Udhëtimi i Teatrit të Prishtinës në Tiranën e vitit 1978 nën kujtimet e Ramiz Kelmendit, për të ngjitur në skenë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Takimet me Tefta Camin, kineastët shqiptarë dhe bisedat me Ismail Kadarenë…



Ramiz Kelmendi, një nga publicistët e njohur në Kosovën e 40 viteve të fundit, e sillte shpesh në mendje atë dimër në Tiranë. Në Kosovën e viteve ’80, çdo rrugë që mund të çonte drejt Shqipërisë ishte si një takim me të pamundurën. Kurioziteti, por dhe dëshira për të prekur tokën amë, ngatërrohej me trishtimin e asaj çfarë komunizmi kishte sjellë në këtë vend. Por, jo çdokush kishte fatin të udhëtonte drejt Shqipërisë. Në kujtimet e tij, Kelmendi ka shënuar me kujdes çdo detaj të këtij udhëtimi që do ta kujtonte shpesh. Në fillim të shtatorit të vitit 1978, Teatri i Prishtinës i dërgoi Teatrit Popullor të Tiranës një letër, në të cilën i kërkohej që t’i kthehej vizita që i bëri Teatri i Tiranës, në dhjetor të 1977. Në letër propozohej që ky turne të bëhej brenda muajit tetor, për shkak të xhirimit të filmit “Kur pranvera vonohet”, që parashikohej të bëhej më vonë. Sipas Kelmendit në letër iu propozuan tri spektaklet më të mira të teatrit të Prishtinës: “Svinga e gjallë” e Rexhep Qoses, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur “, i Ismail Kadaresë, dhe “Makbethi” i Shekspirit. Bashkë me sugjerimet për këto tri shfaqje kërkohej që regjisori Pirro Mani dhe skenografi Agim Zajmi (regjisor dhe skenograf që realizuan “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” në Prishtinë), të riktheheshin në Prishtinë për të vënë në skenë dramën “Arturo Ui” të Brehtit, të cilën teatri i Tiranës e kishte ngjitur në skenë dy vjet më parë. “Pas dy-tre intervenimesh me telegrame, aty nga mesi i tetorit, morëm përgjigjen, në të cilën na thuhej se nuk mund të na presin deri në vitin tjetër, për shkak të angazhimeve të tyre, si dhe se mund të vijë në konsiderim për t’u shfaqur në Shqipëri vetëm “Gjenerali…” . Për sa i përket regjisorit dhe skenografit thanë se nuk mund t’i dërgojnë këta, ose të tjerë vetëm për vepra të autorëve shqiptarë”, kujton Kelmendi. Por ndërsa morën këtë përgjigje në gjysmën e nëntorit ndërsa në skenë po ngjisnin dramën “Besa e madhe”, do të vinte një telegram nga Tirana ku thuhej se i prisnin në muajin dhjetor…E në 1 dhjetor 1978 një trupë e teatrit të Prishtinës e cila ishte e përbërë nga 79 vetë, (dy autobusë, një kamion me dekor e një veturë) do të nisej drejt Tiranës. “Në Qafëthanë na pritën aktorët Violeta Manushi dhe Besa Imami e Teatrit të Tiranës, Xhevit Abazi i Ministrisë së Kulturës (i ngarkuar në sektorin e dramaturgjisë) etj. Aty na njoftuan se turneu ynë nuk do të niste nga Tirana, por nga Korça”, kujton Kelmendi. Prej Korçës ku do të jepnin gjatë dy netëve shfaqje do të niseshin drejt Lushnjës, ku për dy net të tjera “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” do të pritej me entuziazëm e duartrokitje nga publiku. “Shfaqjet kudo u paraqitën, u ndoqën me interesim dhe duartrokitje, jashtëzakonisht të përzemërta. Suksesi sa vinte e bëhej më i madh. Kudo u paraqitëm mbeteshin edhe qindra shikues që nuk arrinin të hynin brenda”, thotë Kelmendi. Gjatë ndalesës në Durrës do të vizitonin Muzeun Arkeologjik, amfiteatrin antik, Muzeun e Luftës Nacionalçlirimtare. Para se të niseshin drejt Shkodrës do të ndiqnin në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” shfaqjen “Besëlidhja shqiptare” me autor Sulejman Krasniqin. Dhe në Shkodër “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” do të kishte të njëjtin sukses. Tri ditët e fundit të këtij udhëtimi do t’i kalonin në Tiranë, ku në skenën e Teatrit Kombëtar, “Gjenerali…” i Prishtinës do të bënte që në skenë të ngjitej dhe vetë shkrimtari Ismail Kadare për t’i përshëndetur. Por si do ta përshkruanin udhëtimin 12-ditor në Shqipëri në raportin që do t’i dërgonin Mahmut Bakallit? Kelmendi do ta niste letrën drejtuar zyrtarit të kohës duke thënë se trupa e Prishtinës ishte pritur me një rëndësi të veçantë. “Kjo u vërejt nga niveli i njerëzve që na pritnin, e sidomos nga niveli i atyre që bënin takime me ne e shtronin darka për tërë trupën, deri te ministrja. Sipas fjalëve të ambasadorit, ky është një trajtim i posaçëm dhe jo fort i zakonshëm”, shkruan Kelmendi. Ai tregon më tej për ekipin prej pesë kineastësh që i priti në kufi dhe përgjatë turneut për 12 ditë do t’i shoqëronte me kamera nëpër Shqipëri. Kinostudioja “Shqipëria e re” bëri një film dokumentar special për këtë vizitë. “Kudo e njëjta përbërje e njerëzve, i njëjti nivel dhe ajo që është më kryesorja, lule, buqeta, përqafime dhe përshëndetjet e fjalimeve, thua të shkruara: “Ju jeni vëllezërit dhe motrat tona”, “Ju jeni jo si në shtëpinë tuaj, por në shtëpinë tuaj”, “ne jemi një gjak”, “ne jemi një”, shkruan Kelmendi. Ai tregon për takimet me ministren Tefta Cami, të cilës gjatë darkës i treguan se kanë ngjitur në skenë tre autorë të Shqipërisë, ndërsa në Teatrin e Tiranës përgjatë 34 viteve nuk është vetëm asnjë dramë e një autori nga Kosova, se në Kosovë botohen 30-40 vepra të autorëve të Shqipërisë brenda një viti, ndërsa në Tiranë për 34 vite nuk janë botuar më shumë se 30 vepra nga Kosova dhe kjo të autorëve të dorës së dytë. Grupi i teatrit të Prishtinës i kishte kërkuar Camit se përse injorohet letërsia që krijohet nga shqiptarët në Jugosllavi dhe nuk përmendet në tekstet shkollore. Tefta Cami do t’i përgjigjet duke thënë se “Ne jemi vëllezër, ndaj duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Do të vëmë edhe në pjesë të autorëve shqiptarë të Kosovës”.”U përmendëm suksesin e madh të “Svingës së gjallë”, suksesin e baletit të parë kosovar “Sokoli e Mirusha” të operës “Goca e Kaçanikut” etj. Na thanë: jemi kundër përmbajtjes së Svingës, është dekadente muzika e Akil Koçit në balet, ndërsa për “Gocën e Kaçanikut”, thanë se e pëlqejnë dhe se opera do të realizohet vitin e ardhshëm. Na sollën listën e librave të botuar (32 vepra për 34 vjet). Por na premtuan që tani e tutje do të botojnë me tepër. Na thanë që do të futet dhe letërsia që krijohet ndër shqiptarët në Jugosllavi, në programe të historisë dhe letërsisë shqipe. Na thanë të qëndronim më shumë. U thamë: po na presin për xhirimin e filmit. Cilit film? – pyetën ministrja dhe Anastas Kondo. Kur u thamë filmin sipas ditarit të shokut Fadil Hoxha, të gjithë bënë sikur nuk e dëgjuan dhe morën avaze të tjera…”, kujton Kelmendi. Por ajo çfarë ishte mbresëlënëse për grupin ishte fakti që shkrimtari Ismail Kadare kishte qenë me ta në dy netët e fundit të qëndrimit. “Në të shumtën e kohës heshtte, dëgjonte dhe vetëm kur i thamë se na habit se si, fjala vjen sivjet ka qenë tri herë në Paris e në Kosovë vetëm një herë, madje edhe atë me rastin e premierës së “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, ai u përgjigj: Po, edhe unë kam dëgjuar të thonë se Ismaili nuk e do Kosovën dhe nuk vjen. Por, ju nuk më keni thirrur asnjëherë. Më thirrni dhe unë do të vij. Madje me shumë dëshirë. Si unë ashtu dhe shoqja ime, Elena. Ne i thamë se sa herë kemi provuar të ftojmë ndonjë shkrimtar me emër e mbiemër, Shqipëria na është zemëruar e na ka dërguar të tjerë! Zakonisht poetë që as nuk njihen në Shqipëri. Atëherë ndërhyri Ismaili dhe iu drejtua zëvendësministrit Anastas Kondo: ashtu është. Këtu kanë të drejtë. Pikërisht kështu kemi vepruar. Dërgojmë njerëz krejt të panjohur në Kosovë. Ministrja Tefta Cami në darkën e lamtumirës, kur erdhi te Melihate Ajeti i tha: “Ti shoqe me rolin e Nicës, na ke paraqitur tamam një nënë heroike shqiptare! Ashtu duhet të jetë çdo nënë shqiptare”. Pas shfaqjes së natës së parë në Tiranë, na thanë “E shikuat ç’nderim ju bëmë? Kjo është hera e parë që Ismaili del në skenë para publikut, për t’u uruar aktorëve suksesin! Drejtori i teatrit, Vaskë Aristidhi, tha se vërtet Ismail Kadareja nuk ka pranuar kurrë të dalë në skenë, para publikut për të përshëndetur e përgëzuar aktorët”.