“Onufri” boton për herë të parë si libër më vete romanin “Krushqit janë të ngrirë”
“Krushqit janë të ngrirë”, një nga librat himn për Kosovën shkruar nga Ismail Kadare në vitet 1981-1983, vjen për herë të parë nga Shtëpia Botuese “Onufri” si libër më vete. Kjo vepër është konsideruar si dëshmia e parë dhe tepër e rrallë e masakrës serbe në Prishtinë në pranverë të vitit 1981. Ndër të tjera, ajo pati si qëllim njohjen e publikut shqiptar, dhe sidomos atij botëror, me terrorin e ushtruar në Kosovë. Për fat të keq, pavarësisht nga ky synim, vepra u prit fare ftohtë nga Shqipëria zyrtare, gjë që shpjegon botimin e saj tepër të vonë, më 1986, në përmbledhjen e tregimeve “Koha e shkrimeve”. Vepra nuk u botua asnjëherë si libër më vete. Përkthimi i saj më pas, në shumë vende të Europës, do të hidhte dritë mbi të vërtetën e tragjedisë së Kosovës. “Krushqit janë të ngrirë” do të ribotohej dhe në veprën e 12-të të Kadaresë, kur botuesi i tij solli të plotë në një kolanë veprën e shkrimtarit, bashkë me tre vepra të tjera si: “Dosja H.”, “Qorrfermani” dhe “Viti i mbrapshtë”. Ajo çfarë i bëri bashkë këto vepra ishte fakti që ishin shkruar midis fillimit dhe gjysmës së viteve ’80. Njëra prej tyre, “Dosja H.”, u botua më 1981 në revistën “Nëntori”, kurse “Krushqit janë të ngrirë” dhe “Viti i mbrapshtë” në përmbledhjen “Koha e shkrimeve”. Ndërsa asnjëra prej këtyre tri veprave nuk u botua si libër më vete gjatë kohës së komunizmit, “Qorrfermani” mbeti krejtësisht i pabotuar për shkak të subjektit delikat. “Edhe dhe ndonjë vit, Kosova do të mund të shënonte një jubile, nga ata jubiletë e rëndësishëm që përbëjnë historinë e saj më të re: tridhjetëvjetorin e mbështetjes këmbëngulëse, të fortë dhe pa rezervë të Ismail Kadaresë. Pavarësisht nëse kjo mbështetje ka qenë letrare ose politike, ajo përbën një ngjarje në këtë histori, sepse pësimet dhe synimet e Kosovës, përfshirë edhe arritjet e saj të viteve më të vona, përmes zërit të Kadaresë, janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare, në një zë që bashkëndien dhe flet për brengën më të madhe shqiptare. Por nuk është vetëm kjo. Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetet multifunksional: ai ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë nëpër kancelaritë e ftohta diplomatike dhe, që është po kaq me rëndësi, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish, pra për një masë të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë edhe ata që, në aktin final të kësaj historie, u vunë në radhët e para të luftës për çlirimin e Kosovës. Në këtë pikë, Kadareja ka bërë më shumë se të gjitha institucionet së bashku të shtetit shqiptar”, do të shkruante në një analizë për veprën “Krushqit janë të ngrirë” shkrimtari Mehmet Kraja. Sipas tij, imazhi më i hershëm i Kadaresë për Kosovën është ravijëzuar në poezinë “Kosova”, e shkruar në vitin tashmë të largët 1966. “Kadaresë i rastis të kalojë në avion mbi Kosovën dhe, në këtë fluturim të shpejtë, ai kap një pamje të tokës së zymtë, e cila shfaqet dhe zhduket “midis zgavrave dhe humnerave të reve”. Kosova, për Kadarenë asaj kohe, është tokë disi e largët, e cila rri matanë reve të rënda dhe gjëmimeve të rrufeve, ndërkohë që pikat e shiut në xhamin e avionit janë lotët që akoma prekin vetëm jashtësinë, jo vetëm pse ato janë disi të përtejme, të paarritshme, por ngase flasin diçka që poeti nuk e thotë dot. Megjithatë, ligjërimi i pikave të shiut në xhamin e avionit përçon një mesazh të tejkohshëm brenge, sepse ato janë sinjalet më të afërta të një trishtimi dhe zymtësie gjithëpërfshirëse, të krijuar nëpër një qiell të mbushur me gjëmime dhe vetëtima të pareshtura, të cilat mbulojnë tokën-enigmë të kësaj bote të largët dhe të panjohur. Poeti e personifikon imazhin: një vetëtimë që çan midis reve, edhe përkundër faktit se është e frikshme dhe përcëlluese, sikur ndalet për një çast dhe ia bën me dorë poetit. Është kjo një përshëndetje miqësore, disi përkëdhelëse e një bote të sertë, e cila i ka gjuhë të komunikimit krismat dhe flakën. Dhe, pikërisht, nga ky çast, duket se midis asaj bote dhe poetit do të vendoset një lidhje dhe referencë e gjithmonshme: poeti do të mbajë me vete përjetësisht brengën për Kosovën, kurse ajo do t’i dhurojë atij, po ashtu, miqësinë e përjetshme”, shkruan Kraja. Në dy romanet që do shkruante për Kosovën, “Krushqit janë të ngrirë” dhe “Tri këngë zie për Kosovën”, Kadareja nuk bën çmitizimin e ngjarjeve, si në ndonjë rast tjetër, por ndjek një logjikë të brendshme të zhvillimeve, duke ia vënë realitetit “irracional” kornizën mitike. “Kjo është shkathtësi e shkrimit dhe e observimit, nuk është shmangie. Përmes kësaj kornize mitike, ai nuk u shmanget realitetit dhe mesazheve të drejtpërdrejta që përçon ai”, shkruan Kraja. Në vjeshtën e vitit 1980, Kadareja do të vizitojë Kosovën, me rastin e botimit të parë të kompletit të veprave të tij, në dhjetë vëllime. Me këtë rast, atij iu bë një pritje institucionale dhe pati takime të shumta me lexues dhe intelektualë kosovarë. Disa muaj më vonë, në pranverën e vitit 1981, do të ndodhin demonstratat e përgjakshme në Prishtinë, të cilat në esencë, do të ndryshojnë rrjedhën e të gjitha ngjarjeve të mëpastajme. Për afro njëzet vjet të tjera, Kadareja nuk do ta shkelë më Kosovën. Më 1982, ai shkroi romanin “Krushqit janë të ngrirë”, një sintezë letrare e zhvillimeve dramatike të Kosovës të vitit 1981, duke vënë në sfond të rrëfimit romanor rindërtimin e një miti ndryshe për Kosovën, i cili nuk do të përçonte mesazhe urrejtjeje ndërmjet popujve të Ballkanit, por bashkëjetesën e tyre në një hapësirë të përbashkët. Legjendën shqiptare dhe ballkanike të krushqve të ngrirë, ashtu siç ndodh zakonisht në romanet e tij, ai e kontekstualizon në një kohë të re, zhvillimet e së cilës kanë marrëdhënie të pashkëputshme dhe disi të natyrshme me kohën mitike. Legjendat derivojnë mesazhe të gjithëkohshme. Ato nuk vdesin bashkë me kohën e tyre, por riinkarnohen sapo të shfaqen rrethanat e përshtatshme për këtë. Kadareja nuk merret në mënyrë eksplicite me legjendën. Ajo futet në roman nga prapavija, nga kujtesa dhe shtresimet e kohës së largët, mitike dhe historike. Dy popujt e armiqësuar për vdekje në Kosovë, shqiptarët dhe serbët, edhe përkundër faktit se kanë bërë jetë të ndarë dhe janë parë me njëri-tjetrin përmes tytës së pushkës, në marrëdhëniet e tyre domosdo që ndonjëherë do të kenë ndjekur edhe ligjshmëritë e natyrës dhe të jetës njerëzore. Dashuria e dy të rinjve, me përkatësi të ndryshme etnike, do të ishte zhvillimi më normal në rrethanat e një jete të përbashkët, sado kontradiktore të kenë qenë marrëdhëniet mes popujve. E tillë është dashuria e Shpend Brezftohtit dhe Mladenka Markoviçit, të cilët në vitin 1981, të përfshirë nga inercia e ngjarjeve, gjenden në dy anë të ndryshme të “vijës së zjarrit”. Shpendi merr pjesë në demonstrata, vritet nga forcat policore serbe dhe i bëhet diku një varr pa gjurmë dhe pa nishan. Shkrimtari akuzon në emër të dashurisë, të ndjenjës më njerëzore, për një lidhje dhe afri, për një miqësi dhe krushqi të mbetur në tentativë, e cila rrënohet dhe këputet në mes, për shkak të ringjalljes së miteve të errësirës. Faqet e fundit të romanit, të cilat i kushtohen Shpend Brezftohtit, ndonëse të kursyera në sasi, vijnë si një katarsis “sui generis” dhe, ngjashëm me tragjeditë antike greke, sugjerojnë pavdekësinë e legjendave dhe miteve, bashkë me këtë edhe të akteve të papërmbyllura të një tragjedie.