Shënimet e të huajve mbi Shqipërinë nën përkthimin e Eqrem Çabejt, Kolë Kasmit dhe Aleksandër Xhuvanit vijnë në një libër botuar më 1943
Letrat – “Veçse desha të ju shënoj që ideja për hartimin e ‘Bota shqiptare’, d.m.th. si një përmbledhje studimesh të së huajve rreth botës shqiptare, ka qenë imja që në kohë të Zogut, kur edhe bëra një qarkore shumë profesorave për bashkëpunim (e ka[m] ideuar në disa vëllime, sipas lëndës)”.
Eqrem Çabej, Letër Jup Kastratit, Tiranë, 24.VII.1963.
“Nismën për botimin kolektiv që u realizua pjesërisht te ‘Bota shqiptare’ nuk e kam marrë kur isha në Ministri t’Arsimit, po pak më vonë, kur isha profesor në Gjirokastër”.
Eqrem Çabej, Letër Jup Kastratit, Tiranë, 6. IX. 1973.
Në Tiranën e pasviteve ’60, Eqrem Çabej sapo i kishte kaluar të 50-tat, ndalej shpesh në dorëshkrimet e pafundme në zyrën e tij të punës, ku prej kohësh përveç interesit për gjuhën, kishte ndërtuar në mëndje një tjetër projekt. Që në të 30-tat, leximi i autorëve të huaj, apo librave që sillnin një kënd tjetër për shqipen dhe historinë tonë ishin në vëmendjen e tij. Finesa e një intelektuali, dhe pse nën një regjim totalitar e ndiente se vetëm mendimi, mund të ngacmonte nervin e një vendi. Shënimet e udhëtarëve të huaj që kishin vizituar Shqipërinë kohë më parë, apo mendime të ndryshme të gjetura në fletë librash të lexuar dhe në gjuhë të huaj mbi shqipen, e kishin bërë të projektonte në mendje fillimisht hartimin e një libri të quajtur “Bota shqiptare”. Ai donte të sillte këndvështrimin e të huajve mbi vendin tonë, duke nënvizuar forcën e një identiteti që kishte arritur të pikasej dhe nga njerëz që nuk e flisnin gjuhën tonë. Në ato vite profesor i historisë së Shqipërisë dhe fonetikës historike, ai e ndiente rëndësinë e vendosjes në një libër të gjitha atyre përshtypjeve që historianë, ose udhëtarë të zakonshëm kishin bërë mbi Shqipërinë. Në një letër drejtuar profesor Jup Kastratit më 1963-shin, i cili më vonë do të hartonte Bibliografinë e veprës së Çabejt, ai i shkruan se kjo ide është e hershme, që nga koha e Zogut. “Veçse desha të ju shënoj që ideja për hartimin e ‘Bota shqiptare’, d.m.th. si një përmbledhje studimesh të së huajve rreth botës shqiptare, ka qenë imja që në kohë të Zogut, kur edhe bëra një qarkore shumë profesorave për bashkëpunim (e kam ideuar në disa vëllime, sipas lëndës)” , i shkruan ai mikut të tij më korrik të 1963-shit. Duke i folur për këtë vepër dhjetë vite më vonë në një tjetër letër, ai i shkruan se “nismën për botimin kolektiv që u realizua pjesërisht te ‘Bota shqiptare’ nuk e kam marrë kur isha në Ministri t’Arsimit, po pak më vonë, kur isha profesor në Gjirokastër”. Libri me shënime me të njëjtin titull me të cilin profesor Çabej e cilëson në letrat drejtuar profesor Kastratit do të botohej në shtypshkronjën “Gurakuqi” si botim i Ministrisë së Arsimit më 1943. “Bota shqiptare”, libër leximi për kursin e naltë të shkollave të mesme kishte bërë bashkë për të mbledhur dhe përpunuar materialet në të emra të njohur të shqipes si Aleksandër Xhuvani, Kolë Kamsi dhe Eqrem Çabej. Në libër gjenden 17 pjesë të përkthyera nga Eqrem Çabej prej gjermanishtes, italishtes dhe frëngjishtes të autorëve të ndryshëm si: Franz Seiner, Baron Nopcsa, Herbert Louis, Demetrio Camarda, Milan v. Sufflay, Fr. Klute, Th. Ippen, G. Lorenzoni, K. Patsch, Franz Babinger etj.
Punën e tij mbi këtë vepër profesor Çabej e ka treguar në letrat drejtuar profesor Jub Kastratit. Disa prej tyre janë botuar në Bibliografinë e veprës së Çabejt, hartuar nga Jup Kastrati (botimi i fundit, nën kujdesin e Begzad Baliut, dalë pas vdekjes së autorit). Baliu është dhe autor i librit “Bibliografi e studimit të veprës së Çabejt në Kosovë”. Përtej kureshtjes mbi përzgjedhjen e artikujve në këtë libër të realizuar nga tre emra të mëdhenj të shqipes si Kamsi, Xhuvani dhe Çabej, diçka interesante nga ajo mënyrë pune janë dhe letërkëmbimet. Në Shqipërinë e pas viteve ’40, por edhe herët letërkëmbimet kanë qenë forma më e mirë përmes të cilave intelektualë të ndryshëm kanë ndarë pikëpamjet mbi çështje të caktuara. Në arkivin e profesor Çabejt duhet të jenë shumë letra që tregojnë shqetësimin dhe angazhimin e tij në çështje të rëndësishme të shqipes. Vetë studiues Begzad Baliu shënon në librin e tij mbi bibliografinë e Çabejt se “interesimin e studiuesve për veprën e Çabejt më në fund e shprehin edhe numri i madh i letrave e kartolinave që studiuesit i dërgojnë profesor Çabejt nga Kosova dhe nga qytete të ndryshme të botës, në një kohë që letërkëmbimi me studiues nga Shqipëria, si për studiuesit e Kosovës ashtu edhe për ata të Shqipërisë ishte me pasoja: Hasan Mekuli, Anton Çetta, Rexhep Ismajli, Ismajl Doda, Haxhi Krasniqi etj”. Një numër i madh artikujsh shkencorë apo shënime në gazeta tregojnë dhe aktivitetin dhe autoritetin që prof. Çabej ka pasur në Kosovë dhe në kohën e regjimit. “Pesëdhjetë vjet më parë studiuesi i pasionuar dr. Hasan Kaleshi ka botuar një recension për Fjalorin Serbokroatisht-Shqip, bashkautor i të cilit ishte edhe Profesor Eqrem Çabej. Ky është viti i parë që një studiues nga Kosova kishte tërhequr vëmendjen e lexuesve për emrin e profesor Çabejt, i cili më pas, sidomos gjatë tridhjetë vjetëve të fundit do të bëhet sinonim i të mbërriturave më të larta të shkencës së albanologjisë dhe jo vetëm të saj. Për veprën e profesor Çabejt do të shkruhet edhe më tej, por do të shkruhet veçanërisht pas vitit 1970, kur do të botohet vepra e tij e parë në Kosovë. Prej atëherë e deri në fund të këtij shekulli që e lamë, në Prishtinë janë botuar disa prej veprave të plota të tij, dhe në këtë kontekst ato kanë dhënë shumë arsye që të shkruhen dhjetëra e dhjetëra artikuj nga aspekti pasqyrues i veprave të tij, nga aspekti studimor i tyre dhe nga aspekti i vlerësimit të kontributit të veçantë e të përgjithshëm të profesor Çabejt në fushë të albanologjisë në veçanti, e në fushë të kulturës shqiptare në përgjithësi”, shkruan Baliu. Prej vitit 1970, kur u botua vepra “Për gjenezën e literaturës shqipe”, do të shpeshtohet botimi dhe 11 ribotimi i artikujve studimorë të tij. Gjatë viteve 1975-1979, Rilindja e botoi veprën e tij në gjashtë vëllime. Gjatë viteve 1984-1989 Rilindja do t’i ribotojë, jo vetëm gjashtë vëllimet e para, por do të botojë edhe dy vëllimet e botimit kritik të Mesharit të Gjon Buzukut, si dhe vëllimet VIII dhe IX. Le të kujtojmë se botimin e veprave të tij e patën filluar edhe studentët e Degës së Gjuhës Shqipe të shkallës së tretë në Universitetin e Prishtinës. Ligjëratat e studimeve pasuniversitare, Hyrje në gramatikën krahasimtare të gjuhëve indoeuropiane, studentët e Universitetit të Prishtinës i patën incizuar, radhitur me makinë dhe lidhur në një dispensë, e cila do të botohet në kuadër të veprave të plota vetëm më 1988. Në fakt, Kosova ka qenë një dashuri në jetën e Çabejt. Libri i botuar më vitin 2008 “Hyrje në indoeuropianistikë” apo “Leksionet e Prishtinës”, tregon më së mirë vëmendjen e profesor Çabejt ndaj kësaj pjese tjetër tonën. Nga viti 1971 – deri 1973 për tre vjet rresht Çabej udhëtoi në Prishtinë dy herë në vit, në maj për të dhënë leksione e në dhjetor për të marrë studentët në provim. Ndikimi i tij në historinë e gjuhës që do bëhej këto vite do ishte i padiskutueshëm. Ja çfarë shkruan Migjen Kelmendi në një artikull të vitit 2001. «… Gjuha e shkrimit nuk duhet të jetë dialektofobe” (Çabejt-BB). E hatashme! Zoti Çabej na e kishte dërguar një, “message in the bottle”. Duhej vetëm një gjeneratë e re ta zinte. Ta dekodonte. Kur shkova prapë në Shqipëri, vizitova të venë dhe të bijën e zotit Çabej. Doja t’i vërtetoja këto fjalë të tij. Të dyja, edhe zonja Çabej edhe Brikena, e bija, botuesja e librave të mi, ma vërtetuan dyshimin e tij. Ai kishte një skepticizëm, nuk ishte i sigurt. Natyrisht, sepse shkencëtari i vërtetë do dyshojë, do e lërë një mundësi të madhe se mund të ketë qenë edhe i gabuar. Sidomos nuk pajtohej me mënyrën se si luftohej gegnishtja. ‘Gjuha e shkrimit nuk duhet të jetë dialektofobe’».