Veliaj: Kapacitet 180 vende. Paratë shkojnë për korsi biçikletash dhe lulishte


Ilda Hoxha



Një parking i ri publik i është shtuar kryeqytetit. Bëhet fjalë për parkingun te sheshi “Italia”, përpara stadiumit “Qemal Stafa”, i cili iu nënshtrua rikonstruksionit dy javë më parë. Mungesa e parkingjeve publike është një prej problemeve kryesore të drejtuesve të automjeteve, ndaj krijimi i këtij parkingu është domosdoshmëri, por jo i mjaftueshëm për të përballuar kaosin në Tiranë. Tashmë qytetarët do të kenë më shumë mundësi ku të parkojnë automjetin e tyre, por gjithsesi ky parking nuk e zgjidh problemin në Tiranë. Dje, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ka përuruar hapjen e këtij parkingu, i cili ka një kapacitet prej 180 vendesh. Në fjalën e mbajtur, kryebashkiaku Veliaj tha se ky parking është një mundësi më shumë për qytetarët që duan të lënë makinën e tyre dhe të frekuentojnë pedonalen e sheshit “Nënë Tereza” apo kodrat e Liqenit për një jetë të shëndetshme. “Më vjen mirë që sot (dje), në ‘Ditën pa makina’, inaugurojmë një investim të Bashkisë së Tiranës si ky parking, i cili është investimi i parë i kompanisë publike të bashkisë që do të administrojë parkimin te sheshi ‘Italia’. Përurimi i një hapësire të re parkimi në qytet është mënyra më e mirë për të festuar Ditën pa Makina”, tha Veliaj. Ky parking do të jetë publik, nën administrimin e bashkisë, por do të jetë me pagesë. Pra, qytetarët do të kenë mundësi që të lënë makinën e tyre kundrejt një tarife. Ndonëse nuk konfirmohet zyrtarisht, burime në Bashkinë e Tiranës bëjnë me dije se tarifa që do të paguajnë qytetarët për parkimin e makinave në këtë zonë do të jetë modeste, e njëjtë me atë të parkimeve të tjera publike në kryeqytet, 1 mijë lekë të vjetra gjatë gjithë ditës. Të ardhurat që do të mblidhen nga parkingu, Bashkia e Tiranës do t’i përdorë për të ndërtuar korsi të reja biçikletash, por edhe për gjelbërimin e kryeqytetit. Mungesa e mjediseve të gjelbra dhe hapësirave çlodhëse është një prej problemeve të shumta që ka kryeqyteti, ndaj edhe nevojat për investime janë të mëdha. Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë parking publik, sepse është e sigurt, sipas tij, që paratë shkojnë për banorët e këtij qyteti. “Lajmi i mirë është se të ardhurat nga parkimi në Tiranë do të investohen në lulishte dhe korsi biçikletash. Ndaj ftoj të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë ambientet publike. Për sa kohë që janë gati t’ia paguajnë parkimin dikujt, i cili në mënyrë të paligjshme zapton një copë trotuari, vë një arkë apo një kusi dhe u merr lekët, thuajse në mënyrë të dhunshme, pse jo, t’ia paguajmë këtë qytetit, i cili i kthen këto në investime për banorët e këtij qyteti”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Veç kësaj, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, shtoi se shumë shpejt një tjetër parking do të ndërtohet dhe kësaj radhe përpara stadiumit “Dinamo”. “Më vjen mirë që ky është investimi i parë i një serie investimesh. Javën tjetër ne do të vazhdojmë me një parking tjetër të ngjashëm publik, në sheshin përpara stadiumit ‘Dinamo’, pastaj do të vazhdojmë në sheshe të tjera, në të gjithë Tiranën”, tha Veliaj. Kryebashkiaku ka paralajmëruar gjithashtu, se shumë shpejt bashkia do të fusë koncepte të reja të administrimit të parkingjeve publike, në mënyrë që ato t’i vijnë në ndihmë qytetarëve, por duke orientuar sa më pak trafik drejt qendrës që qytetit. “Shumë shpejt do të fusim konceptin e metrave të parkimit në të gjithë shëtitoren, në rrugët kryesore. Njerëzit duhet të kuptojnë se nëse duan të ecin me makinë në qendër të qytetit, ashtu si çdo vend të botës, kjo kushton”, tha kryetari i Bashkisë.