Filmi “Bota” fiton kupën e edicionit të pestë të “Ballkan Film and Food Festival” / Përgjatë një jave, Pogradeci u kthye në një qendër të kinemasë ballkanike …
“Dua një dramë …”. Alban Ukaj ose Mili (roli në film) i përgjigjet kështu pyetjes së ortakut të tij italian, teksa e pyet, në po kërkon martesë apo dashuri? Ndodhen në barin e një lokali të quajtur “Bota”, në një hapësirë jo shumë larg nga pallatet e thjeshta ku kaluan jetën, ish të internuar në Shqipërinë komuniste. Inxhinieri i ri është i tërhequr nga kamerierja Juli (Flonja Kodheli), e cila është dhe personazhi kryesor i këtij filmi nën regjinë e Tomas Logorecit dhe Iris Elezit. Juli, nuk është vetëm drama që kërkon Mili, por dhe drama e filmit. E bija e një të pushkatuare gjatë regjimit komunist, ajo shërben në barin e kushëririt të saj, Benit, i cili kishte përfituar dhe pagesën e kompensimit të viteve të internimit të saj, gjë të cilën Juli e mëson vonë. Përmes jetës së Julit, dy regjisorët tregojnë Shqipërinë e së shkuarës, shoqëruar me imazhe fotografike mbresëlënëse, dhe një muzikë që e bën më të ndjeshëm filmin. Çdo ditë Juli lë shtëpinë, ku jeton bashkë me gjyshen, dhe shkon të punojë te “Bota”. Gjithë filmi orvatet pikërisht në këtë kafe simbolike, e cila është në një farë mënyre dhe bota e personazheve. Nën interpretimin e Tinka Kurtit, Artur Gorishtit, Fioralba Kryemadhit, filmi “Bota” është padyshim një prodhim kinematografik disi ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim këto vite. Regjisorët kanë sjellë ndryshim në konceptimin e fabulës, por dhe në ritmin e filmit. Të shtunën në mbrëmje pas disa çmimeve që kanë marrë në festivale të ndryshme ndërkombëtare, ky film është vlerësuar me kupën e Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, që prej një jave u mbaj në qytetin e Pogradecit. Një dramë ballkanike, e denjë për një festival që mban të njëjtin emër, “Bota” ka emocionuar publikun që ishte në sallë. “Qëllimi i filmit ishte të tregonte një të vërtetë”, tha Tomas Logoreci. Jetën e kaluar në internim të qindra njerëzve gjatë regjimit komunist. Drama e vërtetë është më e madhe se në film, megjithatë regjisorët kanë mundur të japin ndjesinë e një jete të humbur diku. Komunizmi i treguar në “Bota” është më modern, me dy femra që janë plot ëndrra dhe vishen plot ngjyra. Regjisorët janë treguar të kujdesshëm për të mos humbur vetëm brenda fabulës së filmit, dhe për t’i dhënë atij një gjuhë ndërkombëtare. Filmi është si një homazh për kujtesën e cila nuk duhet ta harrojë të shkuarën. Kujtesa orvatej pothuajse në pjesën më të madhe të filmave të këtij festivali. Duket që kinematografia vazhdon të jetë pasqyra më e mirë e asaj çfarë ndodh sot me vende të ndryshme. Përgjatë ditëve të këtij festivali, nuk ishte e vështirë të kuptoje se ishe në një festival të filmit ballkanik. Mjafton të shihje një film të shkurtër, për të kuptuar se ai vinte nga vende si Greqia, Mali i Zi, apo Turqia. “Shush…sing to me”, nën regjinë e Andrey Volkasshin dhe Peter Vulchev tregonte historinë e Veskës, e cila largohet nga shtëpia për t’u bërë një këngëtare e muzikës turbo-folk. Ajo donte të ishte e pasur, të kishte makinë dhe fustane, por për t’i pasur këto, i duhej të bëhej pjesë e një kënge e cila për vite me radhë ka përfshirë shumë vajza nga vende të varfra, që shndërrohen në prostituta. Filmi bullgar dukej se kishte ngjizur në ekran një dramë të madhe që vjen nga varfëria, i thënë thjesht, por dhembshëm. “Djemtë e rrugës Marks dhe Engels”, i regjisorit Nikola Vuckeviç ishte një tjetër prodhim kinematografik që të kujtonte se ishe në Ballkan. Dy vëllezër Stanko, dhe Vojo që mbartin dy histori. Stanko kërkon të hakmerret për babanë e vrarë, ndërsa Vojo është i shqetësuar se si mund të bëjë dashuri për herë të parë. Një film për familjen, besimin dhe vlerat njerëzore, por përmes një metafore jo të rastësishme të vendosur nga regjisori Vuckeviç, siç është emri i rrugës, që tregon se komunizmi, do të lejë gjatë shenjat e tij në Ballkan. “Ajo çfarë i bën të ngjashëm filmat e regjisorëve që vijnë nga Ballkani, janë fabulat. Lufta, korrupsioni apo dhe humbjet e dashurisë, janë ndryshe në filmat ballkanikë”, thotë Simone Salvemini, regjisor nga Italia, anëtar i jurisë së festivalit. Ai e quan të rëndësishëm faktin që bëhet një festival i tillë, jo vetëm për ballafaqimin e prodhimeve kinematografike të viteve të fundit, por edhe për të nxitur kulturën shqiptare. Bashkë me Jana Tomsova, Marco Lledo Escartin, Aleksandër Manic, Eva Hausberger, Camille Jouhair, ata ishin juria e edicionit të pestë të Festivalit të Ballkan Film Festival. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt të shtunën nën drejtimin e Ema Andreas dhe Klod Dedjes. “Pogradeci është një qytet që të fut në grackë. Ti e ndien veten që ke rënë në grackë sapo hyn në qytet”, tha Dedja, duke e quajtur festivalin si një vlerë që i shtohet një qyteti që i ka dhënë kaq shumë kulturës shqipe, me emra si Lagush Poradeci apo Mitrush Kuteli. Kupat u janë dhënë fituesve të festivalit nga emra të njohur të skenës si Tinka Kurti (e cila ishte dhe presidentja e nderit të këtij edicioni), Dhimitër Anagnosti, Roza Anagnosti, Guljem Radoja etj. Përveçse një njohje me kinemanë ballkanike, festivali kthehet përgjatë një jave dhe në një vend takimi për emra të njohur të skenës, të cilët janë miqtë e përhershëm të këtij eventi. Aktori i njohur, Karafil Shena, është nderuar në këtë edicion me çmimin e karrierës. Një çmim të cilin ai e vlerësoi si tepër të rëndësishëm në jetën e tij, pas viteve të kaluara në emigrim. “Vetëm dikush që ka jetuar jashtë atdheut mund t’i kuptojë emocionet e këtij çmimi”, ka thënë Shena. Çmimet janë ndarë për të gjitha kategoritë, duke nisur nga dokumentari deri te filmat me metrazh të shkurtër që janë një tjetër risi e këtij festivali. Kosova është nderuar në këtë festival me disa çmime. Regjisori Luan Kryeziu mori çmimin e festivalit për filmin “Heroi”, një film që ka marrë dhe vlerësime të tjera ndërkombëtare. Alban Ukaj dhe Ylli Çitaku janë vlerësuar në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër me filmin “Kali”. Një risi e këtij festivali ishte dhe kategoria e quajtur “Mish Mash”. Artistë nga vende të ndryshme iu përgjigjën thirrjes së organizatorëve për të realizuar një film gjatë ditëve të festivalit. Ata mbërritën në Pogradec më 11 shtator dhe e përfunduan punën e tyre ditën e fundit të festivalit, duke u shfaqur për publikun. Kjo ishte një mundësi e mirë, jo vetëm për t’i vendosur të rinjtë përballë një akti kreativ krijues, por dhe për ta kthyer qytetin në një laborator filmi.
Çmimet e Festivalit
Special Mention: Miriam Majlind Samardxha (Kosovë)
Special Mention: Nameless children (Turqi) Sulejman Karalsan, Mimoza Shuli, Rifat Erkek
Çmimet për filmat e shkurtër
Special Mention: Granddaughter Kroaci, Tomislav Sestan, Kristina Doric
Best Short
Kali, Alban Ukaj / Ylli Çitaku Kosovë
Staff Award: Voice Mail, Kroaci
Best Animation: Butler Choice, Padelis Paradisis (Greqi)
Best Student Dokumentar: Feeling Lucky, Evangelos Vrohidis
Special Mention: A political Care, Ermela Teli (Shqipëri)
Juri Award: 400 years search, Heidi Kancler, (Slloveni)
Sam Roma, Maria Danezi (Greqi)
Çmim special nga Bashkia Pogradec, “Monumenti”, Eva Hausburger (Austri)
Best Dokumentary, Grad Prize: Paolos Dream, Kireneos Papadimatos (Greqi)
Best Student: Ira Dika me Boil
Staff Award “Heroi”, Luan Kryeziu (Kosovë)
Recognition Award: Karafil Shenaj, Mountain in front
Çmimi i madh: Bota, Iris Elezi dhe Tomas Logoreci