjigjet sfiduese. “Po e nis me përgjigjen e parë nga pyetja e dytë. “Nata me hënë” si vepër letrare edhe mund të ketë ndonjë problem që nuk shkon, por kurrsesi nuk bëhet fjalë për problemet që parashtron kritika jonë mediokre, sipas së cilës ‘sekretari i partisë në këtë vepër nuk është shumë aktiv’. Një sekretar partie mund të jetë aktiv në një vepër letrare, nga zero deri në 100 për qind, ashtu sikundër ndodh vërtet edhe në realitet”. Në letërsi, vazhdoi Kadare, nuk ka vend për gjykime e paragjykime si këto të kritikës sonë mediokre, sepse letërsia është e vetëmjaftueshme. Një vepër letrare, është dhe qëndron si krijimtari, ashtu sikurse e shkruan autori që e krijon, shkrimtari. Ajo nuk kthehet në vepër ‘të pranueshme’, sepse thotë kritiku mediokër, bie fjala, ‘këtu duhet futur një kantier pune’, apo ‘aty duhet një sekretar partie aktiv’. Përgjigjja e Kadaresë për pyetjen e parë, la mbrapa habi dhe heshtje të thellë. Të pranishmit prisnin me padurim se si Kadare do të përgjigjej për pyetjen e parë, të cilën e konsideronin si me më shumë “spec”, sepse e mendonin më të vështirë. Sipas mendimit të provokuesve, shkrimtari që e kishte kthyer në personazh “udhëheqësin e madh”, nuk mund të mohonte peshën e Enver Hoxhës në suksesin e romanit të rishkruar pas “gabimeve” që ishin vërejtur në versionin e parë. Mirëpo, intuita dhe liria e brendshme prej shkrimtari të madh, i dha forcë të shfaqë me guxim gjenialitetin e tij prej kritiku të hapur ndaj regjimit dhe udhëheqësit. “Në letërsi asnjëherë nuk ka shenjë barazimi midis një kryevepre letrare dhe përmasave të një udhëheqësi. Letërsinë dhe artin nuk e bën një udhëheqës apo strateg i madh, sepse nëse do të ishte kështu, atëherë nuk kishte sesi nga thellësia e mesjetës të vinte dhe të lexohej me endje në kohët tona Don Kishoti, një personazh komik?! Sikurse dihet, bashkëkohës me Don Kishotin kanë qenë me dhjetëra mbretër, princa, strategë, udhëheqës me emër në histori, por nëpërmjet letërsisë së Servantesit na vjen si personazh letrar një i çmendur”. Në sallë mbretëroi heshtja dhe habia. Kadare kishte dëshmuar kështu se nuk njeh tempull tjetër veç atij të letërsisë dhe guxoi ta thotë hapur këtë qëndrim në qendër të “kështjellës” propagandistike, apo ndryshe “fidanishtes” së militantëve të partisë. Kundërvënia dhe disidenca e një krijuesi të kalibrit të Kadaresë në këtë rast, nuk ishte e fshehur midis rreshtave të romanit apo poezisë, por ishte e drejtpërdrejtë, e hapur dhe publike, ishte një kundërvënie e drejtpërdrejtë ndaj karakterit paradoksak, propagandistik, pllakaresk dhe manipulues të partisë-shtet. Pavarësisht së letërsia dhe politika në vlerësim të disidencës janë të pandashme, pasi ndodh që faktet nga politika shndërrohen në dukuri letrare, por kjo nuk ndodh për meritë të politikës dhe reflekseve të saj pozitive apo negative. Letërsia dhe arti i vërtetë shkon drejt lirisë së shprehjes, drejt nevojës estetike dhe morale. Artisti dhe krijuesi gjithmonë shpik një përmasë lirie për t’u arratisur e për t’u larguar nga hapësirat totalitare, uniforme, imponuese dhe përjashtuese. Po të kërkosh elemente disidence midis rreshtave, gjen me bollëk në krijimtarinë letrare të Kadaresë: tek “Qyteti pa reklama”, “Kështjella”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Breznia e Hankonatëve”, “Kronikë në gur”, “Pallati i ëndrrave”, “Përbindëshi”, “Ura me tri harqe”, “Viti i mbrapshtë”, “Kush e solli Doruntinën?”, “Pashallëqet e mëdha”, “Çështje të marrëzisë”, “Darka e Gabuar”, etj., por një shprehje kaq të hapur dhe publike kundërshtie të tij ndaj regjimit dhe udhëheqësit komunist, unë personalisht nuk e kisha dëgjuar më parë.