Poliçan
Policia arreston katër persona, në biznesin e Artur Zotkajt u gjetën 19 kg kanabis
Artur Zotkaj, vëllai i kryetarit të Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, është arrestuar nga policia për kultivim të lëndëve narkotike. Zotkaj u arrestua nga policia si pjesë e një grupi që kultivonin dhe shisnin lëndën narkotike, e cila dyshohet se përpunohej pikërisht në pronat e biznesit të tij. Bashkë me vëllain 46-vjeçar të kryebashkiakut, në pranga ranë edhe Kreshnik Hasenbelli, 24 vjeç, Abedin Nurellai, 38 vjeç, dhe Destared Allko 23 vjeç, banues në Poliçan. Finalizimi i operacionit antidrogë të koduar “Pronovik” erdhi pas hetimeve disaditore, ndërkohë që sasia e lëndës narkotike u zbulua në ambientet e një fabrike të përpunimit dhe tregtimit të ujit të pijshëm, që është në pronësi të Zotkajt.
Dosja hetimore
Sipas grupit hetimor, prokuroria ka marrë informacion në rrugë operative ndaj Kreshnik Hysenbelliut, duke ngritur dyshimet ndaj tij për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Në këto kushte, më 10 shtator, organi i akuzës ka nisur hetimet. Gjatë një jave ka rezultuar se Kreshnik Hysenbelli ka komunikime të dyshuara për shitje lënde narkotike me një person, i identifikuar më pas si Artur Zotkaj, banues në Poliçan, si dhe me një italian të identifikuar me emrin Fabricio. Më 15 shtator, Kreshniku ka diskutuar me një person të thirrur Miço, i cili është identifikuar si Emiliano Hysenbelli në lidhje me shitjen e një sasie lënde narkotike. Ata kanë pasur diskutime për shitjen e një sasie droge të kultivuar nga shtetasi i identifikuar si Toni. Dy ditë pas kësaj bisede, më 17 shtator, policia ka mundur të lokalizojë ambientin ku po mbahej lënda narkotike. Grupi i terrenit ka raportuar se droga përpunohej nga disa persona në një ambient biznesi në lagjen “Xhenio” në qytetin e Poliçanit, në pronësi të Artur Zotkajt, vëllai i kryebashkiakut.
Ndërhyrja policore
Duke u bazuar në këto informacione, dy net më parë, rreth orës 21:00, Forca e Posaçme, në bashkëpunim me FNSH-në ka ndërhyrë në ambientet e dyshuara, ndërkohë që pronari i biznesit, Artur Zotkaj është ndaluar në qytetin e Poliçanit. Po ashtu janë kapur dy të njohurit e tij, Kreshnik Hysenbelli dhe Destared Allko, të cilët po udhëtonin me mjetin tip “Nissan”, me ngjyrë të bardhë, në afërsi të fshatit Pronovik, Poliçan. Kurse në ambientet e biznesit është gjetur dhe arrestuar Abedin Nurellari.
Përpunimi i drogës
Pas realizimit të arrestimeve u formua grupi hetimor, i cili konstatoi se në një prej godinave të biznesit, që ishte i mbyllur me qepena, kishte një sasi lënde narkotike të futur në dy thasë të bardhë. Drogë u gjet e shpërndarë në mënyrë të çrregullt edhe në godinë, ndërkohë që disa degë kanabisi ishin varur me qëllim tharjen e tyre. Në këto kushte, prokuroria ka ngritur dyshimet se godina përdorej për laborator të përpunimit të bimëve narkotike. Në vijim është kryer sekuestrimi dhe peshimi i marijuanës në godinë dhe rezultoi se ishin rreth 19 kg lëndë narkotike. Kurse gjatë kontrollit të automjetit tip Mercedes–Benz me targa AA 959 IS, në pronësi të Artur Zotkajt u gjetën fillimisht një sasi e dyshuar mbetjesh bime narkotike dhe një armë e ftohtë.
Dëshmitë e tyre
Në lidhje me operacionin e kryer, policia ka marrë në pyetje secilin prej të ndaluarve, duke zbardhur edhe mekanizmin e funksionimit të grupit. Fillimisht është pyetur Destared Allko, i cili ka deklaruar se ai njeh dhe ka komunikuar me të arrestuarin Kreshnik Hysenbelli në telefon dhe se më datë 17 shtator është takuar me Emiliano Hysenbelliun dhe ka pirë një kafe me të në Poliçan, por nuk ka pranuar të ketë dijeni për drogën. Kurse Abedin Nurellari ka deklaruar se ai është i punësuar si roje në biznesin e Artur Zotkajt prej dy vitesh, ku ai ruan karburantin dhe ish–lokalin ngjitur me vendin ku është gjetur droga. Sipas dëshmisë së tij, ditën e operacionit, ai ka qëndruar në punë nga ora 08.30 deri në orën 14.30 kur është larguar. Pak para se të largohej mësohet se atje është vizituar nga Emiliano Hysenbelli, të cilin e njeh edhe si Miço. Sipas tij, ai ka sjellë sasinë e lëndës narkotike dhe pas pyetjes që i ka bërë, ai i ka thënë se kishte folur me Arturin. Kurse Kreshnik Hysenbelli ka deklaruar se ai njihet me Artur Zotkajn, me të cilin ka punuar më herët me gur. Po ashtu, ai ka pranuar se ka folur me Arturin, por ka mohuar të ketë bërë biseda në lidhje me lëndën narkotike. Kurse vetë Zotkaj nuk ka pranuar të flasë pa praninë e avokatit dhe ka shpjeguar se do të japë versionin e tij në një moment të mëvonshëm. Megjithatë, prokuroria ka vendosur arrestimin e secilit prej tyre, duke i akuzuar për prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike, në bashkëpunim.
Reagimi
Zotkaj: Vëllai ka moshë madhore, s’më akuzoni dot!
Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, reagon mbas arrestimit të vëllait për trafik lëndësh narkotike. I kontaktuar nga mediat, Zotkaj tha se nuk kishte dijeni të mëparshme për ngjarjen, ndaj nuk mund të pranohet asnjë përfolje e tij për bashkëpunim. Ai u distancua nga ngjarja dhe kërkoi që drejtësia të zbardhë ngjarjen. “Nuk ka të drejtë njeri të më akuzojë për bashkëpunim, pasi vëllai im është në moshë madhore dhe është i përgjegjshëm për veprimet që bën përpara ligjit. Përgjegjësitë legale janë të ndara. Drejtësia të zbardhë ngjarjen dhe kur të dalë e vërteta në dritë, secili të bëjë komentet e tij”,- tha Adriatik Zotkaj për ‘Shqiptarja.com’.