Gjykata e Apelit në Shkodër la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë ndaj Lleshit


shtjefen lleshiGjykata e Apelit në Shkodër ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke dënuar kështu me tre vjet burgim ish-kryetarin e Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, i akuzuar për korrupsion pasiv. Rasti korruptiv ku ishte përfshirë Lleshi, prokurori Pëllumb Prençi dhe disa zyrtarë të tjerë të gjyqësorit të Pukës u bë publik nga emisioni investigativ “Fiks Fare”. “Fiksi” e denoncoi këtë ngjarje kur personat në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i morën shuma të mëdha parash një personi nga Fushë-Arësi, me qëllim zbutjen e masës së sigurisë për djemtë e tij që ishin ndaluar pas një proteste.


Fillimisht, ishte Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, ajo që ka dënuar me tri vite burg gjyqtarin e Pukës, Shtjefën Lleshi, nën akuzën e korrupsionit pasiv. Prokuroria e Tiranës, e cila ka hetuar ngjarjen, ka arritur në përfundimin se gjyqtari Shtjefën Lleshi, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë marrë shuma të konsiderueshme parash nga një person në hetim, me qëllim zbutjen e masës së sigurisë për djemtë e tij të ndaluar pas një proteste. Trupi gjykues, pasi ka shqyrtuar provat e prokurorisë, ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, duke e dënuar me tri vite heqje lirie. Më herët, pala mbrojtëse e gjyqtarit kishte kërkuar pafajësi, por togat e zeza kanë vendosur të japin tre vjet burg.


Vendimi i Gjykatës së Apelit të Shkodrës është bazuar në konkluzionet e Prokurorisë së Tiranës, e cila ka kryer hetimet për këtë skandal, ku bashkë me gjyqtarin e Pukës, ka marrë nën akuzë edhe tetë zyrtarë të tjerë. Sipas dosjes, kallëzuesi Pal Pjetri, gjatë muajit qershor ka biseduar në telefon me gjyqtarin Shtjefën Lleshi dhe kanë lënë takim në Tiranë në zonën e “Don Boskos”. Gjyqtari është takuar me kallëzuesin dhe i ka kërkuar të hipte në makinë, pasi në lokal mund të binin në sy të njerëzve. Sipas kallëzuesit, gjyqtari i ka kërkuar 200 mijë lekë për lirimin e kallëzuesit. Ky i fundit, duke menduar se ai gjyqtar kishte çështjen edhe për arrestimin e djemve të tij, që ndodheshin në burg, i ka dhënë shumën e kërkuar, duke i lënë paratë në makinën e gjyqtarit. Pas kësaj bisede, për kallëzuesin është zhvilluar gjykimi për zëvendësimin e masës së sigurimit dhe është caktuar masa e sigurimit “detyrim paraqitjeje”. Po ashtu, Pjetri i ka kërkuar gjyqtarit lirimin e dy djemve të tij, dy vëllezërve dhe nipit të tij. Gjyqtari i ka bërë të ditur se në fillim duhet të ndryshohej masa e vetë kallëzuesit dhe se para zgjedhjeve, ai nuk do të lironte njeri nga burgu, për shkak të situatës së krijuar.


Më vonë, kallëzuesi ka takuar gjyqtarin në zyrën e tij dhe aty i janë kërkuar për pranimin e kërkesës për masën e sigurimit 2000 USD për gjyqtarin dhe 2000 USD për prokurorin. Kallëzuesi ka plotësuar lekët dhe është paraqitur përsëri në gjykatë. Atje, gjyqtari e ka drejtuar te sekretarja e tij që ndodhej në të njëjtën zyrë me kancelaren e gjykatës. Kancelarja Meliha Mehaj i ka thënë kallëzuesit të bisedonte me sekretaren e gjyqtarit Lleshi dhe aty ai i ka dhënë lekët. Sekretarja i ka kërkuar Pal Pjetrit gjithsej 550 mijë lekë për masën e të birit, Astritit. Sipas tij, ajo ka dashur 250 mijë lekë për prokurorin, 250 mijë për gjyqtarin dhe nga 25 mijë për vete dhe Kancelaren. Ai nuk i ka pasur të gjitha lekët me vete, por kur i ka bërë gati ka filmuar edhe skenën e korrupsionit, e cila u publikua nga emisioni investigativ “Fiks Fare”.