Martin Amis, një nga romancierët më të mirë të shekullit XXI, vjen për herë të parë në gjuhën shqipe nga botimet “Saras”


Martin-Amis “Unë jam policia. Mund të tingëllojë si një mënyrë e pazakontë të shprehuri ose ndërtim i çuditshëm i fjalisë. Por, ne kemi të folmen tonë. Me njëri-tjetrin nuk do të thoshim kurrë jam polic, police ose oficer policie. Thjesht, jam policia. Unë jam policia. Unë jam policia dhe emri im është detektivja Majk Hulihën. Pra, jam dhe grua …”. Kështu e nis rrëfimin e saj detektivja Majk Hulihën, një personazh që prej vitit 1997 vazhdon të tronditë lexuesit me rrëfimin e saj. Një rrëfim për shoqërinë bashkëkohore dhe krizën e mendjes në botën moderne, vjen me zërin e një gruaje, e cila nuk ka frikë të përballet me asgjë. Ajo vendos të ecë e vetme drejt errësirës, për të gjetur aty të gjitha arsyet e një rënieje morale që çdo ditë e më tepër po pëson individi dhe në fund të zgjedhë të vërtetën. E lexuar në më shumë se 40 gjuhë, historia e detektives Hulihën tashmë mund të lexohet dhe në gjuhën shqipe. Shtëpia botuese “Saras” ka vetëm pak ditë që ka nxjerrë në librari një nga romanet më të mirë të viteve të fundit “Treni i natës“, shkruar nga romancieri i njohur britanik Martin Amis. I përkthyer nga Fari Laçka, ky roman është dhe takimi i parë i një shkrimtari kalibri si Amis, me lexuesin shqiptar, duke ardhur përmes një historie që të përfshin, dhe njëkohësisht lë te ty jo vetëm shijen e një leximi të mirë, por dhe një rikthim të besimit, te gjërat që duken shpesh sikur nuk vlejnë më në ditët tona. Vepra përshkruhet nga nota dhe tone që shprehin pesimizëm në lidhje me gjendjen e qenies njerëzore në kohët moderne. Në këtë pikëpamje, stili i tij mund të shihet si njëfarë ekzistencializmi. Detektivja Majk Hulihën rrëfen detyrën që i kanë ngarkuar si detektive të zbulojë një vetëvrasje dhe ndërkohë parashtron edhe rrugëtimin e jetës së saj që ka kaluar në peripeci të dhembshme, që nga dhunimi seksual tek ai fizik. Treni i NatesGjatë kryerjes së detyrës, “ç’nuk më kanë parë sytë”, thotë ajo. “Njerëz të hedhur nga lartësitë, të mbytur, me damarë të prerë, të betonuar, me trutë në erë, të shtypur petë.” Nëpërmjet rrëfimeve të personazheve, Martin Amis trajton një mori temash që shqetësojnë shoqërinë bashkëkohore dhe shumë “sëmundje” të saj, sidomos problemin e vetëvrasjes, që është dhe strumbullari i ngjarjes. Ngjarja rrëfehet nga perspektiva e detektives Majk Hulihën, së cilës i është ngarkuar të zbulojë misterin mbi vrasjen e Xhenifer Rokuellit. Majk Hulihën është një ish-alkooliste dhe detektive e cila jeton me Tobin, një njeri që vuan nga mbipesha, në një qytet të paemërt amerikan. Hetimet zhvillohen diku rreth viteve 1990. Gjatë rrëfimit, Majku zbulon se ka qenë abuzuar seksualisht që dhjetë vjeçe nga i ati, kundër të cilit ishte rebeluar dhe më pas kishte njohur e ishte lidhur me burra të dhunshëm. Pavarësisht nga të gjitha këto dhe nga mosbesimi karshi aftësive të saj, ajo bëhet një detektive e suksesshme. Ish-eprori, që është njëherësh edhe miku i saj, koloneli Tom Rokuell, i kërkon të hetojë dhe zbulojë shkakun e vetëvrasjes së vajzës të tij, Xheniferit. Xheniferi ishte vajza e tij e vetme, me dy vëllezër, e bukur, e zgjuar, e qeshur, e dashur me njerëzit, e cila në dukje nuk ka asnjë arsye të vetëvritet. Tomi dyshon tek i dashuri i saj, Trejdër Folkner, një profesor i shquar. Gjatë hetimeve, Majku ushtron trysni mbi Trejdërin që ky të tregojë, por nuk ia del dot. Më pas zbulon se Xheniferi merrte litium, një lloj qetësuesi dhe para se të vdiste kishte bërë në punë disa gabime të pazakonta për të. Majku arrin në përfundimin që këta faktorë janë thjesht pista të rreme, që Xheniferi i ka stisur qëllimisht. Ajo del në përfundimin që këto pista të rreme nuk i shpien hetuesit asgjëkundi dhe shprehin zbrazëtinë e jetës. Libri mbyllet me Majkun, e cila merr udhën drejt pijetoreve, edhe pse e di që alkooli do ta vrasë.


Një nga veçantitë e këtij subjekti është fakti që autori e lidh gjendjen e njeriut jo vetëm me vendin ku jeton, por edhe me gjithësinë dhe shpreh skepticizmin, por njëkohësisht edhe njëfarë besimi se cila mund të jetë rruga që njeriu të shpëtojë nga të këqijat ndaj së cilave ka rënë pre ekzistenca moderne. Disa nga teoritë e famshme të shkencës bashkëkohore janë teoria e kaosit dhe teori të tjera kozmologjike, ku sipas botëkuptimit të autorit do të na ndihmojnë që nëpërmjet tyre t’u japim shumë përgjigje pyetjeve që janë parashtruar që në fillesat e njerëzimit. Kjo do të bëjë që ne të kemi “pikëpamje krejt tjetër për vendin dhe qëllimin tonë në gjithësi. Dhe e gjitha kjo garë drejt suksesit, luftë klanesh, ky ligj xhungle ku peshku i madh ha të voglin, më në fund do ta nxjerrin kokën”, thotë kozmologu Baks Denziger, i bindur se shkenca është një domosdoshmëri dhe një rrugëzgjidhje për njeriun. Një histori tërheqëse me një gjuhë të rrejshme, jo rrallë cinike mbi mënyrën sesi vijnë tema të rëndësishme. Martin Amis lë hapësira ku secili nga lexuesit mund të japë interpretimin e vet. Libri mbyllet fare natyrshëm, sepse duket më realist, duke e paraqitur jetën ashtu siç është, me karaktere të paqëndrueshëm dhe ngjarje që janë jashtë kontrollit tonë, dhe pa e zbukuruar me stoli të rreme. “Treni i natës” është një histori misteri që mbetet në mendjen e lexuesit edhe pasi Majk Hulihën e quan çështjen e mbyllur. Martin Amis (1949) është nga romancierët më të mirë të kohës. Ai është fitues i çmimit “James Tait Black Memorial”, i nominuar disa herë në shortlistën e “Booker prize”. Ai jep mësime për mënyrën e të shkruarit Universitetin e Manchesteurun-it. Në vitin 2008 “The Times” e renditi atë në listën e 50 shkrimtarëve më të mirë britanikë që nga viti 1945. Autor i më shumë se 20 romaneve, librat e tij kërkojnë të sjellin një portret të brendshëm të njeriut modern. Historitë e Amis janë historitë që mund t’i gjesh në çdo cep të botës, të rrëfyera nga një stil tepër tërheqës. I frymëzuar nga proza e Saul Bellow, Vladimir Nabokov, Xhejms Xhojs apo babai i tij, shkrimtari Kingsley Amis, ai është kthyer sot në një nga autorët më me influencë në letërsinë britanike të shekullit XXI. Prej disa vitesh, Martin Amis është zhvendosur për të jetuar në Bruklin, bashkë me të shoqen, shkrimtaren Isabel Fonseca. Shtëpia botuese “Saras” do të sjellë të plotë sagën e veprave të Martin Amis. Pas “Treni i natës” së shpejti do të vijnë për lexuesin dhe dy romane të tjera “Zona e interesit” dhe “Shtëpia e takimeve”.