Manlio Graziano, profesori i historisë dhe gjeopolitikës dje në një debat para publikut shqiptar, organizuar nga shtëpia botuese “Saras”. Islami një mundësi, jo rrezik …
Besnik Mustafaj: Një nga librat më të rëndësishëm të ardhur në shqip këta 25 vjet
Besnik Mustafaj: Besoj se ky libër është një nga librat më të rëndësishëm të ardhur në shqip gjatë këtyre viteve, të lirisë. Sepse, në një vend si yni, me një obsesion të shoqërisë sonë multikonfensionale dhe një obsesion laiciteti si kusht për të siguruar kohezionin shoqëror dhe bashkëjetesën kombëtare, profesor Graziano ngre tezën e deshekullarizimit apo delaicizimit të botës, sidomos të vendeve ku laiciteti ka qenë i rrënjosur për shumë dekada, madje dhe shekuj dhe ka argumentet e tij që në rastin më të vogël të turbullojnë. Edhe unë që kam lexuar shumë rreth kësaj teme dhe jam një nga njerëzit e interesuar për këtë problematikë, duke lexuar esenë e profesor Grazianos jam gjendur shumë herë në pyetje të thella.
Manlio Graziano, profesor i gjeopolitikës në Universitetin e Sorbonës, ka qenë dje në një debat të hapur publik, mbi tezat e hedhura në librin e tij ardhur në shqip nga botimet “Saras”, “Lufta e shenjtë dhe e shenjta aleancë”. “Ajo çfarë është e rëndësishme në studimin e Grazianos është konteksti në të cilin ai e vendos studimin e tij, që është gjeopolitika”, tha drejtori i botimeve “Saras”, Besnik Myftari. “Unë merrem me gjeopolitikën e feve. Fetë janë në pjesën më të madhe sot, jo në të gjitha, instrumente të politikës. Ka edhe besime fetare, por nga ky këndvështrim, nëse njerëzit besojnë apo jo në Zot, në ç‘lloj Zoti, me Trini apo jo, nuk më intereson. Unë merrem me fetë si një instrument politik.” Kështu e nisi diskutimin me publikun shqiptar profesor Manlio Graziano. Për të kuptuar çështjet e feve, sipas tij, është shumë e rëndësishme të studiohet gjeopolitika e tyre. “Nëse sot doni të kuptoni atë që ndodh në Lindjen e Mesme dhe studioni vetëm çështjet fetare, Kuranin, islamin sunit apo shiit, nuk do të kuptoni asgjë. Për të kuptuar rolin e feve në Lindjen e Mesme duhet të studioni gjeopolitikën e tyre …” , tha ai. Sipas Grazianos, jo të gjitha fetë janë të gjitha në të njëjtin nivel. “Ka fe që kanë iniciativën e tyre. Ka fe me një organizim dhe mbi të gjitha kanë një lidership. Këto fe mund të marrin iniciativa”, tha Graziano duke iu referuar kishës katolike. “Edhe kisha ortodokse, edhe kisha anglikane është e organizuar, por kanë një forcë territoriale, një rreze veprimi që është shumë e limituar. Kishat ortodokse janë kombëtare, edhe anglikania gjithashtu dhe nuk dalin shumë nga kufiri. Patriarkana e Moskës ka pak ndikim në Ukrainë, Bjellorusi, te rusët e Kazakistanit, pak te rusët e SHBA-së dhe kaq. Nuk ka influencë në Amerikën Latine apo në Lindjen Mesme. Pra, e vetmja forcë fetare, institucion që ka një mundësi të ndërtojë një iniciativë të vetën publike, që unë e quaj politikë, është kisha katolike, sepse është e përqendruar, e organizuar, ka një lidership dhe një rreze veprimi të gjerë”, vijoi Graziano. Njohës i mirë i gjeopolitikës, studimi i Grazianos për herë të parë i sheh fetë në një kontekst tjetër, duke e parë politikën si promotoren kryesore të përplasjeve fetare. Debati i sotëm do të jetë një shtjellim i mprehtë i tezave që ai hedh në libër, duke nisur që nga shekullarizimi. Në vitet ’50-’60, Petër Berger, sociolog i famshëm, mendonte se “modernizimi i shoqërisë do të çonte në rënie të fesë si në shoqëri ashtu dhe në mendjen e njerëzve …”. Por në fund të viteve ’90, por edhe tani në kohërat tona, duket sikur teza e Berger nuk ka funksionuar. Sipas Grazianos, modernizimi ka shkaktuar edhe lëvizje të fuqishme të kundërshekullarizimit … I pranishëm në debat ishte edhe shkrimtari dhe politikani Besnik Mustafaj, i cili si lexues e vlerësoi librin si një nga më të mirët të ardhur në shqip në 25 vitet e fundit. “Besoj se ky libër është një nga librat më të rëndësishëm të ardhur në shqip gjatë këtyre viteve, të lirisë. Sepse në një vend si yni, me një obsesion të shoqërisë sonë multikonfensionale dhe një obsesion laiciteti si kusht për të siguruar kohezionin shoqëror dhe bashkëjetesën kombëtare, profesor Graziano ngre tezën e deshekullarizimit apo delaicizimit të botës, sidomos të vendeve ku laiciteti ka qenë i rrënjosur për shumë dekada, madje dhe shekuj dhe ka argumentet e tij që në rastin më të vogël të turbullojnë. Edhe unë që kam lexuar shumë rreth kësaj teme dhe jam një nga njerëzit e interesuar për këtë problematikë, duke lexuar esenë e profesor Grazianos jam gjendur shumë herë në pyetje të thella …”, u shpreh Mustafaj, ndërsa e sugjeroi librin për historianë, gazetarë e politikanë. Mustafaj gjithashtu i drejtoi disa pyetje profesorit për çështjet e trajtuara në libër dhe mendimet e tij për atë çka ndodh sot, dy vite pas botimit të esesë së tij mbi gjeopolitikën e feve. Luftë apo aleancë e shenjtë? “Çështja e luftës së shenjtë është çështje shumë e gjerë dhe në librin tim ka një kapitull shumë specifik, që bëhet fjalë për shpikjen e gjeopolitikës së luftës së shenjtë. Lufta e shenjtë është realizuar nga një katolik polak-amerikan, në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit. Është shumë interesante sesi një katolik, Berzhinski, i cili në vitin 1980, pesë ditë pasi ushtria e kuqe sovjetike hyri në Kabul, u takua me Muxhahajdinët, duke u thënë “kjo luftë është lufta juaj e drejtë, sepse është lufta e Zotit”. Ky ishte një rikthim i konceptit të luftës së shenjtë, të bërë në emër të Zotit, që kishte qenë munguese në rrjedhën e shekullit 20. Kishte pasur një tentativë të 1914-s, të shpallur nga autoriteti më i madh i ushtrisë turke nga Sulltani – që ishte kalifi – të luftës së shenjtë, kundër rusëve, anglezëve e francezëve, që ishin edhe armiqtë e Turqisë dhe në të njëjtën kohë, kjo luftë e shenjtë u anulua nga një luftë tjetër e shenjtë e shpallur nga sherifi i Mekës, nën autoritetin e anglezëve. Kjo ndodhte më 1914–n dhe që atëherë nuk ka pasur, përveçse personazheve të izoluar”, tha Graziano. Sipas tij, nuk ka pasur një luftë të shenjtë në nivelin ndërkombëtar. “Kjo luftë rikthehet me Afganistanin dhe aty shihet saktë sesi ajo që përkufizohet luftë e shenjtë nuk ka të bëjë me fenë, sepse ishte ky katoliku polak që shpallte luftën e shenjtë të Islamit. Nuk ka kuptim, nuk mund të jetë një katolik të deklarojë luftë të shenjtë në emër të Islamit, por ai përdor ndjenjat fetare të një pjese të popullit afgan për t’i ngritur kundër Bashkimit Sovjetik, gjeopolitikë në nivelin ndërkombëtar. Pra ky është hapi i fillimit të asaj që jetojmë tani. Nuk është më shumë mungesa e lidershipit, por pluraliteti i lidershipit. Ky është shembulli sesi ky koncept i luftës së shenjtë përdoret për interesa të tjerë”, vazhdoi Graziano. Sipas tij, sot kushdo mund të shpallet nismëtar i luftës së shenjtë. “Dëgjohet sot që ka të rinj që nisen për xhihad, ata besojnë kështu, por kjo është histori e islamit prej qindra vjetësh dhe ka konotacion të saktë dhe nuk ka të bëjë me atë që ndodh sot dhe duhet të jemi të kujdesshëm me termat”, tha ai. I pyetur nga shkrimtari Mustafaj në është Palestina nyja e konflikteve fetare, profesor Graziano shpjegoi se një pjesë të kësaj pyetjeje e ka shtjelluar dhe në një kapitull në libër kushtuar Izraelit. “Një pjesë e librit tim i kushtohet shpjegimit kur flitet për luftë të shenjtë dhe përdorimit të feve në gjeopolitikë – nuk duhet menduar vetëm për fetë. Do ishte gabim. Marr shembull Indinë, Pakistanin dhe Izraelin ku feja përdoret për t’i dhënë një kuptim shtetit kombëtar. Pakistani dhe India u shpallën shtet, në gusht të vitit 1947, Izraeli në maj 1948, pak muaj më vonë, këto tri shtete me bazë myslimane, hebreje dhe hindu janë shpallur nga politikanë ateistë që nuk besonin në Zot e megjithatë e përbashkëta është që kanë kufij të vendosur mbi fetë, vendi i myslimanëve, hebrenjve dhe hinduve. Mes Pakistanit dhe Indisë pati luftë të menjëhershme, masakra e madhe e Kashmirit, më e madhja e shekullit XX, në gusht të vitit ‘47 ku qindra mijë hindu e myslimanë dhe sikë u masakruan në kufi për t’i dhënë homogjenitet fetar këtij vendi. Në këtë kontekst flas për Izraelin. I vetmi konotacion që mund t’i jepte kuptim shtetit kombëtar ishte ai fetar. Gjuha ishte praktikisht e njëjtë”, tha Graziano. E vetmja gjë që mund të dallojë një pakistanez nga një indian sipas tij është feja. “India bashkë me Izraelin janë dy vende ku kufijtë e shteti janë kufijtë e feve. Ka një korrespodencë të kufijve fetarë. Karakteristika kombëtare e Indisë prej 2 mijë etnish të ndryshme, e përbashkëta është feja. Edhe në Izrael ata që shpallën pavarësinë ishin ateistë, kufiri ishte ai fetar; nga një anë hebrenjtë e nga ana tjetër arabët dhe aty popullsia nga karakteristikat etnike nuk kishte shumë ndryshime. Historiografët e sotëm thonë se palestinezët janë hebrenj të kristianizuar e më vonë të kthyer në myslimanë. Unë flas për çështjen e Palestinës përmes shembullit të Izraelit. Në një rast tjetër, pak të njohur të historisë së Izraelit në vitet ’70-’80, qeveria izraelite vendosi të promovojë lëvizje të vëllezërve myslimane për çlirimin e Palestinës. Nëse duam ta themi shkurt; Hamasi është importuar nga qeveria izraelite, nuk ishte feja por idealizmi si ideologji dominuese, për të luftuar nacionalizmin palestinez. Palestinezët në vend të mendonin për shtetin mendonin për Zotin. Kur dëgjoni Netanjahun që thotë se do të shkatërrojë Hamasin, duhet të kujtojmë se është i importuar në Palestinë”, tha ai. Duke folur për Turqinë, profesor Graziano e quajti atë si shtetin më gjeopolitik në botë. “Turqia ka shumë lidhje të ndryshme në sferën ndërkombëtare, ka lidhje me popullsinë turkiç në Azerbajxhan dhe Azinë Qendrore, ka lidhje me Europën, ishte në Ballkan dhe shumë pranë Vjenës, për kohë të gjatë dhe Turqia ka lidhje me Lindjen e Mesme për shkak të sundimit. Turqia ka lidhje shumë të mira me ShBA-në për shkak se ka qenë aleati më kryesor gjatë Luftës së Dytë botërore dhe aleat i rëndësishëm i NATO-s, është fuqia e dytë ushtarake e NATO-s dhe ka një lidhje me botën myslimane, sepse qenë kreu i Kalifatit dikur. Ideja qendrore e Davutoglut, me zero armiq, ishte ideja e rivendosjes së këtyre lidhjeve për ta bërë Turqinë fuqi të Madhe. Ishin dy pjesë të këtij projekti; e para zhvillimi ekonomik dhe e dyta përdorimi i këtij zhvillimi ekonomik për të rivendosur pushtetin. Duke qenë një parti islame, ka dy fytyra të rëndësishme, një të brendshme dhe një të jashtme, e para ishte t’i jepte përfaqësim politik masave anadollake, nga periferitë. Mendoj se Erdogan është më shumë produkt i Turqisë myslimane dhe nuk është se ai krijoi frymën islame, në Turqi. Ishte Turqia islame që e krijoi Erdoganin. E dyta është fytyra e jashtme, shpallja si Lider i Partisë Islame, Erdogan-i ishte i aftë t’u fliste jo vetëm turqve, por së gjithë botës islame. Për një kohë të gjatë deri më 2011-n ishte i aftë të fliste nën një sferë të rëndësishme, të zhvillimit të suksesshëm ekonomik të Turqisë. Ishte i aftë t’u thoshte masave islame në botë: “Keni dy modele të islamit, ai përmes revolucionit si në Iran apo Afganistan, me mjete të dhunshme, varfëri, izolim, etj. Kam edhe një tjetër mënyrë të islamit, ai i suksesit, zhvillimit ekonomik, modernitetit. Sigurisht që duhet të jetë islami, sepse nëse nuk jam në gjendje ta përfaqësoj këtë lloj islami, nuk shkoj te qëllimi. Masave islame në botë duhet t’u shfaq suksesin tim në Turqi si sukses islam. Ky model luajti rol të rëndësishëm në atë që quhet ‘Pranvera Arabe’, e cila shkoi në këtë drejtim. Ishim në gjendje të modernizonim Turqinë kështu sepse ishim myslimanë. Ky ishte rol i rëndësishëm, por shkoi në krizë pas ‘Pranverës Arabe’ e qysh atëherë Erdogani ka humbur pak dhe nuk di ç’të bëjë më”, shpjegoi Graziano.
Turqia
Turqia ka shumë lidhje të ndryshme në sferën ndërkombëtare, ka lidhje me popullsinë turkiç në Azerbajxhan dhe Azinë Qendrore, ka lidhje me Europën, ishte në Ballkan dhe shumë pranë Vjenës, për një kohë të gjatë dhe Turqia ka lidhje me Lindjen e Mesme, për shkak të sundimit. Turqia ka lidhje shumë të mira me SHBA-në, për shkak se ka qenë aleati më kryesor gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe aleat i rëndësishëm i NATO-s; është fuqia e dytë ushtarake e NATO-s dhe ka një lidhje me botën myslimane, sepse ka qenë kreu i kalifatit dikur. Ideja qendrore e Davutoglut, me zero armiq, ishte ideja e rivendosjes së këtyre lidhjeve për ta bërë Turqinë fuqi të madhe. Ishin dy pjesë të këtij projekti: e para, zhvillimi ekonomik dhe e dyta, përdorimi i këtij zhvillimi ekonomik për të rivendosur pushtetin. Duke qenë një parti islame, ka dy fytyra të rëndësishme, një të brendshme dhe një të jashtme, e para ishte t’i jepte përfaqësim politik masave anadollake, nga periferitë. Mendoj se Erdogan është më shumë produkt i Turqisë myslimane dhe nuk është se ai krijoi frymën islame në Turqi.
Pakistani
Pakistani dhe India u shpallën shtet, në gusht të vitit 1947, Izraeli në maj 1948, pak muaj më vonë, këto tri shtete me bazë myslimane, hebreje dhe hindu janë shpallur nga politikanë ateistë që nuk besonin në Zot e megjithatë e përbashkëta është që kanë kufij të vendosur mbi fetë, vendi i myslimanëve, hebrenjve dhe hinduve. Mes Pakistanit dhe Indisë pati luftë të menjëhershme, masakra e madhe e Kashmirit, më e madhja e shekullit 20, në gusht të vitit ‘47 ku qindra mijë hindu e myslimanë dhe sikë u masakruan në kufi për t’i dhënë një homogjenitet fetar këtij vendi. Në këtë kontekst flas për Izraelin. I vetmi konotacion që mund t’i jepte kuptim shtetit kombëtar ishte ai fetar. Gjuha ishte praktikisht e njëjtë”