Risku rritet nga sasia e konsumimit


Nxitja – Nevoja për ta verifikuar këtë sinjalizim solli së bashku shumë ekspertë, që hulumtuan përfundimet e mbi 800 studimeve shkencore


Qëllimi – Studimi nuk synon të krijojë panik, por synon të informojë publikun për nevojën për të adresuar çështje të mirushqyerjes


Fenomeni – Në Shqipëri nuk ka studime të mirëfillta sesa mish konsumojmë, por duhet të besojmë te supozimi që konsumimi është në rritje


Përfaqësuesja e OBSH“Është verifikuar lidhja shkak-pasojë midis produkteve të përpunuara të mishit të kuq dhe kancerit të zorrës së trashë, teksa konsumimi i tepruar i mishit të kuq rrit riskun e kancerit, dhe këtu me risk kuptojmë sasinë e ekspozimit ndaj produktit në fjalë”. Ky është qëndrimi i përfaqësueses së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Ledia Lazri, e cila sqaron në një intervistë për gazetën “Shqip” se studimi nuk synon të krijojë panik, por ka si qëllim të informojë publikun për nevojën për të adresuar çështjet e mirëushqyerjes në nivel global.


Në studimin e bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thuhet se një nga faktorët që shkakton kancer është: mishi i kuq dhe nënproduktet e tij. Si u arrit në këtë konkluzion?


Nevoja për ta bërë këtë studim erdhi pas observimeve që niveli i kancerit kishte pësuar një rritje të lehtë në shkallë globale dhe sidomos në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Një nga hipotezat që ngritën shkencëtarët në përpjekje për të kuptuar se pse është rritur numri i të prekurve me kancer mbështetet në një sinjalizim të hershëm të OBSH-së qysh në fillim të viteve 2000 mbi riskun e rritur të kancerit nga mishi dhe produktet e përpunuara të tij. Nevoja për ta verifikuar këtë sinjalizim solli së bashku shumë ekspertë nga vende të ndryshme të botës, të cilët hulumtuan përfundimet e mbi 800 studimeve shkencore të kryera në shkallë botërore. Konkluzioni i verifikimit të gjitha këtyre studimeve ishte i padiskutueshëm.


A ka vend për panik në vendin tonë?


Ne jemi një popull mishngrënës, por jemi edhe perimengrënës dhe frutangrënës, sepse klimatikisht jemi në një zonë gjeografike ku për fat të mirë prodhohen të gjitha produktet ushqimore për të cilat ka nevojë organizmi i njeriut që të ushqehet shëndetshëm. Kështu që sidomos për popullsinë shqiptare rezultati i këtij studimi nuk duhet konsideruar si dramë. Nuk ka vend as për panik dhe as për alarm, përkundrazi ka vend që ta kthejmë këtë në avantazhin tonë dhe të kujtohemi sesi përqendrimi i madh i konsumit të mishit në dietën tonë meqenëse në ditët e sotme kemi gjithmonë e më tepër mundësi ta bëjmë këtë gjë, është faktor risku për kancerin e zorrës së trashë dhe të stomakut. E theksoj, studimi nuk synon të krijojë panik, por synon të informojë publikun për nevojën për të adresuar çështje të mirushqyerjes. Kemi parasysh këtu jo vetëm balancimin apo këqyrjen e konsumit të mishit dhe produkteve të tij, por edhe sesa e balancuar është kjo dietë me produkte të tjera ushqimore, si: perimet, frutat.


A ka studime në lidhje me sasinë e mishit të konsumuar në vendin tonë?


Ne nuk kemi studime të mirëfillta në Shqipëri sesa mish konsumojmë. Por, duhet të jemi të sigurt te supozimi që konsumimi i mishit në Shqipëri është në rritje e sipër ashtu si edhe në shumë vende të tjera, ku rritja e konsumit të mishit është eksponenciale. Në këtë kuptim vende të ndryshme kanë modele të ndryshme ushqyerjeje. Për shkak të klimës mesdhetare, Shqipëria prodhon shumëllojshmëri produktesh ushqimore dhe mishi është vetëm një prej tyre.


Studimi që konfirmoi se nënproduktet e mishit janë një prej shkaktarëve të kancerit u bë kronikë në edicionet informative të të gjitha vendeve të botës. Por, ndryshe nga të tjerat BBC kërkoi të mos përhapet panik, pasi nuk zotërohen prova të mjaftueshme për të dalë në këtë konkluzion.


Studimi është i qartë dhe flet me tone që nuk lënë vend për ekuivok. Konsumi i mishit të kuq rrit riskun dhe me risk kemi parasysh sasinë e ekspozimit ndaj produktit.


A kanë reaguar institucionet përgjegjëse pas publikimit të këtij studimi?


Raporti sapo është publikuar dhe për të përpunuar hapat konkretë ka nevojë për më tepër kohë. Megjithatë, ka një sërë mënyrash sesi mund të ndihmohet publiku, ku informimi dhe edukimi është vetëm një nga hapat. Media ka filluar tashmë ta kryejë këtë rol informues. Hapa të tjerë përfshijnë promovimin e ushqimeve të tjera nëpërmjet metodave të ndryshme si për shembull mekanizmat që nxisin prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore të një diete sa më diverse. Besoj fort po ashtu që një rol të rëndësishëm luajnë edhe punonjësit e promocionit shëndetësor të cilët në bashkëpunim me mjekët e shëndetit parësor në qendrat shëndetësore rajonale, mund dhe duhet të japin mesazhe të dobishme për shëndetin publik.


 


 


Shoqata e Konsumatorëve 


“Kemi marrë denoncime nga qytetarët për sallamet, mishin e grirë”


Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit ka ripërsëritur apelin ndaj qytetarëve shqiptarë: Qëndroni larg produkteve të mishit të përpunuar si sallami apo proshuta. Specialistja e këtij institucioni, Fatmira Biçaku, tregon se jo pak herë konsumatorët janë helmuar apo kanë konstatuar produkte jashtë standardit.


“Te mishi i grirë i përpunuar, te konservat, te sallamet deri tek ushqimi i fast-food-it konsumatorët kanë denoncuar erën dhe faktin që mishi ka qenë pa ngjyrë, duke blerë kështu një produkt të helmatisur”, sqaroi specialistja e shoqatës për mbrojtjen e konsumatorit. Duke iu referuar tregut të përpunimit të mishit në Shqipëri, Biçaku thotë se situata është tejet alarmante, dhe se konsumatorët duhet të ndërgjegjësohen njëherë e më parë për rrezikun që u kanoset. “Duhet të respektohet deklarata e OBSH “sa më pak mish të përpunuar”, theksoi Biçaku. Zyrtarisht mësohet se shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit këto shqetësime ua ka referuar organeve kompetente si: Agjencisë Kombëtare të Ushqimit ose Ministrisë së Shëndetësisë.