Rasti i denoncuar nga “Fiks Fare”, morën 200 mijë lekë për lehtësim dënimi
Me nga katër vjet burg u dënua gjyqtarja e Lezhës, Parashqevi Ademi, dhe avokati Gjovalin Ndokaj, të cilët u denoncuan nga “Fiks Fare”, sepse u morën 200 mijë lekë dy personave për zbutjen e dënimit. Çështja u hetua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila në fund të procesit gjyqësor, kërkoi që gjyqtarja dhe avokati të shpalleshin fajtorë dhe të dënoheshin me katër vite heqje lirie. Ndërkohë, prokuroria kërkoi edhe heqjen e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për pesë vjet. Dy të pandehurit pranuan akuzat dhe kërkuan gjykim me procedurë të përshpejtuar.
Më 10 qershor 2015, A.P. është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të kallëzuar faktin se avokati Gjovalin Ndokaj, i cili ishte caktuar kryesisht nga gjykata si avokat i tij dhe i nënës së tij, M.P., në gjykimin penal të zhvilluar në Gjykatën e Lezhës, i ka kërkuar 2 milionë lekë të vjetra për t’ia dhënë gjyqtares në këmbim të caktimit të një dënimi me kusht ndaj tyre. Avokati u ka thënë se ai dhe e ëma e tij rrezikonin të dënoheshin me burg deri në tre muaj, më vonë u ka thënë se mund të dënoheshin me një gjobë rreth 50 mijë lekë, duke i ofruar edhe një kafe gjyqtares së çështjes. Më datë 9 qershor 2015, kur A.P. ka pasur seancën e radhës, avokati Gjovalin Ndokaj u ka thënë të dyve se “kishte folur me gjyqtaren dhe se duhej t’i jepnin dy milionë lekë të vjetra gjyqtares për të mbyllur çështjen, ndërsa do të dënoheshin me 18 muaj me kusht dhe do të bënin punë në dobi të bashkisë”. Ata akuzoheshin për shtrëngim dhe pengim për të bashkëjetuar ose për të kryer martesë. Avokati u tha se rrezikonin nga tre muaj burg secili.
Kallëzuesi e ka pyetur se si mund të zgjidhej kjo çështje, pasi ishin pa faj dhe nuk kishin pse të bënin burg. Avokati i ka thënë se e vetmja zgjidhje për të mos bërë burg, është që ai dhe e ëma e tij t’i paguanin gjobë shtetit nga 500 mijë lekë të vjetra secili, si dhe t’i jepnin një “kafe” gjyqtares. Më datë 8 qershor 2015, kallëzuesin e ka telefonuar i pandehuri Gjovalin Ndokaj dhe i ka thënë se duhej të shkonte ta takonte në zyrë ditën e nesërme më 9 qershor. Ndoka u ka thënë të dyve se kishte folur me gjyqtaren dhe se duhej t’i jepnin dy milionë lekë të vjetra për të mbyllur çështjen dhe ata do të dënoheshin me 18 muaj burgim, por kjo do të kryhej si punë në dobi të bashkisë, çka do të thoshte se nuk do të bënin asnjë ditë burg. Më datë 11 qershor ditën e gjyqit, A. P., sipas autorizimit për kryerje të veprimit korruptiv të simuluar, i ka dhënë të pandehurit Gjovalin Ndokaj, shumën prej 200 000 lekësh, të cilat paraprakisht janë numëruar dhe fiksuar nga policia gjyqësore. Po në këtë datë, Ndoka, pasi ka marrë shumën e parave, është drejtuar te gjykata. Pasi ka qëndruar për njëfarë kohe në gjykatë, ka thirrur dy të pandehurit A.P. dhe M.P. Pas disa minutash, rezulton se gjyqi ka përfunduar dhe se ata janë dënuar me kusht nga gjykata. Ndoka ka qëndruar në sallë bashkë me gjyqtaren dhe më pas ai ka dalë nga salla e gjyqit. Avokati është drejtuar për në zyrën e tij dhe, nga ana e policisë gjyqësore, është vajtur për kontroll në ambientet e zyrës së tij.
Gjatë kontrollit personal, atij i janë gjetur të fshehura brenda në çorape dhe shuma prej 150 000 lekësh kartëmonedha me prerje të fiksuara me procesverbalin e dorëzimit të parave. Pas këtij veprimi dhe pas mosmarrjes së një përgjigjeje nga ana e tij se ku ndodhej shuma prej 50 000 lekësh, dhe duke qenë në ndjekje të aferës korruptive, nga ana e policisë gjyqësore është vajtur për kontroll në zyrën e gjyqtares Parashqevi Ademi. Rezultoi se brenda në çantën e saj, në një portofol me ngjyrë bezhë dhe stampim të kuq në mes, janë gjetur 10 kartëmonedha 5000 lekëshe që kishin numrat e serisë të njëjta me paratë e dhëna nga organi procedues.
