MAS premtoi se brenda javës do të pajisen të gjithë, por ende ka probleme
Edhe pse u premtua nga Ministria e Arsimit se brenda javës së parë të vitit të ri shkollor do të bëhej pajisja me libra e të gjithë nxënësve, këta të fundit ende nuk kanë në dorë tekstet. Dje u mbyll javë e parë e shkollës, por janë një numër i madh nxënësish, të cilët ankohen se nuk janë pajisur me libra. Procesi mësimor gjatë gjithë javës është zhvilluar normalisht dhe nxënësit janë paraqitur pranë drejtorive të shkollave përkatëse për të marrë informacion për mungesën e teksteve. Mësohet se drejtuesit e shkollave u kanë bërë të ditur se nuk ka libra, sepse shtëpitë botuesë nuk i kanë sjellë. Si pasojë e mungesës së teksteve është se mjaft nxënës kanë mbetur mbrapa në mësime. Prindërit tregojnë se fëmijët janë shumë të shqetësuar, sepse gjysma e nxënësve të klasës i kanë librat, ndërsa pjesa tjetër jo. Mësuesit ndërkohë vazhdojnë mësimin normalisht, por ata që janë pa libra nuk kanë mundësi të bëjnë detyrat dhe as të përgatiten për mësim. Të shqetësuar për këtë situatë, prindërit kanë kërkuar të zgjidhet menjëherë kjo gjendje, pasi nuk është normale që të përballen me një krizë të tillë për tekste shkollor. Nxënësit e kanë nisur ditën e tyre të parë pa pasur në dorë të gjithë librat e nevojshëm për një proces mësimor dhe në mbyllje të saj është e njëjta problematikë. Mungesë të librave ka që nga klasa e parë e deri në atë të nëntën dhe sipas mësuesve nuk kanë ardhur të gjithë librat në shkolla qëkur nisi shpërndarja e tyre. “E kanë fajin shtëpitë botuese që nuk i kanë sjellë. Çdo klasë ka nga dy mungesa. Mungojnë libra nga shtëpia botuese, nuk kanë faj mësuesit dhe as nxënësit. Në klasën e dytë mungon një libër, në klasën e pestë mungojnë dy libra, në të gjashtën tre. Që në fillim nuk kanë ardhur librat e plotë nga shtëpia botuese”, theksojnë mësuesit. Në lidhje me këtë çështje, burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit kanë nënvizuar në ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor, se brenda javës të gjithë nxënësit do të pajisen me libra dhe askush nuk do të ngelet pa i marrë. “Brenda javës do të plotësohen me çdo gjë, do të zgjidhet gjithçka”, kanë sqaruar më herët burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit.